Ish-inspektorët e Komunës së Prishtinës kërkojnë pafajësinë në Gjykatën e Apelit

Lavdim Bajraktari - Rasti Ismet Haliti etj. - 05.12.2018
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Dhjetor 5, 2018

Prishtinë – Të dënuar me afër 20 vjet burgim nga gjykata e shkallës së parë për akuzat për korrupsion, ish-shefi i inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Ismet Haliti dhe nëntë ish-inspektorë tjerë si dhe biznesmeni Qemajl Pozhegu, të mërkurën, kërkuan nga Gjykata e Apelit që t’i lirojë nga akuzat apo që lëndën ta kthej në rigjykim.

Në anën tjetër, Prokuroria e Apelit, përmes një parashtrese drejtuar gjykatës së shkallës së dytë, i ka propozuar kësaj të fundit që të refuzojë ankesat e mbrojtësve dhe ta vërtetojë aktgjykimin e shkallës së parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 20 prill të këtij viti, ish-shefin e sektorit të inspektoratit të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, Ismet Halitin, e kishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim, për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe me 1000 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Me aktgjykimin e shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, Ismet Halitit i ishte konfiskuar edhe veturat dhe para në shumën prej 11 mijë eurosh si dhe pistoleta.

Skënder Canolli, ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare si dhe armëmbajtje pa leje dhe ishte dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim si dhe me 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Skënder Canollit po ashtu i ishte konfiskuar, makina e tipit “Passat” dhe 10 mijë franga zvicerane.

Inspektorja Blerina Syla ishte dënuar me dy vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Vehbi Abdullahu, gjithashtu më dy vjet burgim, Blerim Ibishi me dy vjet, Mergim Shala, me dy vjet dhe gjithashtu i ishte konfiskuar banesa në lagjen “Kalabria”, derisa Drita Rukiqi ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj, Arbenita Ajeti 1 vit e 6 muaj, Ardian Muhadri me 1 vit burgim, dhe Granit Cenaj 1 vit burgim.

Kurse, afaristi Qemajl Pozhegu, ishte dënuar me 20 mijë euro gjobë për falsifikim të dokumenteve.

Të pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, avokatët mbrojtës të të gjithë të akuzuarve janë ankuar në Apel, duke atakuar kështu aktgjykimin e Themelores nën pretendimet se ka shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal si dhe në lidhje me vendimin për sanksionin penal.

Mbrojtësi i Ismet Halitit, avokati Ramiz Krasniqi, tha se pyetja thelbësore në këtë rast është se kush është palë e dëmtuar në këtë çështje, duke shtuar se shkalla e parë ia kishte refuzuar propozimin që të dëgjohet dikush nga Komuna e Prishtinës, në këtë proces gjyqësor.

Po ashtu, Krasniqi tha se të gjitha objektet që janë të përfshira në këtë rast dhe për të cilat akuzohen të akuzuarit se i kishin lejuar të ndërtohen pa leje, tashmë veçse janë pajisur me leje.

“Nëse kemi leje për këto objekte, atëherë ku është vepra penale këtu ?”, tha avokati Krasniqi.

Lirimin nga akuzat apo kthimin e rastit në rigjykim për të mbrojturin e saj, Skënder Canolli, kërkoi nga Apeli edhe avokatja Ibadete Veliqi-Ajvazi.

Siç tha avokatja, shkalla e parë nuk ka vërtetuar se i mbrojturi i saj ka ndërmarrë ndonjë veprim në drejtim të veprës penale për të cilën është shpall fajtor, duke shtuar se gjykata kishe vlerësuar në mënyrë të njëanshme deklaratat e dëshmitarëve të dhënë në këtë proces gjyqësor.

Faktin se objektet që janë të përfshira në aktgjykim dhe për të cilat akuzoheshin të akuzarit, tashmë janë të pajisur me leje, e përmendi në fjalën e tij edhe avokati Skënder Musa, i cili në këtë çështje, mbron të akuzuarën Blerina Syla.

Musa tha se të gjitha objektet që kanë qenë në përgjegjësi të të mbrojturës së tij, kanë pasur aktvendim për rrënim, mirëpo, pasi që ishin bërë arrestimet për këtë rast dhe kishte filluar procesi gjyqësor, të njëjtat objekte ishin pajisur me leje.

Po ashtu, Musa tha se vet aktgjykimi i Themelores e ka cekur se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me ndonjë pasojë apo dëm.

“Edhe akuza edhe aktgjykimi kanë qenë paushall. Nëse s’ka dëm nuk kemi vepër penale”, përfundoi fjalën e tij, avokati Musa.

Mbrojtësi i të akuzuarit Vehbi Abdullahu, avokati Ali Beka, para kolegjit të Apelit të kryesuar nga gjykatësi Xhevdet Abazi e ngriti çështjen e dëshmitarit Valton Ajeti, për të cilin, siç tha Beka, nuk ishte dëgjuar asnjëherë gjatë gjykimit në shkallë të parë, mirëpo, aktgjykimi i Themelores sipas Bekës e ka cekur dëshminë e tij kinse të dhënë në gjykim.

“Valton Ajeti asnjëherë nuk është ftuar në shqyrtim gjyqësor por gjykata thotë se gjendja faktike është vërtetu edhe nga dëshmia e tij”, tha Beka duke i propozuar Apelit që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza apo që lëndën ta kthej në rigjykim.

Pretendime të ngjashme me mbrojtësit e tjerë lidhur me mos dëgjimin e dëshmitarit Valton Ajeti në shkallë të parë dhe mungesës së dëmit në këtë rast, pati edhe avokati Sahit Bibaj, mbrojtës i të akuzuarit Blerim Ibishi.

I njëjti tha se i mbrojturi i tij nuk ka pasur obligim që të nxjerr aktin e rrënimit për objektin pa leje, duke kërkuar kështu lirimin e Ibishit nga akuzat apo kthimin e rastit në rigjykim.

“Çështje thelbësore është se aktgjykimi nuk e vërteton në mënyrë të qartë se cilat veprime konsiderohen keqpërdorim i pozitës zyrtare. Ndaj klientës time, aktgjykimi thotë se ka marr veprime të shumta dhe serioze por jo të mjaftueshme për ndalimin e ndërtimeve pa leje. Nëse ky standard aplikohet se nuk po kryhen në përpikëri detyrat e punës atëherë nuk kish me pas institucion në Kosovë që kish me shpëtu pa aktakuzë”, tha mbrojtësi i të akuzuarës Arbenita Ajeti, avokati Taulant Hodaj.

I njëjti tha se fakti që shkalla e parë ka thënë se legalizimi i objekteve pa leje që kishte ndodhur pas aktakuzës nuk përligj veprimet e të akuzuarve nuk qëndron, pasi siç tha Hodaj, është pikërisht e kundërta.

Se kishte vepruar sipas ligjit i mbrojturi i saj, Mërgim Shala, e tha edhe mbrojtësja e tij, avokatja Mimoza Shala. E njëjta tha se dënimi plotësues i shqiptuar nga shkalla e parë, konfiskimi i një banese nga i akuzuari Shala, nuk mund të qëndrojë, pasi sipas Shalës, në shkallë të parë është vërtetuar mënyra e blerjes së asaj banese në bazë të kontratës, me dëshminë e investitorit dhe transkriptet ku investitori i kërkonte të akuzuarit Shala të përmbushte obligimet për pagesën e banesës.

Me pretendime të ngjashme, lirimin nga akuzat apo kthimin e rastit në rigjykim e kërkuan për të mbrojturit e tyre edhe avokati Emrush Kastrati për Ardian Muhadrin, avokati Ramë Gashi për Granit Cenajn, avokati Fitim Gashi për të akuzuarën Drita Rukiqi si dhe avokati Ibrahim Dobruna për të akuzuarin Qemajl Pozhegu.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzë më 12 qershor të vitit 2015 me pretendimin se të pandehurit Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.

Të njëjtit akuzohen se nuk i kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina ”Tregtia”, Shefik Rexhepi  “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”.

Tutje, të akuzuarit supozohet se nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e këtyre objekteve.

Ndërkaq, i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers”, akuzohet për falsifikim të dokumenteve, pasi që i njëjti, pretendohet se ka ndryshuar lejen e ndërtimit me qëllim të shfrytëzimit të tij si dokument origjinal.