Ish-infermierja thotë se kishte pasur mirëkuptim nga ish-drejtori i Shëndetësisë në Kllokot për të mos shkuar rregullisht në punë

20190411_115851
Author

Raporton: Fitore SADIKU

Prill 11, 2019

Gjilan – Ish-infermierja e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Kllokot, Danjiella Mirkoviq, ka deklaruar se nuk kishte shkuar rregullisht në punë dhe në disa raste as nuk ishte nënshkruar në regjistrin e këtij institucioni për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës.

Pikërisht, mos shkuarja e saj në punë, është bërë shkak që Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Shëndetësisë në Komunën e Kllokotit, Miroslav Stoliq, i cili tash po akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ai akuzohet se kishte lejuar që Mirkoviq të merrte pagë pa qenë fare në punë, duke e dëmtuar buxhetin e komunës në shumë prej 9,979.90 euro.

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Gjilan, ish-infermierja Mirkoviq, ka deklaruar se kishte filluar më 11 janar 2016, dhe kishte punuar deri në vitin 2018, duke thënë se nuk kishte shkuar rregullisht në punë.

Arsye për këtë, ajo ka thënë se kishte qenë fëmija i saj i vogël, pasi siç ka thënë nuk këtë komunë nuk kishte çerdhe, dhe se është dashur të kujdesej për të, pasi që nuk e kishte marrë pushimin e lehonisë.

Në  pyetjen e prokurorit Shaban Spahiu se a kishte pas regjistër për të nënshkruar kur kishte shkuar dhe dal nga puna, ajo ka deklaruar se nganjëherë nuk është nënshkruar fare.

“Ka qenë regjistri i ardhjes në punë në ambulant. Por edhe pse kam shkuar në punë nganjëherë nuk jam nënshkruar. Arsyeja e mos nënshkrimit në regjistër ka qenë se kam shkuar me vonesë në punë se kam pas fëmijën e vogël. Për mu që nuk jam shkuar në punë unë nuk e di se a e ka ditur drejtori Miroslavi”, ka thënë dëshmitarja Mirkoviq.

Mirëpo, prokurori Spahiu e ka ballafaquar dëshmitaren me deklaratën e dhënë në prokurori më 24 shtator 2018, ku ajo kishte deklaruar “Ashtu që me drejtorin e atëhershëm jemi marrë vesh që me pajtimin e tij unë të shkoj nganjëherë më vonë në punë, të dal më herët e nganjëherë mos të shkoj fare në punë dhe kjo ka ndodhë gjatë tërë marrëdhënies së punës prej  11.01.2016 deri më 31.01.2018, kur unë kam pranuar vendimin mbi pushimin nga marrëdhënia e punës nga Drejtori i ri”.

Lidhur me këtë deklaratë, dëshmitarja ka thënë se ishte e vërtetë çfarë kishte thënë në prokurori, duke shtuar se arsyeja ka qenë se kishte pas mirëkuptim për shkak të fëmijës së vogël.

Dëshmitarja Mirkoviq, në pyetjen e përfaqësueses së palës së dëmtuar, Komunës së Kllokotit,  Lirie Zeqiri Halababa, ka shtuar se nuk e kishte shfrytëzuar pushimin e lehonisë.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Miroslav  Stoliq, avokatit Ramadan Leka, ajo ka thënë se zakonisht në punë kishte shkuar në mëngjes, rreth orës 10:30 dhe kishte qëndruar deri në ora 15:00, por që ishte nënshkruar vetëm për muajt shkurt, mars dhe prill 2016.

Ajo ka thënë se arsye e ndërprerjes së mardhënies së punës ishte politike.

“Ndërprerjen e marrëdhënies së punës e kam marrë nga kryetari i ri Bozhidar Dejanoviq dhe arsyet janë politike, sepse bashkëshorti im është këshilltar komunal i partisë tjetër”, ka shuar ajo.

Kurse, në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues Naser Maliqi, se çfarë moshe kishte pas fëmija në kohën kur kishte filluar punën, ajo është përgjigj se fëmija kishte qenë i moshës tre muajshe.

“Nuk kam kërkuar pushim sepse ashtu jemi marrë vesh që mos me shkuar ndonjëherë. Në Kllokot nuk ka çerdhe për fëmijë”, ka shtuar dëshmitarja Danjiella Mirkoviq.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues Zyhdi Haziri, se a kishte qenë larg ambulanca nga vendi i punës, ajo ka shtuar se distanca kishte afër 150 metra.

Ndryshe, në seancën e së enjtes, dëshminë e saj e ka dhënë edhe dëshmitarja Aleksandra Steviq.

Ajo ka thënë se punonte si infermiere në ambulancën në Kllokot që nga vitit 2014 dhe se Mirkoviq, sipas saj, asnjëherë nuk kishte shkuar në punë.

“Danjiella është punësuar gjatit vitit 2016 në ambulant dhe e njëjta asnjëherë nuk ka ardhë në punë”, ka thënë kjo dëshmitare.

Ajo ka shtuar se emri i saj ka figuruar në regjistër, por nënshkrimi i saj kishte munguar dhe për këtë kishte shprehur revoltën te drejtori.

“Kemi shpreh revolt dhe atë e kemi shpreh te drejtori Miroslav Stoliq dhe përgjigja që kishin marrë ishte “shikojeni punën tënde”, ka sqaruar dëshmitarja Steviq.

Në këtë seancë, gjithashtu janë dhënë edhe fjalët hyrëse nga palët në procedurë.

Prokurori Shaban Spahiu, ka thënë se pas administrimit të të gjitha provave do të vërtetohet gjendja faktike e përshkruar si në dispozitivin e aktakuzës.

“Dëshmohet nga deklaratat e dëshmitarëve të marrë në pyetje në hetuesi sikur edhe nga provat tjera materiale të deponuara në shkresat e lëndës e që me administrimin e këtyre provave gjatë këtij procesi gjyqësor do të vërtetohen tezat se vërtet i akuzuari ka kryer veprën penale të lartcekur”, ka deklaruar prokurori Spahiu.

Kurse, në fjalën hyrëse, mbrojtësi i të akuzuarit Miroslav Stoliq, avokati Ramadan Leka, ka thënë se në tërësi e kundërshton këtë aktakuzë dhe se sipas tij, drejtori nuk kishte qenë kompetent për përcjelljen e vijueshmërisë së punëtorëve në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kllokot.

“Kam kundërshtuar edhe më parë aktakuzën me arsyetimin se i mbrojturi im si drejtori i Drejtoratit të Shëndetësisë nuk kishte qenë  kompetent të përcjell punëtorët që vijnë në punë dhe që dalin nga puna, por raportet duhet t’i shkojnë sipas regjistrave nga shefat e shërbimeve, respektivisht udhëheqësit”, ka thënë avokati Leka.

Ndërsa, përfaqësuesja nga Komuna e Kllokotit, Lirie Zeqiri Halababa, ka thënë se i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe paraqet kërkesë për kompensim dëmi, sepse sipas saj, ishte dëmtuar buxheti i Komunës së Kllokotit.

Ndërkaq, në seancën fillestare të mbajtur më 24 tetor 2018, i akuzuari Miroslav Stoliq nuk kishte pranuar fajësinë për veprën e cila ju vihet në barrë.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 13 maj 2019 nga ora 13:00.

Sipas akuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të datës 25 shtator 2018, Miroslav Stoliq, duke qenë në pozitën e Drejtorit të Drejtoraisë për Arsim, Shëndetësi, Shërbime Sociale, Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Kllokotit, me qëllim të përfitimit të interesit pasuror për personin tjetër përkatësisht Daniella Mirkoviqin, e pranuar në punë si infermiere më 11.01.2016, në Qendrën e Mjekësisë Familjarë në Kllokot, e cila kishte pranuar të ardhura personale gjerë më ë 01.02.2018, pa u lajmëruar fare në punë, përkatësisht dhe pa i kryer detyrat e punës për të cilat ishte pranuar.

E për këtë. sipas aktakuzës, i pandehuri Miroslav Stoliq nuk kishte ndërmarr asnjë veprim për shkëputjen e marrëdhënies së punës ndaj saj, përkatësisht ndalesën e pagesës së të ardhurave mujore sipas kontratës, në lartësi prej pagës mujore prej 399.19, me çka e ka dëmtuar buxhetin e komunës së Klloktit në lartësi prej 9,979.90 euro.

Me çka, akuzohet se kryer vepër penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi