Ish-infermierja kërkon kompensimin pagave pas pensionimit, SHSKUK kundërshton

Gjykata45 (1)
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Janar 20, 2020

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka përfunduar procedura civile në rastin ku ish-infermierja Myrvete Dushi, pas daljes në pension, kërkon nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), kompensimin e tri pagave jubilare dhe tri pagave përcjellëse.

Fillimisht, në seancë e së hënës, përfaqësuesi i paditëses, avokati Fatbardh Makolli, e ka precizuar lartësinë e kërkesëpadisë, dhe atë për tri paga jubilare dhe tri paga përcjellëse ka kërkuar shumën prej 3,490.00 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e të paditurës, Majlindaj Sadikaj, e ka kundërshtuar lartësinë  precizimit të kërkesëpadisë të bërë nga ana e përfaqësuesit të paditëses, me arsyetimin se në këtë lartësi janë llogaritur edhe kontributet, shujtat, të cilat sipas saj, nuk mund të realizohen.

Pas këtij kundërshtimi nga përfaqësuesja e të paditurës, përfaqësuesi i paditëses, avokati Makolli, ka bërë riprecizimin e kërkesëpadi, dhe në emër të tri pagave përcjellëse dhe tri pagave jubilare ka kërkuar shumën prej 2,490.00 euro.

Po ashtu, Makolli në seancën përgatitore ka bërë edhe ndryshimin e kërkesëpadisë në aspektin subjektiv, edhe atë nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, tani e paditur në këtë kontest është Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Tutje, po në këtë seancë është dhënë edhe fjala përfundimtare nga palët ndërgjgyjëse, ku përfaqësuesi i paditëses, ka kërkuar nga gjykata që padia dhe kërkesa e saj të aprovohen si të bazuara.

Gjithashtu, Makolli i ka kërkuar edhe shpenzimet e procedurës, dhe atë për padi 104 euro, për përfaqësim në një seancë 135 euro dhe për taksë gjyqësore 30 euro.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e të paditurës në fjalën e saj përfundimtare, ka kërkuar nga gjykata që padia e paditëses të refuzohet si e pabazuar.

Pas administrimit të provave dhe fjalëve përfundimtare të palëve ndërgjygjëse, gjykatësi i rastit, Hysni Bardheci ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë kontest është i përfunduar, kurse lidhur me vendimin, sipas tij, palët do të njoftohen me kohë.

Sipas padisë së ushtruar më 21 nëntor 2018, paditësja Myrvete Dushi, po kërkon nga SHSKUK-ja, kompensimin e tri paga jubilare dhe tri pagave përcjellëse në shumë të përgjithshme prej 2,490.00 euro.

Këtë shumë, ajo e kërkon me pretendimin se te e paditura ka qenë në marrëdhënie pune si infermiere e ambulancës, deri në pensionimin e saj sipas fuqisë ligjore më 29 tetor 2018.

Paditësja pretendon se e paditura, nuk i kishte respektuar dispozitat ligjore, të cilat sipas saj, parashohin kompensimin përcjellës dhe jubilar, pas pensionimit sipas fuqisë ligjore.

Në padi thuhet se kërkesa e padisë bazohet në Kontratën Kolektive për Punëtorët në Kosovë dhe atë në nenin 52, ku parashihet shpërblimi jubilar dhe në nenin 53 ku parashihet shpërblimi përcjellës.

Prandaj, mbi këto rrethana, paditësja po kërkon nga gjykata që padia dhe kërkesa e saj të aprovohet si e bazuar dhe të detyrohet SHSKUK-ja që në emër të tri pagave jubilare dhe tri pagave përcjellëse ta paguaj shumën prej 2,490.00 euro. /Betimipërdrejtësi