Ish-drejtuesit e Agjencisë së Akreditimit kërkojnë nga portali “Blic” shumën mbi 3 mijë euro si dëmshpërblim për shpifje dhe fyerje

unnamed (1)
Author

Raporton: Shqiponjë GASHI

Qershor 29, 2020

 

Prishtinë – Ish-zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA), Ferdije Zhushi – Etemi dhe Basri Muja, në mars të vitit 2016, e kishin paditur për shpifje dhe fyerje portalin “Blic”, duke kërkuar si dëmshpërblim shumën prej 3,500 euro.

Sipas padisë, artikujt që janë pjesë e padisë e paditura i ka publikuar pasi që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte hapur hetimet ndaj paditësve, për shkak të dyshimit të keqpërdorimeve në Agjencinë për Akreditim, ku paditësja Zhushi-Etemi ka qenë kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ndërsa paditësi Muja ka qenë drejtor i Agjencisë.

Lidhur me këtë rast, të hënën është mbajtur seanca përgatitore, ku përfaqësuesi i paditësve, avokati Betim Shala tha se të gjitha pretendimet e paraqitura në publikimet e këtij portali janë shpifje dhe jo të bazuara në gjendjen faktike.

Ai tha se kjo mund të vërtetohet me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, me të cilin paditësit ishin shpallur të pafajshëm për dyshimin e kryerjes së veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, për çka tha se do ta sigurojë si provë edhe aktgjykimin e shkallës së parë, është atë të shkallës së dytë.

Ndërsa sa i përket afatshmërisë së padisë në të cilët thirret e paditura, ai ka konsideruar se e njëjta është e afatshme për faktin se e paditura ende nuk kishte mundur ta kuptoj identitetin e autorit të shkrimeve si dhe duke u bazuar në aktgjykimin penal lirues.

Gjithashtu, avokati Shala i ka propozuar gjykatës që të dëgjohen paditësit në cilësinë e palës, si dhe të bëhet nxjerrja e provës përmes ekspertizës nga lëmia e psikiatrisë, me qëllim të vërtetimit të dhimbjeve shpirtërore dhe gjendjen psikike të paditësve, të shkaktuar me publikimin e artikujve nga ky portal.

E në anën tjetër, përfaqësuesi i të paditurës, avokati Arlind Fetahu ka kërkuar nga gjykata hudhjen e kësaj padie si të pa lejuar, me arsyetimin se e njëjta është përfshirë në shkelje esenciale dhe materiale.

Ndërsa lidhur me afatshmërinë e padisë, ai ka theksuar se e njëjta është ushtruar në kundërshtim me Ligjin Kundër Shpifjes dhe Fyerjes (LKShF), pasi që siç tha ai, paraqitja e një kërkese sipas këtij ligji është 3 muaj nga dita kur personi pretendon të jetë i dëmtuar.

Po ashtu, Fetahu tha se paditësit nuk i kanë shterrur mjetet juridike sipas LKShF-së, konkretisht nenin 13 paragrafin 2, për shfrytëzimin e të drejtës për tu përgjigjur apo reaguar lidhur me pikëpamjen e shkrimeve të kontestuara.

Gjithashtu, ai tha se shkrimet kontestuese trajtojnë çështje me interes publik të përgjithshëm dhe se, sipas tij, e paditura me nenin 6 të LKShF-së lirohet nga barra e provës për të dëshmuar vërtetësinë e përmbajtjes së shkrimeve kontestuese.

Ndërsa sa i përket propozimit të përfaqësuesit të paditësve, për nxjerrjen e provës me ekspertizë mjekësore, ai e ka kundërshtuar me arsyetimin se kanë kaluar pesë vite nga koha kur pretendohet shpifja dhe fyerja nga artikujt kontesutes, ku sipas tij çfarëdo ekspertize lidhur me gjendjen emocionale dhe shpirtërore do të ishte e pa qëndrueshme.

Pas kësaj, gjykatësi Alajdin Tërshnjaku tha se do të vendosë jashtë seancës lidhur me propozimet e përfaqësuesit të paditësve, për caktimin e ekspertizës mjekësore dhe dëgjimin e paditësve në cilësinë e palës, për çka palët do të njoftohen me aktvendim të veçantë.

Ndryshe, sipas paditë, portali “Blic”, më 22, 24, 26 dhe 28 mars 2015, kishin publikuar artikujt si: “Skandaloze, ja si mashtroi Ferdije Zhushi-Etemi, deputet për vendimet e jashtligjshme”; “Znj. Ferdije Zhushi-Etemi, po ky dokument a është i falsifikuar?”; “AKA reagon por s’mund ti demantoj skandalet me akreditimet”; “Skandal pas skandali ja si e falsifikoj sërish Agjencia e Akreditimit rekomandimin e ekspertëve”.

Sipas padisë, e paditura i ka publikuar pasi që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte hapur hetimet ndaj paditësve, për shkak të dyshimit të keqpërdorimeve në Agjencinë për Akreditim, ku paditësja Zhushi-Etemi ka qenë kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësis, ndërsa paditësi Muja ka qenë drejtor i Agjencisë.

Në padi thuhet se ky portal, me publikimin e këtyre njoftimeve para përfundimit të procesit gjyqësor, posaçërisht para shpalljes së aktgjykimit, ka marrë rolin e krijuesit të opinionit se paditësit me të vërtetë qenkan kriminel dhe mashtrues, ku me këto veprime thuhet se atyre iu ka shkaktuar dëm moral.

Me anë të kësaj padie, ata po kërkojnë nga gjykata që të detyrohet e paditura që atyre t’ia kompensoj dëmin jo material për shkak të shpifjeve dhe fyerjeve.

Ndryshe, Ferdije Zhushi-Etemi dhe Basri Muja, së bashku me Armend Mujën, akuzoheshin për korrupsion.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale i ngarkonte Basri Mujën, Ferdije Zhushi – Etemin dhe Armend Mujën për shpërdorim të pozitës zyrtare, me pretendimin se i kanë shkaktuar dëm në shumën prej 2,500.000 euro, kolegjit “Biomedica” për akreditimin e katër programeve. Tutje sipas aktakuzës i akuzuari Basri Muja për mos tërheqje të akreditimit për kolegjin në fjalë, ka kërkuar 50.000.00 euro për vitin e parë, 150.000.00 për vitin e dytë, ndërsa për vitin e tretë 50:50 nga fitimi.

Prokuroria pretendonte se të pandehurit Basri Muja dhe Ferdije Zhushi – Etemi i kanë shkaktuar dëm edhe Kolegjit “ISPE”, në atë mënyrë që kanë kërkuar përfitim me të holla për akreditimin e programeve. Në fillim kanë kërkuar përfitim prej 10.000.00 euro për një program, ndërkaq gjatë vitit 2011 kanë kërkuar shumën prej 20.000.00 eurove.

Më pas bazuar në aktakuzë, të njëjtit në bashkëkryerje ngarkoheshin edhe për marrje ryshfeti, meqenëse për akreditimin e programeve të Kolegjit “Universum” thuhej se kishin përfituar shumën prej 35.000.00 euro.

Aktakuza e ngarkonte edhe të pandehurin Naim Braha, aksionar në Kolegjin “Vizioni për arsim” në Ferizaj, për dhënie ryshfeti, pasi që për akreditimin e dy programeve i ka dhënë 10.000.00 euro të pandehurit Basri Mujës, por për veprën penale në fjalë kishte arritur parashkrimi dhe ndaj tij ishte pushuar procedura penale.

Lidhur me këtë rast, më 29 janar 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë, i kishte liruar nga disa pika të akuzës, Basri dhe Armend Mujën si dhe Ferdije Zhushi-Etemi, kurse për disa pika të tjera kishte marr aktgjykim refuzues.

Sa i përket të akuzuarve Basri Muja, Ferdije Zhuzhi-Etemi e Armend Muja për veprën penale për shpërdorim të pozitës zyrtare apo autoritet, si dhe të akuzuarit Basri Muja për marrje të ryshfetit, shkalla e parë kishte marr aktgjykim refuzues, pasi prokurori Naim Abazi, në fjalën përfundimtare ishte tërhequr nga këto pika për shkak të parashkrimit absolut.

Aktgjykim refuzues gjykata kishte shpallur edhe ndaj të akuzuarit për dhënie të ryshfetit Naim Braha, pasi për të njëjtin kishte pushuar procedura penale për shkak të arritjes së afatit të parashkrimit.

Për pikën 6 e 7 të dispozitivit të aktit akuzues në të cilat, Basri Muja, Ferdije Zhushi-Etemi si dhe Armend Muja, e të cilët akuzoheshin për marrje të ryshfetit në vazhdim, si dhe i akuzuari Basri Muja për marrje ryshfeti, gjykata edhe për këtë kishte marr aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit absolut.

Për pikat 3 e 4 të aktakuzës në të cilat akuzoheshin Basri Muja e Ferdije Zhushi-Etemi për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe Basri Muja e Zhushi-Etemi për marrje të ryshfetit në vazhdim, si dhe për veprën penale në dispozitivin 5 për keqpërdorim të pozitës, si dhe për dispozitivin e 9,  ku Basri Muja akuzohej për keqpërdorim të pozitës, shkalla e parë, në mungesë të provave, i kishte liruar nga këto akuza, pasi sipas tyre, nuk është vërtetuar se ata kanë kryer këto vepra penale.

E pakënaqur me vendimin e Themelores, PSRK ishte ankuar në Apel, pasi siç pretendonte në ankesën e saj, të akuzuarit Basri Muja dhe Ferdje Zhushi-Etemi kishin kryer veprat penale për të cilat akuzoheshin dhe kjo sipas PSRK-së, vërtetohej me mos rekomandimin pozitiv për programin master për studime të sigurisë për kolegjin ISPE edhe pse një rekomandim të tillë e kishin dhënë ekspertët e jashtëm.

Por Gjykata e Apelit, në gusht 2019, i ka liruar përfundimisht nga akuzat për korrupsion, ish-drejtorin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA), Basri Mujën, ish-kryetaren e Këshillit Shtetëror e Cilësisë (KSHC) të AKA-së, Ferdije Zhushi-Etemin si dhe Armend Mujën. /BetimipërDrejtësi