Ish-drejtori për Kulturë në Pejë thotë se refuzoi pranimin e makinës për kositjen e barit artificial ngase s’ishte sipas porosisë

Raporton: Arlinda MUQA

Pejë- Engelbert Zefaj ish-drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, në Komunën e Pejës, në cilësinë e dëshmitarit deklaroi se pas informimit nga menaxheri i projektit për makinën e prerjes së barit artificial për qendrën sportive ai kishte thënë se mos ta hapin makinën dhe mos ta nënshkruajnë pranimin e saj pasi që nuk është ajo se çka kanë kërkuar ata.

Një deklarim të tillë e tha sot ish-drejtori Zefaj, në Gjykatën Themelore në Pejë, në rigjykimin  për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ku po akuzohen Durim Sheremeti, ish-shef i kabinetit të kryetarit të Pejës dhe tre zyrtarët tjerë komunalë, Gëzim Shala, Gëzim Lajqi dhe Ruzhdi Zhara, si dhe pronari i operatorit ekonomik, Ilir Kelmendi, i cili ngarkohet për mashtrim, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi”.

Zefaj fillimisht deklaroi se procedurat e prokurimit ishin kryer në përputhje me ligjin e prokurimit publik që ishte buxhetuar ai investim dhe ishte miratuar edhe në Asamblenë Komunale në Pejë por edhe në Parlament të Kosovës.

Në bazë të këtij buxheti Zefaj thotë se në vitin aktual kanë marrë dritën e gjelbër nga kryetari i komunës që t’i fillojnë procedurat për këtë investim kapital, përgatitjen e kritereve dhe ato dokumente ishin dorëzuar në prokurimin publik, por para se të dorëzoheshin ishin përcaktuar edhe specifikat e makinës.

Ai tha se specifikat ishin kryer nga sektori i sportit nga DKRS dhe person përgjegjës ka qenë Valdet Shoshi, shef i sektorit të sportit dhe se ku ato dokumente kompletohen ata si drejtori quhen si njësi drejtuese dhe kanë kërkuar nga zyra e prokurimit që t’i filloj procedurat e prokurimit nga ai moment çdo gjë drejtohet dhe menaxhohet nga Zyra e Prokurimit të cilën në atë kohë e kishte udhëhequr Xhemë Berisha.

Tutje në pyetjet e prokurorit Agron Galani, Zefaj deklaroi se Faik Zekën e kishte propozuar ai që të jetë kryesues i komisionit sepse kishte qenë nga drejtorati i tij, ndërsa të tjerët ishin propozuar nga kryetari pasi që ishte kompetencë e tij.

“Makina është dorzu në objektin sportiv në Brestovik është pranuar nga Faik Zekaj dhe me ka njoftuar se ka arritur makina e cila është porositur, më ka njoftuar se kjo makinë nuk është ajo që e kemi porositur dhe që kemi nevojë se në vend që të kryej funksionin në barin sintetik me ato specifikat makina doli të jetë një kosë për kositjen e barit natyral”, tha dëshmitari Zefaj.

Në vendin ku ishte sjellë makina Zefaj tha se kishte shkuar me Valdet Shoshin dhe Nasir Gjukaj, punonjësit e sektorit të sportit.

“Kam kërkuar nga menaxheri i objektit që mos ta hap dhe mos ta vëjë në funksion, pastaj e kam ftuar edhe drejtorin e prokurimit dhe kryesuesin e komisionit Faik Zekën duke ju thënë se kjo nuk është makina që e kemi porositur dhe ne nuk e pranojmë. Dhe i kam thënë Faikut se mos e nënshkruaj pranimin e mallit sepse nuk është ajo makina e kërkuar”, shton Zefaj.

Zefaj tutje shtoi se ai si drejtor kishte parim që të mos përfshihet në procedurën e prokurimit, që sipas tij, pas pranimit të mallit krijohet një raport i komisionit vlerësues që ta shikon sa e është në rregull dhe më pas lënda kalon tek drejtoria e financave dhe më pas kryhen pagesat.

“Unë e kam kuptuar që është kryer pagesa nga kush saktë nuk e dijë, por unë e kam thirr drejtorin e financave Jeton Abazaj dhe i kam thënë që po flitet për pagesat dhe e kam pyetur se a mund të ma konfirmoni dhe ai më ka konfirmuar se është kryer pagesa”, thotë Zefaj lidhur me pagesën e mallit.

Ai tutje tha se kur e kishte pyetur shefin e prokurimit se kush e kishte nënshkruar pranimin ai deklaroi se e kishte parë nënshkrimin e Druim Sheremetit.

Më pas ai shtoi se kishin qenë dy mundësi ose ta bindin operatorin që ta sjell produktin e kërkuar ose ta anulojnë komplet procedurën e prokurimit.

Në këtë proces të kësaj makine a keni pasur për detyrë dhe përgjegjësi të nënshkruani diçka e pyet mbrojtësi i të akuzuarit Durim, avokati Labinot Muratit, Zefaj deklaroi se përgjegjësitë e tij përfundojnë në momentin kur e parashtron kërkesën për mall, produkt ose shërbim.

Në lidhje me makinën ai deklaroi se me kërkesën e tij ajo makinë kishte kaluar pastaj në fushën e futbollit në stadiumin  “Shahin Haxhiislami” pasi që ajo është fushë me bari natyral.

“Në momentin që pajisja nuk ka qenë ajo që e kam kërkuar unë kam vepruar dhe deklaruar se ajo pajisje të kaloj në stadium të qytetit”, thotë Zefaj.

Zefaj tutje shtoi se makina që e kishin porositë do i plotësonte nevojat për fushën dhe sipas informacionit të tyre kishte qenë 12,500 euro që do ta mbulonte në tërësi, por ai thotë se kishin pasur edhe zotimin e kryetarit se nëse makina e kalon edhe pak shumën kryetari do t’i qëndronte prapa për t’i mbuluar të gjitha procedurat.

Ju deklaruat se Jetoni ka nënshkruar urdhër-blerjen në vendin  e njësisë hetuese a ka qenë kjo hera e parë kur Jetoni ka nënshkruar në vendin e juaj apo ka pasur edhe raste tjera.

Më pas Zefaj tha se herën e parë që e ka kuptuar se Durim Sheremeti ka qenë i përfshirë në procedurë ishte kur e ka parë nënshkrimin, dhe se më të nuk ishte konsultuar asgjë rreth procedurave për blerjen e asaj makine.

Pas kësaj, gjykata e ndërpreu seancën për të vazhduar me 26 maj të këtij viti, për t’i dëgjuar të akuzuarit rreth mbrojtjes së tyre.

Ndryshe, më 17 qershor 2021, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin për korrupsion ndaj Durim Sheremetit, ish-shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tre zyrtarëve të Komunës së Pejës, Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara e Gëzim Shala si dhe biznesmenit Ilir Kelmendi, për mashtrim, të cilët Gjykata e Pejës i kishte gjetur fajtorë.

Më 1 mars 2021, Gjykata Themelore në Pejë i kishte shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, Durim Sheremetin dhe tre zyrtarët komunal, Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala. Kurse, biznesmeni Ilir Kelmendi ishte shpallur fajtor për veprën penale të mashtrimit.

Sheremeti ishte dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv, i cili dënim mund t’i zëvendësohej me dënim me gjobë në lartësi prej 7 mijë eurove. Ndaj tij ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike prej dy viteve.

Kurse, të akuzuarit Lajqi, Zhara dhe Shala ishin dënuar me nga gjashtë muaj burgim me kusht, në afat verifikimi prej një viti.

Ilir Kelmendi ishte dënuar me gjashtë muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë, ku me pëlqimin e tij, dënimi me burgim i ishte shndërruar në dënim me gjobë në shumën prej 5 mijë euro. Më pas, ndaj tij ishte shqiptuar dënimi unik në shumën prej 7 mijë euro.

Por, të pakënaqur me këto dënime kishin mbetur mbrojtja e të akuzuarve, Sheremeti dhe Kelmendi, kurse me lartësinë e dënimit për Sheremetin edhe Prokuroria Themelore në Pejë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 maj 2019, Durim Sheremeti akuzohet se ka nënshkruar raportin për pranimin e mallit, lidhur me tenderin për blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Brestovik në Pejë, në vlerë prej 11 mijë e 929 euro e 41 centë, pa pasur mandat dhe kompetencë për të nënshkruar.

Në aktakuzë thuhet se ai kishte nënshkruar pranimin e mallit në emër të Organit Mbikëqyrës –menaxherit të projektit Faik Zekaj, pa pasur kompetencë për këtë edhe pse me vendim të kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, menaxher i projektit për këtë tender ishte Faik Zekaj.

Sipas aktakuzës, menaxheri i projektit për tender Faik Zekaj, kishte refuzuar të nënshkruajë këtë pranim, pasi ai kishte qenë në dijeni se makina e barit që është sjellë nga operatori ekonomik nuk është sipas projektit të kërkesës, parametrave dhe specifikave të përcaktuara në tender.

Aktakuza përshkruan se makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik, ishte në vlerë prej 2 mijë euro dhe me këtë veprim është dëmtuar buxheti i Komunës për shumën prej 9 mijë e 929 euro e 41 centë, duke i mundësuar përfitim operatorit ekonomik, këtu të pandehurit Ilir Kelmendi, shumën prej 9 mijë e 929 euro e 41 centë.

Dispozitivi i dytë i aktakuzës i ngarkon zyrtarët komunal Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala, se më 19 shtator 2017, si zyrtarë komunal në Komunën e Pejës, në cilësinë e anëtarëve të komisionit për pranimin e mallit, lidhur me tenderin për makinën e barit, me dashje nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare.

Sipas aktakuzës, ata pa pasur një vendim në formë të shkruar se janë caktuar anëtarë të komisionit për pranimin e mallit lidhur me tenderin “Kontratë, Blerja e Makinës për Mirëmbajtje të Barit Artificial për Qendrën Sportive Brestovik” dhe të njëjtit nuk kishin kontrolluar fare nëse malli (furnizimi) i pranuar i plotësonte kushtet e specifikuara në kontratë dhe atë pa prezencën e menaxherit të projektit Zekaj dhe pa prezencën e operatorit fitues, nënshkruajnë pranimin e mallit të makinës.

Sipas aktakuzës, të pandehurit nënshkruajnë pranimin e mallit edhe pse kanë qenë në dijeni se ata duhet të bëjnë verifikimin nëse makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik, i plotësonte kushtet në kontratë dhe në vlerë monetare, me ç’rast i shkaktojnë dëm Komunës se Pejës, 9 mijë e 929 euro e 41 centë, kurse përfitimin biznesmenit Ilir Kelmendi, në shumë prej 9 mijë e 929 euro e 41 centë.

Kurse, i pandehuri Ilir Kelmendi, akuzohet nga Prokuroria Themelore në Pejë se ka kryer veprën penale të mashtrimit, ashtu që si pronar firmës “Green Construcion-Shpk”, duke paraqitur fakte të rreme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore.

Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri Kelmendi kishte fituar tenderin nga Komuna e Pejës, ai nuk i përmbahet kushteve të tenderit ku në shënimin e Komunës së Pejës është paraparë vendi i origjinës së makinës të jetë Turqia dhe firma e makinës së barit të jetë prodhuese e “Uçegen Firça”, ashtu që ai nuk e ka sjellë makinën sipas kontratës së firmës “Uçegen Firça”, por të firmës “Alpina”.

Sipas aktakuzës, makina e barit e sjellë nga i pandehuri ishte me çmim të tregut prej dy mijë euro dhe nuk ka ofruar as dorëzuar dëshmi për blerjen e makinës dhe me këtë veprim i ka shkaktuar dëm Komunës së Pejës, prej 9 mijë e 929 euro e 41 centë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë