Ish-drejtori në Pejë mohon përgjegjësinë për mos rrënimin e objekteve pa leje, thotë se ishte kompetencë e inspektorëve të ndërtimit

5 foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Gusht 5, 2019

Pejë – Ish-drejtori i Inspeksionit në Komunën e Pejës, Demë Dashi, ka drejtuar përgjegjësinë te inspektorët e ndërtimit për mos rrënimin e objekteve pa leje dhe atyre që kishin tejkaluar lejet.

Pikërisht për shkak të mos rrënimit të këtyre objekteve, Dashi tash po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai akuzohet se gjatë periudhës 7 maj 2014, deri 14 nëntor 2016, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

I akuzuari Dashi, në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Pejë, ai ka dhënë mbrojtjen e tij, duke deklaruar se nuk e ndien vetes përgjegjës për mos rrënimin e objekteve pa leje pasi, sipas tij, kjo ka qenë kompetencë e inspektorëve të ndërtimit dhe jo e drejtorit të Inspeksionit.

“Ligji i detyron inspektorët e ndërtimit edhe për rrënimin e objekteve pa leje, pra përfshihet jo vetëm nxjerrja e vendimit për rrënim, por edhe për ekzekutim të vendimeve për rrënim”, ka thënë i akuzuari Dashi.

Ai ka thënë se nuk ekziston askund në dispozita ligjore, organograme dhe as në përshkrim të vendit të punës, nuk parashihet që drejtori duhet të zbatojë vendimet inspektorëve për rrënim.

Dashi ka theksuar se inspektorët e ndërtimit gjatë rrënimit nuk kanë nevojë për ndihmën e drejtorit, por vetëm të kompanisë së kontraktuar për të rrënuar objektin pa leje.

“Bazuar në vendimin e Kryetarit të aprovuar nga Asambleja Komunale e Pejës si dhe në formularin e përshkrimit të vendit të punës së inspektorit të ndërtimit thuhet se inspektori duhet të raportojë tek shefi i sektorit të ndërtimit dhe bazuar në përshkrimin e vendit të punës  ndër të tjera ceket se detyrë e inspektorit është ekzekutimi i aktvendimit për rrënim të objekteve”, ka thënë i akuzuari Dashi.

Ai ka mohuar se kishte ndaluar dhe penguar në çfarëdo mënyre që inspektorët e ndërtimit të bëjnë rrënimin e objekteve.

I akuzuari ka deklaruar se inspektorët e ndërtimit kanë pasur për epror shefin e ndërtimit Sylejman Syla.

Sipas tij, derisa Syla kishte dhënë dorëheqje, në këtë pozitë sipas Dashit, në bazë të autorizimit gojor ishte caktuar inspektori, Bajram Muzlia.

Ndërsa, në lidhje me rastet kur ndërtuesit kishin bërë ndërtime pa leje dhe me tejkalim të lejeve të ndërtimit, Dashi ka deklaruar se për këtë duhet të pyeten inspektorët pse të njëjtat nuk ishin rrënuar, duke shtuar se në një kohë, Komuna e Pejës kishte pasur mungesë të kompanisë për të bërë rrënimin e këtyre objekteve.

Ai ka thënë se nuk u kishte mundësuar përfitim pasuror ndërtuesve dhe se nuk i kishte shkaktuar dëm Komunës së Pejës, pasi sipas tij, në bazë të Ligjit për Legalizim, ndërtuesit e objekteve pa leje duhet të paguajnë taksa komunale, me ç’rast sipas tij, Komuna e Pejës ka përfituar.

Seanca e radhës është caktuar më 9 gusht 2019, nga ora 10:00.

Në seancën e 15 qershor të vitit të kaluar, ish-drejtori i Inspeksionit në Komunën e Pejës, Demë Dashi, ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Sali Berisha, pas seancës së shqyrtimit të dytë ka marrë vendim që të aprovojë si të bazuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit Demë Dashi, avokati Isë Osdautaj për kundërshtimin e provave si të papranueshme, duke përjashtuar nga shkresat e lëndës dëshmitë e dëshmitarëve Hasan Idrizaj, Visar Kelmendi, Bashkim Hadërgjonaj, Arben Qakaj, Sali Qelaj, Gani Mavraj, Mendu Mende, Bakir Burri, Metë Ademaj, Astrit dhe Alma Imami, Abedin Kurtulaj, Gjihad Deçani, Ekrem Lluka, Tafil Alimusaj, Smajl Temaj, Rexhë Zeka, Kujtim Hadërgjonaj, Isa Selimaj, Haxhi Karaqica, Shkelzen Hadërgjonaj, Ideal Gashi dhe Adem Berisha.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda të ngritur më 27 mars 2018,  Demë Gashi akuzohet se si person zyrtar në pozitën Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri 14 nëntor 2016, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Gjithmonë sipas aktakuzës, me këto veprime i pandehuri Gashi ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm për tjetrin dhe atë Hasan Idrizaj, Arben Qekaj, Artan Gjoci, Metë Ademaj, Agim Lokaj, Artan Gjoci, Sami Karaqica, Visar Kelmendi, Abedin Kurtulaj, Hekuran Selimaj, Kujtim Hadergjonaj, Rexhe Zeka, Sali Qelaj, me mbi 500.00 euro.

Kjo çështje penale është deleguar prej Prokurorisë Themelorë Pejë në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, për shkak të hetimit të drejtë dhe objektiv. /Betimipërdrejtësi