Ish-drejtori komunal obligohet të paguajë tremijë euro, pasi aprovohet pjesërisht padia për shpifje ndaj prokurores në Pejë

GJTH Peje Foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Tetor 9, 2019

Pejë – Tremijë euro do të detyrohet t’i paguajë ish-drejtori i Inspeksionit në Komunën e Pejës, Demë Dashi, prokurores së Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë, Sahide Gashi.

Kjo pasi që Gjykata Themelore në Pejë, dega në Deçan, e ka aprovuar padinë e prokurores Gashi, e cila e kishte ushtruar ndaj të paditurit Dashi.

Me pretendimet se ish-drejtori komunal kishte shpifur ndaj saj dhe e kishte fyer prokuroren Gashi, kjo e fundit kishte ushtruar padi ndaj tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Padia është ushtruar pasi që sipas saj, tani i padituri Dashi, ishte ftuar për intervistë në një rast penal, në cilësinë e të dyshuarit.

Në padi, pretendohet se tani i padituri Dashi, i ishte drejtuar prokurores Gashi me fjalët “Ti ishte e korruptuar, ke lidhje miqësie me një të akuzuar në çështjen penale dhe a je mirë në mend”.

Këto deklarime të të paditurit, Gjykata Themelore në Pejë, dega në Deçan, i ka konsideruar fyerje dhe shpifje, me ç’rast e aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e prokurores Sahide Gashi.

Prokurorja Gashi, ka kërkuar dëmshpërblim, pasi sipas saj, i padituri Dashi e kishte fyer rëndë dhe e kishte dëmtuar reputacionin e saj, pasi ishte ftuar nga ajo për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

Për të gjitha këto pretendime, prokurorja Sahide Gashi ka kërkuar dëmshpërblim në shumë prej pesëmijë euro.

Mirëpo, nga shkresat e lëndës të siguruara nga “Betimi për Drejtësi”, padia e prokurores është aprovuar pjesërisht nga Gjykata Themelore në Pejë, dega në Deçan, ashtu që është detyruar i padituri Demë Dashi, që të paguajë shumën prej tremijë euro.

Në arsyetimin e aktgjykimit të përpiluar nga gjykatësi Nexhat Musaj, thuhet se ishte vërtetuar në mënyrë të padyshimtë, se i padituri Demë Dashi, kishte fyer dhe shpifur ndaj prokurores së shtetit, ku thuhet se paditësja ka pasur të drejtë në kompensim të dëmit.

“Kur shpifja apo fyerja ka të bëjë me një çështje të interesit publik ose kur personi i shpifur ose fyer është ose ka qenë zyrtar publik ose është kandidat për një pozitë publike, mund të ketë përgjegjësi për shpifje apo fyerje vetëm nëse autori ka ditur se informacioni ka qenë i rrejshëm ose ka vepruar me mospërfillje të pamatur për vërtetësinë e tij”, citohet dispozita ligjore në aktgjykim.

Por, me një aktgjykim të tillë, nuk është pajtuar i padituri Demë Dashi, i cili ka thënë se ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Aktgjykimin që e ka marr gjykata në Deçan është vetëm plotësim i dëshirave të prokurores, ashtu siç ka kerku ajo. Aty nuk ka pas fyerje, as kërcënime dhe asnjë fjalë tjetër. Ajo ka genjy sepse i kam deklaratat e saj ku i ka dhënë në Pejë dhe në Deçan dhe dallojnë njëra me tjetrën. Ajo ka qenë njëfarë forme me tentu me pastru veten prej shkeljeve që i ka ba ndaj meje për interes madhor të kompanive, të cilat kanë qenë në gjendje me pagu veç me më largu mu prej pozitës se drejtorit”, ka thënë Dashi.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar nga paditësja Sahide Gashi, e cila është prokurore e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë, ajo ka kërkuar që i padituri Demë Dashi, të detyrohet të paguajë shumën prej pesëmijë euro, në emër të cenimit të reputacionit të saj nga fyerjet dhe shpifjet.

Sipas padisë, i padituri Demë Dashi, më 25 nëntor 2017, në Prokurorinë Themelore në Pejë, pasi ishte ftuar në cilësinë e të pandehurit që të deklarohet në çështjen penale PP/I.nr.332/16, ka refuzuar të deklarohet dhe derisa ka qëndruar në këmbë dhe dera e zyrës ishte e hapur dhe para sekretares juridike S.GJ, i padituri me ton të lartë ka fyer dhe shpifur dhe kërcënuar, tani paditësen.

Duke u bazuar në padi, theksohet se i padituri Dashi, i ishte drejtuar paditëses me fjalët “Ti ishte e korruptuar, kishe lidhje miqësie me H.I, i cili ka qenë bashkë i pandehuri në të njëjtën çështje penale, pastaj ka filluar të fyej “A je mirë me mend “.

Në padi thuhet se i padituri ka përhapur fjalë të pavërteta, ka fyer rëndë, duke e dëmtuar reputacionin e saj si prokurore e Krimeve të Rënda edhe pse i padituri e kishte ditur se këto fjalë janë të pavërteta. /BetimipërDrejtësi