Ish-drejtori i Spitalit Regjional të Gjilanit deklarohet i pafajshëm për keqpërdorim të detyrës
Raporton: Syzana REXHEPI
Gjilan – I akuzuari Avdylatif Latifi ish-drejtor i Spitalit Regjional të Gjilanit u deklarua i pafajshëm për veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar’ në seancën fillestare të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, i pandehuri Avdylatif Latifi, si-drejtor ekzekutiv në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, akuzohet se me dashje nuk i ka kryer detyrat e përcaktuara me ligj, ashtu që nga fillimi i vitit 2012 e gjerë në vitin 2014 në vazhdimësi pa shpallje të tenderit apo të shpalljes publike, ka lidhur kontratë mbi qira me qiramarrësin Ilir Selimin. Ky i fundit si pronar i objektit Kantina “Vitamina”, kishte nënshkruar kontrata të qirasë më këtë spital çdo katër muaj për të marrë me qira pronën e spitalit në sipërfaqe prej 40 metra katror me pagesë mujore prej 500 eurove. Këtu ishin përfshirë edhe shpenzimet e ujit dhe të rrymës që do t’i paguante Spitali Regjional deri në lartësinë mujore prej 100 eurove. Sipas Prokurorisë, qiramarrësit i ishte lejuar shfrytëzimi i pronës edhe pas skadimit të kontratës së fundit dhe qiramarrësi edhe gjatë vitit 2015 e kishte shfrytëzuar pronën pa kontratë. Kjo çështje ishte ngritur nga Auditori i Përgjithshëm, i cili kishte konstatuar se dhënia me qira ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme, meqë nuk ishin aplikuar procedura të tenderimit.