ISH-DREJTORI I SHKOLLËS “ARBËRIA”, DËNOHET ME DY VITE BURGIM ME KUSHT
Raporton: Syzana REXHEPI
Gjilan – I akuzuari Nehat Salihu, u dënua me dy vite burg me kusht për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. I njejti, këtë vepër e kishte kryer në cilësinë e Drejtorit të Shkollës së Mesme “Arbëria” në Gjilan. Nehat Salihu, në shqyrtimin fillestar e pranoj fajësinë e tij për veprën me të cilën u ngarkua nga aktakuza e prokurorisë.
Gjatë kësaj seance, në Gjykatën Themelore në Gjilan, prokurori i çështjes Arben Kadriu lexoj aktakuzën dhe i akuzuari pas konsultimeve me avokatin e tij Begzad Hajrullahun,të cilin ia ka caktuar gjykata, ka pranuar fajësinë.
Shqyrtimi fillestar ka qenë e paraparë që të mbahej më herët, mirëpo ishte shtyrë me arsye që të negociohet marrëveshja me prokurorin ,mirëpo një gjë e tillë nuk u arrit në mes palëve.
Nehat Salihu, akuzohet për shkak se si Drejtor i Shkollës së Mesme “Arbëria” në Gjilan, kishte vepruar në kundërshtim me Udhëzimin Adminstrativ të MASHT-it, të datës 28 janar 2003. Sipas aktakuzës përkundër faktit se Salihu ka qenë në dijeni se mësimdhënësi i lëndës së Edukatës Fizike, Isa Muslija, ka munguar në punë nga data 28 tetor 2014 deri më 2 mars 2015, dhe ka qenë në listën e pagave duke realizuar të ardhurat, i njëjti nuk e ka paraqitur rastin pran Komunës e Gjilanit. Por në mënyrë të kundërligjshme ia kishte ndarë orët mësimëdhënësit tjetër të kësaj shkolle, pa dijeni dhe konsultë me Komunën. Në këtë mënyrë i shkaktuar dëm material buxhetit komunal, ndërsa Isa Muslijas i ka mundësuar përfitime në vlerë prej 1.034.64 euro.