Ish-drejtori dhe shefi i Urbanizmit në Novobërdë deklarohen të pafajshëm për korrupsion

73327021_2762221083808547_6077998298642251776_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Tetor 14, 2019

Gjilan – Ish-drejtori i Urbanizmit, Kadastrës dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Novobërdës, Goran Maksimoviq, dhe shefi i kësaj drejtorie, Selatin Beqiri, janë deklaruar të pafajshëm për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Një deklarim të tillë, ata e kanë bërë të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Isuf Sadiku, të akuzuarit Maksimoviq dhe Beqiri, kanë mohuar fajësinë, duke thënë se nuk qëndrojnë pretendimet e prokurorisë në aktin e saj akuzues.

Gjykatësi Zyhdi Haziri, ka njoftuar të akuzuarit bashkë me mbrojtësit e tyre sipas detyrës zyrtare, avokatët Avdylaziz Sadiku dhe Fjolla Ukshini, se kanë afat deri më 31 tetor të këtij viti, të parashtrojnë kërkesë për hudhjen e aktakuzës, provat në aktakuzë dhe ligjshmërinë e saj.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 17 qershor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj tashmë ta akuzuarve, Goran Maksimoviq dhe Selatin Beqiri, duke i ngarkuar ata me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, Goran Maksimoviq, në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë për Urbanizëm, Kadastër dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Novobërdës, më qëllim të shkaktimit të dëmit për personin tjetër ose për organizatën e biznesit, shpërdoron pozitën e tij zyrtare, duke tejkaluar detyrat zyrtare, ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij.

Bazuar në aktakuzë, i akuzuari Maksimoviq, më 19 prill 2018, ka lëshuar pëlqimin në emër të Dushan Maksimoviq për ndërtim të objektit “Fermë e Derrave”, në fshatin Zebincë, në parcelën 934, në pronën që nuk ka qenë në emër të tij, por pronë e gjyshit të tij, Trajan Maksimoviq, në kundërshtim të ligjit për ndërtim Nr.04/L110, neni 4, paragrafi 3, pika 3.1 dhe neni 20, paragrafi 3, 3.1, me çka në mënyrë të kundërligjshme ia ka mundësuar Dushan Maksimoviqit përfitim në vlerë prej 66,360 euro.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se Selatin Beqiri, në cilësinë e shefit të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Kadastër dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Novobërdës, më qëllim të shkaktimit të dëmit për personin tjetër ose për organizatën e biznesit, shpërdoron pozitën e tij zyrtare, duke tejkaluar detyrat zyrtare, ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Beqiri, më 3 dhjetor 2018, ka lëshuar lejen ndërtimore më numër të vrojtimit 18-09-2018, në emër të Dushan Maksimoviq, për ndërtim të objektit, fermë e derrave, në fshatin Zebincë, në parcelën 934, pronë e bartur më 12 korrik 2018, në emër të babait të tij, Srboljub Maksimoviq, në kundërshtim me ligjin për ndërtim Nr.04/L110 neni 4 paragrafi 3 pika 3.1 dhe nenin 20 paragrafi 3, 3.1 në pronën që nuk ka qenë në emër të tij, me çka në mënyrë të kundërligjshme ia ka mundësuar Dushan Maksimoviqit, përfitim në vlerë prej 66,360 euro. /BetimipërDrjetësi