Prizren – Eqrem Muçaj, ish-avokat publik i Komunës së Prizrenit, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e një barazimi gjyqësor në vitin 2007, të martën në Gjykatën Themelore në Prizren, është dënuar me kusht prej një viti burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse në afatin e verifikimit prej dy vitesh, i njëjti nuk kryen vepër të re penale.
Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, ka njoftuar se në bazë të provave materiale në shkresat e lëndës dhe dëshmisë së dëshmitarëve në procedurën e provave, trupi gjykues ka marrë aktgjykim, me të cilin i akuzuari shpallet fajtor.
Prokuroria Themelore në Prizren, në vitin 2010, ka ngritur aktakuzë, ndaj tani ish-avokatit publik të Komunës së Prizrenit, Eqrem Muçaj, për shpërdorim të detyrës apo autorizimit zyrtar, për shkak se më 7 dhjetor 2007, në Gjykatën Komunale në Prizren, në lëndën e propozuar nga familja Vehapi për kthimin e pronës së eksproprijuar, i akuzuari duke vepruar si përfaqësuar i Komunës së Prizrenit si kundër propozues, i tejkalon autorizimet, duke e arritur barazimin gjyqësor dhe duke ua kthyer paluajtshmërinë në sipërfaqe prej 1.36.14 ha., që sipas organit të akuzës një ari ka vlerën e 15.000 eurove, me këtë rast i ka shkaktuar dëm material Komunës së Prizrenit dhe Agim Kalinuros, i cili e kishte pronën në shfrytëzim, me vendim të ligjshëm.