Ish-avokati komunal po kërkon 1 milion euro kompensim për shpifje nga Pal Lekaj dhe Komuna e Gjakovës

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – Ish-përfaqësuesi i Komunës së Gjakovës, ish-noteri dhe tani avokati, Shaqir Vula, përmes padisë për shpifje që ka ushtruar ndaj ish-kryetarit të Gjakovës, Pal Lekaj dhe Komunës së Gjakovës, është duke kërkuar kompensim dëmi në vlerë prej 1 milion euro.

Për këtë kërkesëpadi që është ushtruar në vitin 2009, Gjykata në Gjakovë në vitin 2016, kishte marrë aktgjykim me anë të së cilit e kishte refuzuar në tërësi si të pabazuar, mirëpo Gjykata e Apelit në shkurt të këtij viti e ka kthyer këtë rast në rigjykim dhe vendosje.

Në aktvendimin e Apelit që e ka kthyer në rigjykim këtë rast thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe se në këtë rast, gjykata fillimisht është dashur të lëshohet në lejueshmërinë e kërkesëpadisë para se të vendos në mënyrë meritore për këtë rast.

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, të mërkurën filloi rigjykimi, ku palët kanë dhënë deklarimet e tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paditësi Vula tha se qëndron prapa parashtrimeve që ka dhënë deri më tani.

Ndërsa, i autorizuari i Pal Lekajt, avokati Meshari Selimaj ka kërkuar nga gjykata që kërkesëpadinë e paditësit ta hudh poshtë si të palejuar në kuptim të nenit 17, paragrafi 1 të Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes dhe në bazë të nenit 391, paragrafi 1 pika f e LPK-së.

Sipas avokatit Selimaj paditësi fillimisht ka qenë i obliguar që para parashtrimit të padisë të kërkojë zbutjen e dëmit dhe se Lekaj në deklarimin e tij vetëm i ka treguar arsyet e ndërprerjes së punës së paditësit dhe se nuk ka plasuar akuza direkte me qëllim denigrimi apo dëmtim të imazhit.

Edhe përfaqësuesja e Komunës së Gjakovës, Vjollca Shyti deklaroi se duke u bazuar në aktvendimin e Apelit, konsideron se janë plotësuar kushtet që kjo kërkesëpadi të konsiderohet si e palejuar.

Më pas, gjykatësi Besnik Bislimaj tha se duke iu përmbajtur udhëzimit të Gjykatës së Apeli të cilët kanë kërkuar që të vërtetohet me saktësi data e deklarimit të Lekajt dhe meqenëse nga referati i padisë, paditësi nuk ka mundur ta sqarojë datën dhe ditën e deklarimit në emision, e ka obliguar paditësin që në afat prej 15 ditësh ta bëjë rregullimin e padisë.

Në padinë që është ushtruar në vitin 2009, thuhet se përmes emisionit “Jeta në Kosovë – Debatet Komunale” i transmetuar në RTK, kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, i ftuar si mysafir i emisionit ishte pyetur se “përse nuk i është vazhduar kontrata e punës Avokatit Publik të Komunës – Shaqir Vula?”.

“Shaqir Vula, si avokat i Komunës i ka humbur të gjitha rastet nëpër gjykata dhe se ai ka dështuar në punën e tij si Avokat Publik në mbrojtjen e interesave të komunës dhe se puna e tij është vlerësuar negativisht edhe në sesionet e mëparshme të Kuvendit, prandaj në vendin e tij të punës është shpallur konkurs”, thuhet të jetë përgjigjur Pal Lekaj.

Tutje, në padi thuhet se ky deklarim i Lekajt në mediumin kombëtar RTK, Vulës i ka shkaktuar dëm i madh material dhe moral dhe se deklarimi i Lekajt ishte i pasaktë dhe i paargumentuar.

Përmes kësaj padie, Vula kishte kërkuar nga Gjykata e atëhershme Komunale në Gjakovë, që të detyrohet Pal Lekaj që ta ndalë shpifjen, që shpifjet e tilla të mos përsëriten dhe të bëjë tërheqjen e këtij informacioni shpifës.

Vula përmes padisë kishte kërkuar nga Lekaj dhe Komuna e Gjakovës si përgjegjëse në kuptimin objektiv, që solidarisht t’i kompensojë paditësit dëmin material dhe moral të shkaktuar nga shpifja në shumë prej 1 milion euro si dhe shpenzimet procedurale. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë