Ish-asambleisti i Komunës së Drenasit ngatërron datën e seancës, dështon gjykimi për konflikt të interesit

20180724_093819
Author

Raporton: Medina KADRIU

Korrik 24, 2018

Prishtinë – Edhe një herë tjetër ka dështuar të vazhdojë gjykimi ndaj ish-asambleistit të Komunës së Drenasit, Ajet Demiri, i cili po akuzohet për veprën penale “konflikti i interesit”.

Shkak për mos mbajtjen e seancës, të caktuar për të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka qenë ka qenë mungesa e të akuzuarit Demiri.

Pas një pritjeje prej 15 minutash, i akuzuari është kontaktuar nga sekretarja juridike e kryetarit të trupit gjykues, Vehbi Kashtanjeva.

I akuzuari Demiri i kishte thënë se ka menduar që seanca ndaj tij do të zhvillohet më 27 korrik, për çka edhe nuk është paraqitur në gjykatë sot.

Tutje, ai kishte thënë se gjendet në Sllatinë për shkak të punës, por nëse është e nevojshme do të paraqitet.

Mirëpo kryetari i trupit gjykues, Vehbi Kashtanjeva deklaroi se në ora 11:00 ka një seancë tjetër të caktuar, prandaj dhe gjykimi ndaj Demirit do të vazhdojë më 13 shtator, në ora 13:00.

Gjyqtari Kashtanjeva, poashtu tha se i akuzuari do të shoqërohet përmes urdhëresës nga policia.

Ndryshe, edhe seanca e paraparë të mbahej për këtë rast më 7 qershor ishte shtyrë, por ajo për shkak të mungesës së prokurores Merrushe Llugiqi.

Sipas aktakuzës, Ajet Demiri, në cilësinë e këshilltarit në Kuvendin Komunal në Drenas, ka rënë ndesh me ligjin pasi që për interesa private të drejtpërdrejta, personale pasurore, ka shfrytëzuar funksionin publik për të përfituar për vete.

Kjo, pasi siç pretendon prokuroria, Demiri duke qenë si pronar i biznesit privat N.N.P “Pro-Ing”, gjatë vitit 2013-2015, në Komunën e Drenasit, firma e tij “Pro-Ing”, ka fituar disa tender dhe ka lidhur shtatë kontrata.

Sipas aktakuzës, ndër kontratat ishin, renovimi i kulmit në SHFMU “Rexhep Xheli” në Likoshan, renovimi i dyshemesë në SHFMU “Mehmet Gradica” në Gradicë, renovimi i objektit të Kryqit të Kuq-faza e dytë, etj.

Për këto kontrata, Demiri sipas aktakuzës, ka autorizuar që me firmën e tij, NNP “Pro-ing”, të administrojë dhe menaxhojë Florije Ismajli, me të cilën edhe bashkëjeton dhe e njëjta ka nënshkruar këto kontrata, kurse në njoftimin për dhënien e kontratës nga Autoriteti Kontraktues i Komunës së Drenasit, është shkruar emri i të pandehurit si person kontaktues për aktivitetet e prokurimit.

Më këtë, sipas prokurorisë, Demiri ka kryer veprën penale “konflikt i interesit” nga neni 424 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.