Ish-arsimtari kërkon pagat dhe shpërblimin jubilar pas pensionimit, Komuna e Kamenicës e kundërshton

Kamenicë
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Qershor 10, 2019

Kamenicë – Ish-arsimtari Mehmet Sylaj, po kërkon kompensim për pagat pas pensionimit si dhe shpërblimin jubilar, në shumë të përgjithshme prej 2,494.62 euro.

Paditësi Sylaj, me pretendimin se këto paga i takojnë, në dhjetor të vitit të kaluar, e ka paditur Komunën e Kamenicës, respektivisht Drejtorinë e Arsimit në këtë komunë.

Lidhur me padinë e tij, të hënën në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, janë thënë fjalët hyrëse si dhe ato përfundimtare të palëve ndërgjyqëse, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesi i autorizuar i paditësit, avokati Enver Ajvazi, në fjalën e tij hyrëse, deklaroi se mbesin pranë padisë dhe kërkesëpadisë, për shkak të mos pagesës së pagave pas pensionimit, për arsye se siç tha ai, paditësi ka qenë në marrëdhënie pune tek e paditura për 40 vite, duke u bazuar në provat e bashkëngjitura në këtë padi, të cilat ai i propozoi gjykatës që të administrohen si të bazuara dhe të aprovojë kërkesëpadinë e paditësit në tërësi.

“Po ashtu, si dëshmi gjykatës ia dorëzojmë për t’i bazuar pretendimet e paditësit, një kopje të aktgjykimit të ish-Gjykatës Komunale në Prishtinë të vitit 2010, që të njëjtën kohë e ka aprovuar kërkesën e ish-punëtorëve arsimorë si të bazuar, me një kontratë kolektive të nënshkruar në atë kohë”, tha avokati Ajvazi.

Ndërkaq, përfaqësuesi ligjor i të paditurës, Shefqet Rexha, deklaroi se e kundërshton në tërësi padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit, me arsyetimin se kërkesa e tij është e pabazuar në ligj, ndërkohë siç tha ai, paditësja nuk e kundërshton përvojën e punës së paditësit.

Gjithashtu, në këtë seancë, gjykatësi Blerim Beshtica ka marr aktvendim që pasi sipas tij janë plotësuar kushtet ligjore, të kalohet nga seanca përgatitore në atë për shqyrtim kryesor të çështjes.

Gjykatësi Beshtica, po ashtu ka marr aktvendim mbi administrimin e provave, ku u bë edhe leximi i shkresave, dhe atë vendimi për pensionim të punëtorit me numër 615 të 13 shtatorit 2012, vërtetimin me numër 491 të 5 dhjetorit 2018 të lëshuar nga shkolla fillore “Skënderbeu” në Hogosht të Kamenicës, përgjigja në kërkesë më numër 631 të 24 shtatorit 2012 lëshuar nga Komuna e Kamenicës – DKA, kërkesa e parashtruar nga paditësi për të paditurën e 17 shtatorit 2012.

Më pas, në seancën e së hënës janë dhënë edhe fjalët përfundimtare të palëve ndërgjyqëse.

I autorizuari i paditësit, avokati Ajvazi, në fjalën e tij përfundimtare tha se në tërësi mbetet pranë thënieve të mëhershme në këtë seancë, si dhe në padi dhe kërkesëpadi, duke u bazuar në përvojën e punës së kësaj periudhe për të cilën siç tha avokati Ajvazi, konsiderojnë se është e bazuar në ligj, dhe atë konform Kontratës Kolektive, pastaj edhe marrëveshjet tjera që kanë pasuar.

“Konsideroj se ka bazë të mjaftueshme që kërkesëpadia e paditësit të aprovohet si e bazuar, dhe atë në lartësi të tri pagave përcjellëse në shumë prej 1,663.12 eurove si dhe shpërblimin jubilar prej 150 % të pagës, në vlerë prej 831.50 euro, e në shumë të përgjithshme prej 2,494.62 euro, si dhe t’ia kompensojë shpenzimet procedurale, dhe atë hartimin e padisë prej 104 euro, dhe përfaqësimin në seancën gjyqësore në shume prej 135 euro, sipas tarifave të Odës së Avokatëve të Kosovës”, përfundoi fjalën e tij përfaqësuesi i paditësit, avokati Ajvazi.

Ndryshe, Shefqet Rexha si përfaqësues i Komunës së Kamenicës, në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se paditësja e kundërshton padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit për arsye se në kohën kur ka dal në pension paditësi në vitin 2012, nuk ka pasur në fuqi Kontratë Kolektive. “Që i bie se kërkesa e paditësit është e pa bazuar në ligj”, tha Rexha.

Gjykatësi Blerim Beshtica, njoftoi palët se vendimin e gjykatës në lidhje me rastin konkret, do t’ua dërgojë brenga afatit ligjor.

Ish-arsimtari Mehmet Sylaj, më 13 dhjetor 2018, ka paditur Komunën e Kamenicës, respektivisht Drejtorinë e Arsimit, se ai ka qenë në marrëdhënie të rregullt të punës tek e paditura, Komuna e Kamenicës – Drejtoria e Arsimit, dhe ka punuar në cilësinë e arsimtarit si dhe pozita të tjera të ndryshme deri në pension.

Me kërkesëpadi, paditësi kërkon nga Komuna e Kamenicës, respektivisht Drejtoria e Arsimit, t’i paguajë borxhin në emër të tri pagave në rastin e pensionimit, si dhe shpërblimin jubilar, me vlerë të përgjithshme prej 2,494.62 euro, si dhe të kompensojë shpenzimet proceduare, të gjitha në afatin prej 15 ditësh, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nën kërcënimin e përmbarimit të dhunshëm. /BetimipërDrejtësi