Ish-arkëtari i KESCO-së mohon të ketë përvetësuar rreth pesë mijë euro

57052337_331155977541294_522372060186411008_n
Author

Raporton: Fitore SADIKU

Prill 15, 2019

Ferizaj – Ish-arkëtari i kompanisë “KESCO”, Bujar Behluli, është deklaruar i pafajshëm për përvetësim në detyrë, në seancën fillestare të mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Ai po akuzohet se mes datave 17 dhjetor 2018 deri më 24 dhjetor 2018, në kompaninë KESCO-Distrikti në Ferizaj, derisa ishte duke e ushtruar detyrën e arkëtarit kishte përvetësuar para shumën prej 4.994,94 euro, nga inkasimet, përkatësisht pagesat ditore të energjisë elektrike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit të rastit, Veton Shabani, i akuzuari Behluli është deklaruar i pafajshëm për veprën penale e cila i vihet në barrë.

Gjykatësi i rastit, Musa Konxheli i ka udhëzuar të akuzuarin Behluli, së bashku me avokatin e tij me autorizim Kushtrim Obrazhda, se parashtrimin e provave për hudhjen e aktakuzës mund ta bëjnë brenda afatit ligjor prej një muaji.

Aktualisht i akuzuari Behluli, ndodhet në paraburgim që nga 14 marsi 2019,  e cila masë fillimisht i ishte caktuar në afatin prej një muaji deri më 12 prill 2019, por kjo masë i është vazhduar edhe për një muaj tjetër.

Sipas aktakuzës të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të ngritur më 4 prill 2019, Bujar Behluli akuzohet se mes datave 17 dhjetor 2018 deri më 24 dhjetor 2018 në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, përkatësisht në kompaninë KESCO-Distrikti në Ferizaj, i pandehuri në cilësinë e personit përgjegjës-arkëtarit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, gjersa ishte duke e ushtruar  detyrën si arkëtar kishte përvetësuar pasurinë e kompanisë KESCO.

Ai akuzohet se ka përvetësuar pasurinë e kompanisë KESCO  të realizuar nga inkasimet-pagesat ditore të energjisë dhe atë shumën prej 4.994,94 euro, e cila pasuri i ishte besuar për shkak të detyrës, me ç’rast i kishte shkaktuar dëm KESCO-së në vlerën prej 4.994,94 euro.

Me çka, akuzohet se ka kryer veprën penale “përvetësimi në detyrë”, nga neni 425 paragrafi 1 i KRPK-së. /Betimipërdrejtësi