Ish-anëtari kërkon mbi 11 mijë euro kompensim pasi pretendon se arbitrarisht i ishte ndërprerë mandati, KPK-ja kundërshton

viber_image_2019-10-02_09-56-02
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Nëntor 12, 2019

 


Prishtinë – Ish-anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) nga radhët e shoqërisë civile, Florent Muçaj, po kërkon kompensim prej mbi 11 mijë euro, për pagesat e parealizuara për 45 muaj, si rezultat i ndërprerjes së mandatit të tij.

Sipas padisë, thuhet se në vitin 2014, në mënyrë unanime me votat e anëtarëve të KPK-së ishte zgjedhur anëtar, ndërsa një vit më vonë, përkatësisht në vitin 2015, ky institucion atij ia kishte ndërprerë mandatin.

E vendimin për ndërprerjen e këtij mandati, paditësi Muçaj, e ka cilësuar si arbitrar, me ç’rast ka ushtruar padi ndaj KPK-së, duke kërkuar anulimin e vendimit, si dhe kompensimin e pagave për periudhën sa i është ndërprerë mandati.

Në seancën e së martës që është mbajtur për këtë rast, ai i ka propozuar gjykatës, që të nxirret ekspertiza financiare për përcaktimin e saktë të shumës, të cilën ai po e kërkon nga KPK-ja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky propozim, është aprovuar nga ana e gjykatëses Vjollca Limani,  e cila e ka obliguar paditësin që brenda tetë ditësh të dorëzojë në gjykatë parashtresën me detyrat e ekspertit, në mënyrë që të caktohet eksperti për kryerjen e ekspertizës.

Paraprakisht, ai deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë së tij, duke precizuar padinë ashtu që përpos anulimit të vendimit, kërkoi edhe kompensimin e pagave të parealizuara.

“Personalisht qëndroj pranë kërkesëpadisë, gjithashtu kërkoj që kërkesëpadia të plotësohet në kuptimin që të bëhet kompensimi i dëmit të shkaktuar me ekzekutimin e aktit administrativ të kontestuar. Bëhet fjalë për pagat e mos realizuara për 45 muaj sa më është pamundësuar kryerja e funksioneve si anëtar i KPK-së, pra 11.835 euro apo nga 263 euro për muaj”, deklaroi paditësi Muçaj.

Ndryshe, në seancë prezantoi edhe avokati Labinot Vata, i cili ishte i autorizuar i paditësit, por që në mungesë të autorizimit, i cili ai tha që e kishte deponuar në gjykatë, por për këtë gjykatësja tha se në shkresat e lëndës nuk gjendej autorizimi.

Në këto rrethana, Muçaj deklaroi se është i gatshëm ta përfaqësojë veten dhe seanca vazhdoi me propozimin për nxjerrjen e ekspertizës financiare.

Në seancë, prezantoi edhe përfaqësuesi i KPK-së, Genc Hoxha, i cili deklaroi se e kundërshton në tërësi padinë e paditësit dhe se mbetet në tërësi si në përgjigjen në padi.

Ai tha se vendimi i nxjerr nga Këshilli Prokurorial i Kosovës është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës për përzgjedhjen e anëtareve të këtij institucioni.

“Andaj kërkoj që padinë e paditësit ta hedh si të pabazuar”, propozoi përfaqësuesi i KPK-së, Genc Hoxha.

Kjo seancë është ndërpre për tu caktuar pas nxjerrjes së ekspertizës, për çka sipas gjykatës palët do të ftohen përmes ftesave të rregullta.

Ndryshe, sipas padisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, më 9 shtator 2014, në mënyrë unanime kishte vendosur në përzgjedhjen e anëtarit përfaqësues nga shoqëria civile, Florent Muçaj.

Në padi thuhet se një vit më vonë, më 5 nëntor, kishte nxjerr një vendim më të cilin kishte shpall konkurs për pozitën e një anëtari të KPK-së nga radhët e shoqërisë civile.

I pakënaqur me vendimin, Muçaj më 23 nëntor 2014, kishte ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, duke kërkuar anulimin e këtij vendimi dhe vërtetimin e mandatit të tij pesë vjeçar, në pozitën në të cilën, sipas padisë, ishte përzgjedhur nga vet Këshilli, në procedura ligjore dhe transparente.

Ai përmes padisë, pretendon se në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, atij i ishte ndërprerë mandati i anëtarit të KPK-së, nga radhët e shoqërisë civile. /BetimipërDrejtësi