Ish-agjentja e sigurimeve shpallet fajtore për korrupsion, obligohet që ish-kompanisë t’ia kompensoi dëmin

Nora Kelmendi- Rasti Sanja Radojeviq- Raporti per Web- 10 tetor 2018
Author

Raporton: Nora KELMENDI

Tetor 10, 2018

Mitrovicë – Ish-agjentja e sigurimeve në ish-kompaninë e sigurimeve “Dukagjini”, Sanja Radojeviq, këtë të mërkurë, nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, është shpallur fajtore për përvetësim në detyrë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Beqir Halili, ajo është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej dy vjetësh dhe dënim me gjobë në shumë prej 500 euro, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën prej tre vjetësh, nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në kuadër të këtij aktgjykimi, ajo u obligua që në emër të kompensimit të dëmit të dëmtuarës, ish-kompanisë së sigurimeve “Dukagjini” tani “Iliria”, të paguajë shumën prej 5.263.55 euro.

Gjykatësi Beqiri, e njoftoi të akuzuarën dhe mbrojtësen e saj, avokaten Fatmire Braha, të cilat ishin prezentë, se kundër aktgjykimit kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor.

Paraprakisht, këtë të mërkurë, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor, ku Prokuroria Themelore e Mitrovicës, së bashku me përfaqësuesin e të dëmtuarës në këtë rast, tani kompaninë e sigurimeve “Iliria”, Fatos Zajmi, kanë kërkuar aktgjykim fajësues për të akuzuarën Sanja Radojeviq.

Sipas prokurorit Njazi Rexha, gjatë këtij shqyrtimit gjyqësor, në tërësi është vërtetuar se e akuzuara në fjalë, ka kryer veprën penale me të cilën akuzohet.

Prokurori Njazi Rexha, fillimisht ka bërë ricilësim të veprës penale në këtë rast, ashtu që në vend të kualifikimit juridik të veprës penale “përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës” nga neni 340 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës,  të akuzuarën Radojeviq e ka ngarkuar me veprën penale “përvetësimi në detyrë” nga neni 425  paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, pasi që siç tha ai, kjo është në favor të të akuzuarës Radojeviq.

Ndërkaq, që aktgjykim lirues për të akuzuarën Radojeviq, në seancën e së mërkurës, ka kërkuar, mbrojtja e saj, avokatja Fatmire Braha.

Përveç kësaj, në këtë seancë ka paraqitur mbrojtjen e saj vetë e akuzuara Sanja Radojeviq, e cila gjatë marrjes në pyetje, ka mohuar kryerjen e veprimeve të cekura në aktakuzë.

Ajo ka mohuar të ketë pasur për detyrë, shitjen e policave të sigurimeve, gjatë kohës që ka punuar në atëkohë kompaninë e sigurimeve “Dukagjini”, duke cekur se në atë kompani ka punuar vetëm një muaj.

Për më tepër, ajo është shprehur se nuk ka qenë në dijeni për detyrat e përgjegjësitë e saj gjatë ekzekutimit të detyrës si agjente e sigurimeve, duke thënë se nuk i kujtohet se çfarë ka përmbajtur kontrata e punës të cilën e ka nënshkruar.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Sanja Radojeviq, akuzohej që gjatë periudhës kohore 27 janar 2005 deri më 31 dhjetor 2006, duke ushtruar detyrën zyrtare-agjente pranë zyrës së sigurimeve ne ish-kompaninë e sigurimeve “Dukagjini”, ka përvetësuar detyrën zyrtare duke i sjellë vetës dobi pasurore përmes shitjes së policave nga autopërgjegjësia e sigurimeve në emër të llogarisë së kompanisë.

Mjetet e fituara nga shitja e policave, ajo akuzohej se i ka derdhur në mënyrë simbolike në llogarinë e kompanisë, ndërsa pjesën më të madhe i ka derdhur në llogarinë e vetë bankare, në këtë mënyrë, ajo kompanisë i kishte shkaktuar dëm në vlerë prej 5.263.65 euro.