Ish-agjenti tregtar e mohon sërish se përvetësoi paratë e kompanisë ku punonte, ndërsa të akuzuari tjetër i refuzohet pranimi i fajësisë

Raporton: Agnesa HASANI

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, të premten, sërish e ka refuzuar pranimin e fajësisë nga ish – agjenti tregtar për përvetësim në detyrë, Agron Gumnishta. Ndërsa, i akuzuari tjetër në këtë rast, Besart Ramosaj është deklaruar i pafajshëm për të njëjtën vepër penale.

Ish-agjenti tregtar në Kompaninë “Union”, Agron Gumnishta akuzohet se në bashkëkryerje me Besart Ramosajn, kanë përvetësuar paratë e kompanisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pikërisht se vepra është kryer në bashkëkryerja nga dy të akuzuarit, ka qenë arsye që gjykatës i rastit Veljko Viqetiq, nuk ka aprovuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari Gumnishta.

Tutje, të pandehurit kërkuan nga gjykata që aktakuza konsiderohet si e lexuar pasi që e njëjta është lexuar në seancat e mëparshme, dhe deklaruan se e kanë kuptuar të njëjtën.

Pas njoftimit nga gjykatësi lidhur me pasojat dhe favoret e pranimit të fajësisë, i akuzuari Agron Gumnishta u deklarua se e ka kuptuar veprën e cila i vihet në barrë sipas aktakuzës dhe shtoi se e pranon fajësinë për të njëjtën.

Por, që këtë pranim të fajësisë nga i akuzuari Agron Gumnishta e kundërshtoi prokurori Naim Beka, i cili i propozoi gjykatës që të mos e pranoj pranimin e fajësisë nga i akuzuari Gumnishta, meqenëse vepra penale është kryer në bashkëkryerje.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Veljko Vuqetiq me anë të aktvendimit e ka refuzuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari Agron Gumnishta, me arsyetimin se deklarimi mbi pranimin e fajësisë nuk mbështetet në faktet dhe provat të cilat janë propozuar në aktakuzë.

Ndërsa, i akuzuari tjetër, Besart Ramsosaj deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprën penale e cila i vihet në barrë sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

“Jo, nuk e pranoj” deklaroi i akuzuari Besart Ramosaj.

Në këto rrethana, seanca vazhdoi me dhënien e fjalës hyrëse nga palët në këtë procedurë.

“Teza e akuzës se të pandehurit e kanë kryer veprën penale sipas aktakuzës do të provohet nga procedimi i të dëmtuarit – dëshmitarit Xhabir Kajtazi, si dhe nga administrimi i provave tjera të propozuara në aktakuzë” deklaroi prokurori Naim Beka në fjalën e tij hyrëse.

Ndërsa, i akuzuari Agron Gumnishta në fjalën e tij hyrëse deklaroi se nuk ka ndonjë propozim për gjykatën.

Fjalën hyrëse e dha edhe mbrojtësi i të pandehurit Besart Ramosaj, avokati Ahmet Tahiri, i cili deklaroi se gjatë procedimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve do të vërtetohet se i mbrojturi i tij nuk e ka kryer veprën penale për të cilën po akuzohet.

Në shqyrtimin e sotëm gjyqësor mungoi dëshmitari i vetëm i cili është edhe i dëmtuar në këtë rast, e në këto rrethana kryetari i trupit gjykues mori aktvendim me të cilin seanca e shqyrtimit gjyqësor të sotëm shtyhet dhe seanca e radhës caktohet për datë 03 shkurt 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 7 nëntor 2017, Agron Gumnishta dhe Besart Ramosaj, akuzohen se si persona zyrtarë, agjentë tregtar në kompaninë “Unioni” SHPK në Vushtrri, me pronar tani të dëmtuarin Xhabir Kajtazi, së bashku kanë përvetësuar paratë që u janë besuar në bazë të detyrës së tyre dhe pozitës brenda kompanisë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurorë për vete në shumë prej 1.141.28 euro.

Bazuar në aktakuzë, më 25 dhjetor 2012 dhe 29 janar 2013, nga Imer Salihu pronar i kompanisë “Super Graniti”, Kolevicë në Prishtinë, kanë pranuar shumën prej 203.12 dhe 104.65 euro borxh gjithsej 307.77 euro.

Po ashtu, më 29 janar 2013, nga Xhemajl Jashanica pronar i NTP “ Dielli” në Bardh i Madh, Komuna e Obiliqit kanë pranuar shumën prej 258 euro borxh.

Më tej, në aktakuzë thuhet se më 16 mars 2013, nga Xhemaj Sallahu pronar i kompanisë “ Rema 2” në Ferizaj kanë pranuar shumën prej 158.44 euro borxh, po ashtu dy ditë më vonë më 18 mars 2013, nga pronari i kompanisë “ Sofra” në Zhabar Komuna e Mitrovicës, kanë pranuar shumën prej 143.44 euro borxh.

Gjithmonë sipas aktakuzës, një veprim i njëjtë ka ndodhur edhe më 19 mars 2013, ku nga  Zijadin Ramadani pronari i kompanisë“ Dreni” Prishtinë kanë pranuar shumën prej 152.53 euro borxh.

Edhe më 21 mars 2013, në aktakuzë thuhet se nga pronari i kompanisë “Vatan” në Istog kanë pranuar shumën prej 45 euro borxh.

Si dhe më 16 prill 2013, nga pronari i kompanisë “Genci” në Mitrovicë kanë pranuar shumën prej 175.21 euro borxh. Gjithsej shumën prej 1.141.28 euro dhe të gjitha paratë është dashtë t’i dorëzojnë në arkën e të dëmtuarës, mirëpo një gjë të tillë nuk e kanë bërë dhe paratë i kanë përvetësuar për vete.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë” nga neni 425 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë