“Is Company” kërkon anulimin e vendimit të MMPH-së për largimin e kampingut veror në Prevallë

Gjykata40
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Shtator 11, 2019

Prishtinë – Ka përfunduar gjykimi në rastin ku kompania “Is Comany”, po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), me të cilin kjo kompani ishte urdhëruar largimin e objekteve të kampingut veror në Prevallë.

Një kërkesë të tillë, pala paditëse e ka bërë me pretendimin se vendimi i atakuar është përfshirë  në shkelje të dispozitave ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e mbajtur të mërkurën lidhur me këtë rast, përfaqësuesi i paditësit, avokati Vehap Hashani, deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë, duke kërkuar nga gjykata anulimin e vendimit të MMPH-së.

Ndërsa, në seancë nuk prezantoi pala e paditur, ndonëse gjykata kishte prova se e njëjta ishte ftuar në mënyrë të rregullt.

Pas administrimit të provave, gjykimi ka vazhduar me fjalën përfundimtare, ku përfaqësuesi i paditësit, avokati Hashani kërkoi nga gjykata që vendimi i atakuar të anulohet, dhe kërkesëpadia e paditësit të aprovohet në tërësi si e bazuar.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 4 tetor 2016, kompania “Is Company”, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), me pretendimin se i njëjti ishte përfshirë në shkelje të dispozitave ligjore.

E në vendimin e MMPH-së, të nxjerr më 7 shtator 2016, thuhet se urdhërohet kompania “Is Company”, që në afat prej 15 ditësh të largojë objektet ilegale të vendosura në zonën e kampingut veror në Prevallë.

Këtë vendim, përmes padisë, e ka kundërshtuar pala paditëse, me pretendimin se është përfshirë në shkelje të dispozitave të Ligjit të Procedurës Administrative. /BetimipërDrejtësi