IPK thotë se Drejtori i Policisë është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, për rastin e një polici i dyshuar për korrupsion

Raporton: Nuraje BLLACA

Prishtinë – Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se intervistimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Samedin Mehmeti, nuk ka ndërlidhje me rastin e konfiskimit të substancës së dyshuar narkotike, por ai është ftuar në cilësinë e dëshmitarit në rastin e një zyrtari policor, i dyshuar për dy vepra të korrupsionit.

Kjo është bërë e ditur nga një sqarim për medie nga IPK-ja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në njoftim thuhet se drejtori Mehmeti është intervistuar nga hetuesit e IPK-së në cilësinë e dëshmitarit, lidhur me rastin ku një prej vartësve të tij është i dyshuar për veprën penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.

Ndryshe, IPK më 20 shtator 2021, i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një zyrtari policor, i cili dyshohet për dy vepra të korrupsionit. 

Tutje IPK njofton se intervistimi i Mehmetit nuk ka ndërlidhje me rastin e konfiskimit të substancës së dyshuar narkotike, të cilin rast është duke e hetuar vet Policia e Kosovës.

“Inspektorati Policor i Kosovës  duke i falënderuar për bashkëpunimin e vazhdueshëm, inkurajon mediet që para publikimit të informacioneve t’i drejtohen Divizionit për bashkëpunim dhe informim të IPK-së për sqarimin e informacioneve dhe marrjen e informatave të sakta, në mënyrë që të ketë informim të drejtë të opinionit publik”, thuhet në fund të njoftimit./Betimi për Drejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. PranoLexo më shumë