Intervistohen edhe dy kandidatë për pozitën e drejtorit të AKK-së

Raporton: Ramiz DURMISHI

Prishtinë – Në Kuvendin e Republikës së Kosovës të hënën ka vazhduar procesi i përzgjedhjes së drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK), ku janë intervistuar edhe dy kandidatë.

Anëtarët e komisionit intervistues për përzgjedhjen e drejtorit të AKK-së ishin deputetët Adnan Rrustemi, Driton Selmanaj, Hajdar Beqaj, Dimal Basha, Hydajet Hyseni dhe Artan Abrashi, si dhe ekspertet nga ambasada britanike Anne Montgomery dhe Jan De Jonge.

Deri më tani janë intervistuar 13 kandidatë, që të gjithë të gjinisë mashkullore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fund të procesit të intervistimit, anëtarët e komisionit kanë bërë poentimin e kandidatëve.

Gjithashtu, edhe poentimi final dhe llogaritja e totalit të pikëve, për secilin kandidatë në fund të intervistimit është bërë në mënyrë të hapur dhe transparente për monitoruesit nga shoqëria civile.

Mënyra e intervistimit ka vazhduar të jetë e njëjët, ku paraprakisht anëtarët e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ishin dakorduar lidhur me pyetjet qe do tu parashtroheshin kandidatëve.

Fillimisht, Kuvendi i Republikës së Kosovës kishte hapur konkursin për pozitën e drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsion më 20 maj, mirëpo për shkak se nuk kishte aplikuar asnjë kandidate grua, komisioni për legjislacion kishte vendosur që i njëjti të përsëritet.

Ligji për Agjencinë Kundër Korrupsionit ka përcaktuar se gjashtë muaj para skadimit të mandatit të drejtorit të kësaj agjencie, komisioni informon Kuvendin e Kosovës në mënyrë që të fillohen procedurat për zgjedhjen e drejtorit të ri.

Sipas paragrafit 4, të nenit 8 të këtij ligji, përcaktohet se procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve më të mirë menaxhohen nga komisioni, ndërsa dy prej të cilëve janë vlerësuar si më të suksesshëm i propozohen kuvendit për votim.

Kurse, në paragrafin 5 të dispozitës së lartcekur theksohet se Kuvendi i Kosovës zgjedh njërin nga kandidatët e propozuar, me votim të thjeshtë dhe me shumicë të thjeshtë të votave. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë