Intervistat me kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit

Author

“Betimi për Drejtësi”

Maj 13, 2014

Në rubrikën “Intervista” janë përmbledhur intervistat me kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit. Në këtë fazë garën për Kryeprokuror të Shtetit janë duke e vazhduar tetë kandidatë. Emisioni “Betimi për Drejtësi” ka intervistuar të gjithë kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit, me përjashtim të kandidatit Jusuf Mejzini, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, i cili nuk ka pranuar të intervistohet me arsyetimin se gara është në proces. Kandidatët e intervistuar janë: Sylë Hoxha, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Agron Galani, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Pejës, Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Apelit në Prishtinë, Shyqri Syla, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Jetish Maloku, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Ali Rexha, prokuror në Prokurorinë Speciale si dhe Laura Pula, prokurore në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kandidatët kanë pasur në dispozicion të gjitha pyetjet, të cilat u janë dorëzuar një ditë më herët në mënyrë që të përgatiten për tu përgjigjur. Ndiqeni se si janë përgjigjur kandidatët në këto pyetje të parashtruara nga ekipi i emisionit “Betimi për Drejtësi”: Pse jeni bërë prokuror? Pse nuk jeni bërë gjykatës? Cili ka qenë vendimi ma i vështirë apo më i rëndësishëm në jetë? Cili është problemi më i madh në sistemin prokurorial? Cilat janë tri mangësitë kryesore në sistemin prokurorial? Cili është problemi më i madh në sistemin e drejtësisë? A ka naj rast që Ju e keni referuar te EULEX-i? A pajtoheni me Gjykatën Speciale? A jeni të gatshëm që t’i ndiqni krimet e luftës? Si do ta luftoni krimin e organizuar dhe korrupsionin? Si do ta përmbushni vizionin e Prokurorit të Shtetit, cilat janë tri objektivat kryesore? Cili do të jetë suksesi konkret që Ju e garantoni pas dy vitesh si Kryeprokuror i Shtetit? A do të jetë i nevojshëm EULEX-i në Kosovë pas vitit 2016? Si do të sigurohet llogaridhënia në sistemin prokurorial? Nëse zgjidheni Kryeprokuror i Shtetit, cili do të jetë pozicioni Juaj, a do të lejoni që prokurorët të angazhohen jashtë orarit të punës?