Instituti i Kosovës për Drejtësi promovon Qendrën për Ndihmë Juridike Falas

QNJ IKD
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Maj 8, 2019

Prishtinë, 8 maj 2019 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të mërkurën, ka promovuar Qendrën për Ndihmë Juridike Falas në kuadër të programit “Qasja në Drejtësi”, projekt ky i mbështetur nga fondet programatike të Misionit të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Kosovë.

Në një ceremoni të rastit, ku morën pjesë personalitete të ndryshme vendase dhe ndërkombëtare, hulumtuesi i lartë nga IKD, Betim Musliu tha se formimi i kësaj qendre konsiston me 10 vjetorin e themelimit të IKD-së dhe në përmbushjen e misionit që kjo organizatë ka në forcimin e sundimit të ligjit, si dhe ngritjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Musliu tha se IKD-ja e sheh si komponentë të patjetërsueshme respektimin në praktikë të të drejtave dhe lirive të shtetasve kosovarë dhe të huaj në procese gjyqësore, duke përfshirë këtu edhe ofrimin e ndihmës juridike falas për ata qytetarë që për shkak të gjendjes ekonomike, apo arsye tjera, nuk mund t’i ofrojnë vetes përfaqësim profesional para organeve gjyqësore apo administrative.

Nismë të qëlluar dhe të rëndësisë të veçantë, e ka quajtur formimin e Qendrës për Ndihmë Juridike Falas, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci.

Në një fjalë rasti para të pranishme, kryetari Peci, tha se duke vlerësuar gjendjen socio-ekonomike të qytetarëve dhe nevojën për shërbime juridike, kjo qendër do të jetë ndihmesë e madhe për palët që në mënyrë sa më efektive t’i realizojnë të drejtat e tyre në procedurë. Peci tha se kjo Qendër do ta ketë përkrahjen e vazhdueshme të sistemit gjyqësor me qëllimin e vetëm që qytetarët të përfitojnë sa më shumë shërbime në të mirën e drejtësisë.

Drejtori i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Ramadan Gashi, vlerësoi themelimin e kësaj qendre, duke theksuar se institucioni që ai drejton do të jetë i hapur për bashkëpunim të bazuar në ligj, sidomos në fushat ku siç tha, agjencia nuk ka mundësi të ofrojë shërbime të caktuara.

Në ceremoninë e inaugurimit të QNJ-së, ka marr pjesë edhe i dërguari special i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zahir Tanin, i cili tha se shpreh mirënjohjen e tij për këtë partneritet me IKD-në, që sipas tij është një organizatë joqeveritare dhe lidere në fushën e drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut.

Tanin tha se Qendra për Ndihmë Juridike do të jetë e ofruar për disa grupe të njerëzve në përputhje me legjislacionin në Kosovë.

“Dua të përmend po ashtu punën e shkëlqyeshme që Instituti i Kosovës për Drejtësi ka bërë në uljen e lëndëve të vjetra në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Kjo qendër do të siguroj që ndihma juridike është e ofruar për disa grupe të njerëzve dhe në përputhje me legjislacionin e Kosovës”, tha Tanin.

Sipas tij, kjo qendër do të funksionojë në pesë pika, ku secila veç e veç, paraqet një kategori të njerëzve, duke filluar nga personat që i përkasin komuniteteve jo shumicë, e deri te ndihma juridike e ofruar për të burgosurit.

Tanin në fund tha se dëshiron të shpreh përkushtimin e tij në mbështetjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë, duke i uruar Qendrës për Ndihmë Juridike suksese në ofrimin e ndihmës për ata që kanë nevojë.

Një prezantim të punës dhe misionit të QNJ-së, e dha koordinatori i kësaj qendre, Yll Zekaj, i cili tha se kjo qendër po themelohet në kuadër të programit për qasje në drejtësi, e ku fokus i veçantë i saj, do të jenë grupet e ndjeshme në Kosovë, që për shkak të gjendjes së tyre financiare nuk mund të realizojnë të drejtat e tyre të ofruar me ligj.

Qendra për Ndihmë Juridike (QNJ) e IKD-së është projekt i mbështetur nga fondet programatike të Misionit të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Kosovë, në kuadër të programit “Qasja në Drejtësi”. QNJ, veprimtarinë dhe funksionin e saj e ka filluar në mars të vitit 2019.

QNJ në kuadër të aktiviteteve të saj ofron ndihmë juridike në fushat e përcaktuara në programin “Qasja në Drejtësi”.

Qëllimi i QNJ-së është ofrimi i mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të huajt në Kosovë për qasje në drejtësi, si dhe të respektohen të drejtat dhe liritë e njeriut në pajtim me standardet dhe parimet e përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare të aplikueshme në Kosovë.

QNJ vëmendje të veçantë i kushton ofrimit të ndihmës juridike falas për grupet e ndjeshme në Kosovë në çështjet penale, civile dhe administrative.

QNJ e IKD-së ofron ndihmë juridike falas në gjashtë fusha specifike, përkrahjen juridike të grave në realizimin e të drejtave pronësore, të drejtën e punës për çështjet që kanë të bëjnë me kontratat dhe çështjet e pensioneve të ndalura nga autoritetet serbe, mbështetjen juridike në mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave, personave të zhvendosur brenda vendit, refugjatëve dhe azilkërkuesve, çështjet e dhunës në familje me bazë gjinore dhe kompensimin për të mbijetuarat e dhunës seksuale në kohën e luftës, ndihmë juridike për mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve si dhe ofrimin e ndihmës juridike për sinjalizuesit e rasteve të korrupsionit.

Qendra synon që përmes veprimtarisë së saj të arrijë objektivat siç janë, ofrimi i qasjes në drejtësi për të gjithë, pa asnjë diskriminim në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal, promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në procese gjyqësore me theks të veçantë në çështjet penale, civile dhe administrative, promovimin e zbatimit të praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në sistemin e drejtësisë në Kosovë si dhe realizimin e të drejtave kushtetuese dhe ligjore të shtetasve të Kosovës dhe të huaj, në pajtim me ligjin e aplikueshëm në Kosovë. /Betimipërdrejtësi