Inspektori i ndërtimit thotë se ndërtimet pa leje kishin mbetur pa u rrënuar edhe pas arrestimit të drejtorit të Inspeksionit

119581801_2387405784902528_1337729581373855688_n
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Shtator 15, 2020

Pejë – Inspektori i ndërtimit në Komunën e Pejës, Bajram Muzliu ka thënë se objektet pa leje dhe me tejkalim të lejeve të ndërtimit në Pejë, kishin mbetur pa u rrënuar edhe pas arrestimit të ish drejtorit të Inspeksionit, Demë Dashi.

Deklaratën e tillë, dëshmitari Muzliu e dha në seancën e së martës e cila po zhvillohet në Gjykatën Themelore në Pejë, ku për keqpërdorim të detyrës zyrtare po akuzohet ish-drejtori Dashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dashi akuzohet se gjatë periudhës 2014-2016, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Muzliu shtoi se vendimet për rrënime ende mund të ekzekutohen, pasi sipas tij, vendimi për rrënimin e objektit pa leje të lëshuar nga inspektori, ka fuqi ekzekutive deri në 10 vjet.

Në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri se cili ligj e parasheh se vendimin për rrënim duhet ta bëjë drejtori i Inspeksionit, dëshmitari Muzliu tha se në mungesë të ekzekutuesit, i takonte drejtorit ta bëjë organizimin e rrënimit.

Ndër të tjera, Muzliu shtoi se inspektori ndërmerr veprimet adekuate për të lëshuar vendimin për rrënimin e objekteve pa leje, për të cilin vendim, sipas dëshmitarit duhet të njoftohet shefi i Inspeksionit, ndërsa në mungesë të shefit, dëshmitari tha se duhet të njoftohet Drejtori.

Mirëpo sipas tij edhe inspektori është i obliguar të del në ekzekutim pas caktimit të datës nga drejtoria.

Inspektori theksoi se edhe tani e tutje nuk kishin shef të inspeksionit, mirëpo në mungesë të tij, tani i raportojnë Drejtorit të Inspeksionit, Leotrim Murtezaj.

Në këtë seancë është dëgjuar edhe inspektori tjetër i ndërtimit Pashk Berisha, i cili deklaroi se kishte pasur në shqyrtim për inspektim ndërtimet e ndërtuesve Metë Ademej, Abedin Kurtulaj dhe Valdet Berisha.

Ai shtoi se ndërtimet e tyre kishin tejkaluar lejet e ndërtimit, ndërsa ndaj tyre kishte ushtruar kallëzime penale dhe njëkohësisht gjykata kundërvajtëse kishte shqiptuar gjoba, mirëpo rrënimi i këtyre objekteve nuk ishte bërë.

Berisha tha se vendimin për rrënimin e objekteve e kanë dorëzuar tek shefi i Inspeksionit Sylejman Syla, i cili në atë kohë, ishte i sëmurë  dhe raportimet më pas i kishin drejtuar tek drejtori Dashi.

“Prej kohës sa kemi mbetur pa shef, ne kemi raportuar te Drejtori i Inspeksionit. Unë i di vetëm përgjegjësitë e mia si inspektor, të cilat janë të përcaktuara me Ligjin mbi ndërtim dhe Ligjin mbi Inspeksionin”, tha dëshmitari Berisha.

Ndërsa në pyetjen e të pandehurit, Demë Dashi, dëshmitari Berisha theksoi zgjedhja e kryeinspektorit bëhet me konkurs, ndërsa pozita e drejtorit bëhet me emërim.

Dëshmitari tjetër që u dëgjua në këtë seancë ishte Mentor Beqiri, i cili tha se në gusht të vitit 2015, në Komunën e Pejës kishte filluar punën si inspektor i ndërtimit.

Beqiri tha se si inspektor në rastin e ndërtuesit Artan Gjocaj dhe Arben Çekaj kishte ndërmarrë vendimin për rrënim, pasi sipas tij ndërtuesit kishin bërë tejkalim të lejes së ndërtimit.

Vendimi për rrënim i inspektorit Beqiri, kishte mbetur i pa ekzekutuar mirëpo sipas tij nuk e dinte arsyen përse objektet nuk janë rrënuar për faktin se nuk ishte person kompetent për t’i dhënë llogari dikush se përse nuk janë rrënuar.

Ndërsa për rastin e Hasan Idrizajt, inspektori tha se objekti i tij ishte rrënuar tri herë, mirëpo përkundër kësaj ndërtuesi përsëri kishte filluar të ndërtojë duke e përfunduar ndërtimin.

Sipas tij, kompetenca për rrënimin e objekteve pa leje i takonte drejtorit.

“Mendimi im është se kompetenca për rrënimin e objekteve pa leje i takon drejtorit dhe për rrënime ju kemi drejtu drejtorit”, tha Beqiri.

Të gjitha këto objekte pa leje të cilat Beqiri i kishte lëshuar vendime për rrënim, sipas tij, nuk ishin ekzekutuar edhe pas arrestimit të pandehurit Dashi.

Në pyetjen e të pandehurit Dashi se a i dinte përmbajtjen e formularit të përshkrimit të detyrave të punës për inspektorët e ndërtimit, dëshmitari tha se nuk kishte njohuri.

Më tej, në seancën e së martës u dëgjua edhe inxhinieri i gjeodezisë në Komunën e Pejës, Hysen Makaj.

Ai tha se kishte për kompetencë të përcaktojë vijat ndërtimore të objekteve shumë-banesore para se të jepet leja e ndërtimit. Po ashtu, theksoi se puna e tij  ishte e ndarë nga inspektorët e ndërtimit dhe se ishte i befasuar se përse ishte ftuar në seancën e sotme për të dhënë dëshmi pasi sipas tij ai punonte në Drejtoratin e Urbanizimit dhe se me të pandehurin nuk kishte pasur punë, përveç që ishin në parti së bashku.

Më tej, dëshmitari u pyet nga prokurori Ali Uka nëse kishte punuar në disa raste të ndërtuesve për përcaktimin e vijave ndërtimore.

Dëshmitari Makaj, lidhur me këtë, sqaroi se ndërtuesi Hasan Idrizaj dhe Arben Çekaj kishin bërë mbindërtim dhe tejkalim të lejes së ndërtimit. Ai shtoi se pas përpilimit të raportit, rasti i tij i kalonte në kompetencë të ndërtimit.

Seanca e radhës u caktua me 22 tetor 2020 në ora 10:00 dhe 23 tetor 2020, në ora 10:30.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda, të ngritur më 27 mars 2018,  Demë Gashi akuzohet se si person zyrtar në pozitën Drejtor i Drejtorisë së Inspeksonit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri 14 nëntor 2016, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Gjithmonë sipas aktakuzës, me këto veprime i pandehuri Gashi ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm për tjetrin dhe atë Hasan Idrizaj, Arben Qekaj, Artan Gjoci, Metë Ademaj, Agim Lokaj, Artan Gjoci, Sami Karaqica, Visar Kelmendi, Abedin Kurtulaj, Hekuran Selimaj, Kujtim Hadergjonaj, Rexhe Zeka, Sali Qelaj, me mbi 500.00 euro.

Kjo çështje penale është deleguar prej Prokurorisë Themelorë Pejë në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, për shkak të hetimit të drejtë dhe objektiv. /BetimipërDrejtësi