Inspektori i ndërtimin mohon se kishte kompetencë për rrënimin e objekteve pa leje në Komunën e Pejës

119432003_984909925315964_1575837479494621504_n
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Shtator 14, 2020

Pejë – Inspektori i ndërtimit, Vehbi Lika ka deklaruar se objektet pa leje dhe me tejkalim të lejeve të ndërtimit të ndërtuesve në Pejë, nuk ishin rrënuar edhe pse inspektorët kishin nxjerrë vendimet për rrënimin e objekteve pa leje.

Një gjë të tillë dëshmitari Lika e dha gjatë seancës së shqyrtimit kryesor, të hënën në Gjykatën Themelore në Pejë, ku për mos rrënimin e objekteve pa leje dhe tejkalim të lejeve në Pejë po akuzohet ish drejtori i Inspeksionit, Demë Dashi.

Sipas dëshmitarit Lika, inspektorët e ndërtimin nuk kanë kompetencë për ekzekutimin e rrënimit. Sipas tij, një kompetencë të tillë e ka organi më i lartë hierarkik, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Inspektori i ndërtimit e ka për kompetencë të bëjë vendimin përfundimtar për rrënim dhe lëndën e procedon në një hierarki më të lartë”, tha dëshmitari Lika.

Në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri se vendimet për rrënim a duhet të ekzekutohen pavarësisht ndërrimit të organeve kompetente, dëshmitari tha se ekzekutimi duhet të ndodhë pavarësisht nëse ka ndërrime tek organet kompetente.

Lika deklaroi se nuk kishte njohuri nëse pas largimit të të pandehurit Dashi nga pozita e drejtorit, janë bërë rrënimet në objektet për të cilat kishte lëshuar vendim për rrënim. Ai po ashtu shtoi se për këto objekte ka ende kohë të rrënohen.

Dëshmitari sqaroi po ashtu, se tek ndërtuesit Artan Gjocaj, Hasan Idrizaj, Visar Kelmendi dhe Rexhë Zekaj kishte ndërmarrë veprime në kompetencë të tij, mirëpo rrënimi nuk ishte bërë nga inspektorët me arsyetimin se ekzekutimi i rrënimeve nuk hynte në kompetencë të inspektorit.

Gjykata e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratën e dëshmitarit Muhamet Kelmendi, i cili kishte deklaruar se kompetencat e drejtorit nuk janë të parapara me organogram dhe se pozita e drejtorit është post politik.

Lidhur me këtë, dëshmitari bëri një paralele me veprimtarinë e rrënimeve në Komunën e Prishtinës, se për ekzekutimin e vendimeve për rrënim, i drejtohen shefit të Inspeksionit, i cili është para drejtorit që organizon rrënimin e objektit. Ndërsa pas rrënimit të objektit, sipas dëshmitarit, inspektori me procesverbal e konstaton se rrënimi është kryer.

Mirëpo, sipas dëshmitari Lika, në Komunën e Pejës nuk kishte pasur shef të inspeksionit, pasi sipas tij Sylejman Syla asnjëherë nuk kishte ardhur në punë.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast u caktua të mbahet me 14 shtator 2020, në ora 10:00.

Në seancën e 15 qershor të vitit 2018,  ish-drejtori i Inspeksionit në Komunën e Pejës, Demë Dashi, ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, ish-kryetari i trupit gjykues, Sali Berisha, pas seancës së shqyrtimit të dytë kishte marrë vendim që të aprovojë si të bazuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit Demë Dashi, avokatit Isë Osdautaj për kundërshtimin e provave si të papranueshme, duke përjashtuar nga shkresat e lëndës dëshmitë e dëshmitarëve Hasan Idrizaj, Visar Kelmendi, Bashkim Hadërgjonaj, Arben Qakaj, Sali Qelaj, Gani Mavraj, Mendu Mende, Bakir Burri, Metë Ademaj, Astrit dhe Alma Imami, Abedin Kurtulaj, Gjihad Deçani, Ekrem Lluka, Tafil Alimusaj, Smajl Temaj, Rexhë Zeka, Kujtim Hadërgjonaj, Isa Selimaj, Haxhi Karaqica, Shkelzen Hadërgjonaj, Ideal Gashi dhe Adem Berisha.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda të ngritur më 27 mars 2018,  Demë Gashi akuzohet se si person zyrtar në pozitën Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri 14 nëntor 2016, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Gjithmonë sipas aktakuzës, me këto veprime i pandehuri Gashi ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm për tjetrin dhe atë Hasan Idrizaj, Arben Qekaj, Artan Gjoci, Metë Ademaj, Agim Lokaj, Artan Gjoci, Sami Karaqica, Visar Kelmendi, Abedin Kurtulaj, Hekuran Selimaj, Kujtim Hadergjonaj, Rexhe Zeka, Sali Qelaj, me mbi 500.00 euro.

Kjo çështje penale është deleguar prej Prokurorisë Themelorë Pejë në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, për shkak të hetimit të drejtë dhe objektiv. /Betimipërdrejtësi