Inspektori i dënuar për 500 euro ryshfet kërkon të lirohet nga akuza, Prokuroria propozon rritje të dënimit

Lavdim Bajraktari - Rasti Sadullah Dermarku - 13.08.2018
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Gusht 13, 2018

Prishtinë – I dënuar me burg dhe gjobë për shkak të veprës penale të marrjes së ryshfetit, inspektori i komunikacionit në Komunën e Kamenicës, Sadullah Dërmaku, të hënën kërkoi nga Gjykata e Apelit që të lirohet  nga akuzat.

Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që ndaj të akuzuarit Dërmaku të shqiptohet një dënim më i ashpër se sa që i kishte shqiptuar gjykata e shkallës së parë.

Ankesat e të akuzuarit dhe të mbrojtësit të tij në njërën anë dhe ajo e prokurorisë në anën tjetër, u shqyrtuan në seancën e së hënës në Gjykatën e Apelit.

Gjykata Themelore në Gjilan, në prill të këtij viti, të akuzuarin Dërmaku e kishte shpallur fajtor për veprën penale të marrjes së ryshfetit dhe të njëjtit i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 muajve dhe dënim me gjobë prej 300 euro.

Po ashtu, ndaj Dërmakut, gjykata e shkallës së parë kishte shqiptuar edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit në administratë publike në kohëzgjatje prej dy vjetësh.

Mirëpo, i pakënaqur me dënimin e shqiptuar nga shkalla e parë, ankesë në Apel ka paraqitur i akuzuari Dërmaku si dhe mbrojtësi i tij, avokati Shemsedin Piraj.

Në ankesën e tij drejtuar gjykatës së shkallës së dytë, i akuzuari pretendon se shumën prej 500 euro, për të cilën shumë, prokuroria thotë se i akuzuari e ka kërkuar si ryshfet, në të vërtetë e kishte kërkuar vetëm si hua nga ana e palës së dëmtuar në këtë rast, Besnik Shabani.

“Unë nuk e kom kontestu që i kom marr ato pare, por ato i kam kërku si hua, mirëpo qysh ka ndodh ma vonë çfarë kurthe mu ka bo”, tha në fjalën e tij i akuzuari Dërmaku.

Shumën prej 500 euro, sipas pretendimeve të të akuzuarit, i njëjti e kishte kërkuar hua për arsye se paratë i ishin dashur për t’ia paguar një semestër në fakultet njërit fëmijë të tij, dhe se të njëjtat para, i akuzuari do t’ia kthente të dëmtuarit.

Se paratë e kërkuara nga pala e dëmtuar, ishin në formë huaje e jo ryshfeti, e ka theksuar në ankesën e tij edhe avokati Shemsedin Piraj, mbrojtës i të akuzuarit Dërmaku.

Avokati Piraj, në fjalën e tij para kolegjit të Apelit tha se i mbrojturi i tij nga pozita që ka pasur si inspektor nuk ka mundur të pengojë aktivitetin e të dëmtuarit, pasi që ky i fundit e kishte regjistruar biznesin e tij.

Për më tepër, Piraj tha se aktgjykimi e ka tejkaluar edhe vet aktakuzën kur ndaj të akuzuarit ka shqiptuar dënimin plotësues të ndalimit të ushtrimit të profesionit në administratë publike.

Po ashtu, duke kontestuar seriozitetin e aktgjykimit të shkallës së parë, avokati Piraj theksoj se në këtë aktgjykim janë dy faqe, përkatësisht faqet 12 dhe 13, të cilat bëjnë fjalë për komplet të akuzuar të tjerë, siç janë Ibrahim Kçiku dhe Nazmi Hamdiu.

Kjo sipas avokatit, tregon se as vet gjykatësi e as prokurori që ka bërë ankesën nuk e kanë lexuar fare këtë aktgjykim.

Andaj, Piraj i propozojë kolegji të Apelit që këtë aktgjykim të shkallës së parë të prishë dhe të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza ose që lëndën ta kthejë në rigjykim dhe me këtë rast të cakohet një trup tjetër gjykues në gjykatën e shkallës së parë.

Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Gjilan, në ankesën e saj drejtuar Apelit, ka theksuar se dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë nuk është në përpjesëtim më veprën penale, andaj, ka propozuar që ndaj të akuzuarit të shqiptohet një dënim më i lartë me burg efektiv, me të cilin dënim do të arrihej qëllimi i dënimit.

Ankesën e Prokurorisë Themelore e ka mbështetur edhe Prokuroria e Apelit e cila përmes një parashtrese, i ka propozuar gjykatës së shkallës së dytë që të aprovojë si të bazuar ankesën e prokurorisë.

I pranishëm në seancë, ishte edhe pala e dëmtuar Besnik Shabani, i cili tha se me vet ka sjellë edhe disa dokumente shtesë që sipas tij, vërtetojnë se ka pas pengesa të vazhdueshme nga i akuzuari në ushtrimin e profesionit të tij.

I njëjti kërkoi që i akuzuari të dënohet dhe tha se pajtohet me çka do që do të vendosë gjykata.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 10 nëntor 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj Sadullah Dërmakut, të cilin e ngarkon me veprën penale “marrje e ryshfetit”

Sipas aktakuzës, Dërmaku më 20 tetor 2017, në Kamenicë, në cilësinë e inspektorit të komunikacionit, me qëllim qe vetes t’i sjell dobi pasurore, në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar si person zyrtar.

Ai akuzohet se në mënyrë që të dëmtuarit Besnik Shabani, t’i mundësojë ushtrimin e veprimtarisë së biznesit “City Taxi”, i ka kërkuar 500 euro, para të cilat i ka marr nga i dëmtuari dhe të njëjtat ishin gjetur në xhepin e palltos së tij, pas bastisjes nga ana e zyrtarëve policorë, me ç’rast edhe ishte arrestuar.