Inspektori i ATK-së mohon se kishte kërkuar pesë mijë euro ryshfet nga një kompani private

20190207_114418
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Shkurt 7, 2019

Prishtinë – Inspektori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Bekim Bilalli, që nga prokuroria akuzohet se në mënyrë që tani të dëmtuarit Sherafedin Gashi, t’i kthehet rimbursimi i mjeteve të TVSH-së, për firmën e tij “Fresh Fruit”, ka kërkuar deri në pesë mijë euro ryshfet, duke dhënë mbrojtjen e tij, ka mohuar akuzat.

Sipas Bilallit, ai në karrierën e tij si inspektor i ATK-së, askush, asnjëherë nuk ka pasur vërejtje në performancën e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, sa i përket akuzës me të cilën pretendohet se ai në një proces të vlerësimit të një kërkese nga firma “Fresh Fruit”, për rimbursimin e mjeteve të ATK-së, deklaroi se ai nuk ka kërkuar nga pronarët e kësaj kompanie ryshfet që t’i aprovohet kërkesa e tyre.

“Unë si inspektor tatimor asnjëherë në jetën time nuk kam kërkuar mjete nga personat e caktuar. Kam respektuar legjislacionin tatimor dhe hierarkinë dhe në asnjë moment nuk kam dalë jashtë ligjit, nuk kam kërkuar mjete asnjëherë nga Sheradedin Gashi”, deklaroi Bilalli.

Për më tepër, ai tha se kjo kërkesë është refuzuar nga departamenti i kontrollit, në kuadër të ATK-së dhe për këtë të njëjtit kanë bërë ankesë edhe në departamentin e ankesave, por që i është refuzuar.

I akuzuari duke iu përgjigjur pyetjeve nga mbrojtësi i tij, avokati Sevdali Zejnullahu, prokurores Dulina Hamiti, të dëmtuarit Sherafedin Gashi, e përfaqësuesit të tij, avokatit Faik Halili, deklaroi se ai së bashku me inspektorin Kemajl Ismajli, kanë shkuar në inspektim në biznesin “Fresh Fruit” dhe më pas ka raportuar te eprorët e tij.

Ai shtoi se rimbursimi nuk i është mundësuar Gashit, pasi që sipas tij, biznesi ishte si person juridik, ndërsa prona në të cilën zhvillohej veprimtaria, ishte e një personi fizik.

Por, sipas tij edhe pse ai ka mundur që të jep një opinion për refuzim të kërkesës, organet më të larta të ATK-së, kanë mundur të vendosnin ndryshe.

Bilalli, në pyetjet se ku i ka zhvilluar takimet me tani të dëmtuarin, tha se ato janë zhvilluar në zyrën e ATK-së, ndërsa i dëmtuari pretendoi se ka pasur një takim jashtë zyrave të ATK-së dhe dy të tjera në bufenë e kësaj zyre, në të cilat takime edhe janë bërë kërkesat e marrjes së ryshfetit, por që i akuzuari i konsideroi si deklarime të pavërteta.

Pas dhënies së mbrojtjes nga ana e të akuzuarit, tashmë ky proces gjyqësor ka prekur fundin dhe ka mbetur që në seancën e radhës e cila është caktuar për 14 shkurt 2019, në ora 14:30, të jepet fjala përfundimtare e palëve.

Ndryshe, në seancën e kaluar, që ishte mbajtur më 17 janar 2019, dëshmitari Naser Gashi kishte thënë se Bekim Bilalli, atij dhe të dëmtuarit Sherafedin Gashit, me të cilin janë bashkëpronar të firmës “Fresh Fruit” SH.P.K,  ka kërkuar fillimisht 500 euro për t’ua kthyer mjetet e rimbursimit të TVSH-së dhe pastaj 5.000 euro tjera.

“Ai na tha se nuk pe kryejmë me qeto mjete, po duhen 5.000 euro, unë i kam thënë ortak nuk të bëj”, kishte deklaruar Gashi.

Sipas aktakuzës së përpiluar më  27 dhjetor 2017, Bekim Bilalli në cilësinë e personit zyrtar në ATK, me qëllim që t’i sjell vetës përftim pasuror të kundërligjshëm, ka kërkuar ryshfet nga i dëmtuari Sherafedin Gashi, pronar i firmës “Fresh Fruit” SH.P.K, për kthimin e mjeteve të rimbursimit të TVSH-së.

Sipas aktit akuzues, këtë e ka bërë në mënyrë që i pandehuri, në muajin shtator të vitit 2015, është takuar me të dëmtuarin te kafiteria tek pompa e benzinës te lulishtja në Prishtinë, në afërsi të ATK-së-Prishtina 3, dhe i ka kërkuar 1.000 euro për t’ia kthyer mjetet e rimbursimit të TVSH-së.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se në takimin tjetër i pandehuri i kishte thënë të dëmtuarit “me 1.000 euro nuk kryhet puna qysh jemi marr vesh”, duke kërkuar ryshfet shumën prej 5.000 euro nga i dëmtuari Gashi. /BetimipërDrejtësi