Inspektori i ATK-së do të ftohet si dëshmitar në gjykimin ndaj të akuzuarve se me paratë e shitjes së narkotikëve kishin blerë dy banesa

image0 (7)
Author

Raporton: Justina FRROKAJ

Shkurt 11, 2020

Prishtinë – Në seancën e shqyrtimit gjyqësor ndaj dy të akuzuarve për shpëlarje parash, Shahadin e Sefer Hasani, prokurorja speciale Habibe Salihu ka propozuar që në cilësinë e dëshmitarit të thirret inspektori i ATK-së, Driton Thaqi.

Kjo sipas prokurores Salihu, duhet të bëhet me qëllim të sqarimit lidhur me të ardhurat neto të të akuzuarve, pasi që i njëjti, e kishte përpiluar raportin e ATK-së, dhe sipas saj eksperti në seancën e kaluar kishte dështuar të sqaronte këtë çështje.

Kundërshtime ndaj këtij propozimi, ka shprehur avokati Halil Palaj, i cili tha se ekspertiza është shumë e qartë dhe se i mbrojturi i tij, Shahadin Hasani ka pasur të ardhura personale mbi 400 mijë euro dhe ka marrë kredi 76 mijë euro komplet, që sipas ekspertizës, i njëjti ka pasur kapacitet të mjaftueshëm për të blerë banesat.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Sefer Hasani, avokati Ali Beka ka deklaruar se raporti i ATK-së lidhur me këtë çështje është jo-relevant sepse nëse eventualisht të akuzuarit nuk kanë bërë deklarim të saktë të të hyrave, atëherë kemi të bëjmë me një vepër tjetër penale që është shmangie nga tatimi.

Pas këshillimit, trupi gjykues me kryetaren, Albina Shabani-Rama mori vendim që të aprovohet propozimit i prokurores speciale, dhe të ftohet si dëshmitar në seancën e radhës inspektori hetues i ATK-së, Driton Thaqi.

Gjykatësja Shabani-Rama ka thënë se trupi gjykues konsideron se është e domosdoshme të dëgjohet edhe ky dëshmitar për të sqaruar fitimin neto të të akuzuarve dhe të vërtetohet nëse kemi të bëjmë me një vepër tjetër penale që është shmangie nga tatimi.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 24 shkurt 2020, në ora 9:30.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), aktakuzën ndaj Shahadin dhe Sefer Hasanit e ka ngritur më 3 maj 2019, të cilët i ngarkon me  veprën penale ”shpëlarje e parave”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Shahadin Hasani, gjatë vitit 2015, me paratë që i kishte fituar me aktivitet kriminal, i cili ishte ndërlidhur me vepra penale të narkotikëve, kishte blerë banesë që sipas prokurorisë gjendet në Prizren, me sipërfaqe 68 m2, në vlerë prej 59,600.00.

Ndërkaq, i akuzuari Sefer Hasani, po dyshohet se me paratë që i kishte fituar me aktivitet kriminal kishte blerë banesë sipas kontratës mbi bashkimin e mjeteve për ndërtimin e banesave, nënshkruar nga SHPK Ndërmarrja “Ramiz Sadiku”, që gjendet në lagjen “Lakrishte”, në sipërfaqe prej 67.80 m2, me çmim në vlerë 44,070.00 euro, si dhe kompensim një veturë në vlerë 20.000 euro. /Betimipërdrejtësi