Inspektorët thonë se nuk e dinë pse s’ishin ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve me tejkalim të lejeve në Pejë

123
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Prill 11, 2019

Pejë – Inspektori i  ndërtimit, Bajram Avdiu ka thënë se ekzekutimi i vendimit për rrënimin e objekteve me tejkalim të lejeve të ndërtimit është kompetencë e drejtorit të Inspektoratit dhe jo e inspektorëve.

Këtë deklarim, inspektori Avdiu e ka dhënë në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Pejë, në procesin gjyqësor kundër ish-drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Pejës, Demë Dashi, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Dashi akuzohet se me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014, deri 14 nëntor 2016, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Inspektori Avdiu, i cili në këtë shqyrtim ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit, tha se vendimin për rrënim e bie inspektori i çështjes, ndërsa zbatimi bie në kompetencë të drejtorisë së Inspeksionit.

“Inspektori s’ka kompetencë për ekzekutim, vendimin për rrënim e zbaton ekzekutuesi, i cili është shefi i sektorit, apo drejtori i Drejtoratit”, tha inspektori Avdiu.

Dëshmitari tha se kishte qenë bartës i inspektimit tek ndërtuesit Agim Lokaj, Sali Qenaj dhe Rexhë Zekaj, të cilët siç tha ai, të gjithë në objektet e tyre kishin kaluar lejet ndërtimore, mirëpo objektet e tyre nuk ishin rrënuar.

Sipas tij, ai si inspektor në këto raste kishte ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore duke nxjerrë vendime për rrënim, mirëpo nuk ishin ekzekutuar, pasi sipas tij, ekzekutimi nuk ishte kompetencë e tij.

Për objektin e ndërtuesit Agim Lokaj tha se nuk ishte rrënuar për shkak të mungesës së organizimit në drejtori dhe kompanisë për rrënim.

Njëjtë sikurse ndërtuesit tjerë, sipas dëshmitarit, edhe ndërtuesi tjetër Regjë Zeka kishte arritur qëllimin që të bëjë tejkalimin e ndërtimit.

“Ai ka filluar me mbindërtim dhe kanë intervenuar inspektorët për rrënim të objektit dy herë, pala përkundër të gjitha këtyre vendimeve ka arrit me realizu qëllimin e tij dhe ka përfunduar objektin në vitin 2016”, tha inspektori.

Kurse, për objektin e ndërtuesit Sali Qenaj, dëshmitari tha ai së bashku me drejtorin Dashi, kishin vepruar për ta rrënuar objektin e tij, i cili kishte pasur tejkalim të lejeve të ndërtimit.

Mirëpo, sipas tij përkundër kësaj, ndërtuesi përsëri ka vazhduar me mbindërtim dhe tani ndërtesa është në proces të legalizimit.

Në pyetjen e avokatit të të pandehurit Dashi, avokati Isa Osdautaj se duke iu referuar një dokumenti me shënimin “Vlerësimi i kryerjes së ekzekutimeve të datës 1 janar 2010, në pikën 7 është kompetenca e inspektorit për ekzekutim”, dëshmitari tha se në çdo objekt drejtori apo shefi i njësisë e bën organizimin dhe krijon kushtet për ekzekutim të vendimit për rrënim dhe jo inspektori.

I akuzuari Demë Dashi pati vërejtje në dëshminë e dëshmitarit me arsyetimin se ai e ka ngatërruar Ligjin mbi Ndërtimin me Ligjin për Planifikim Hapësinor.

Në këtë proces gjyqësor, dëshminë e tij e ka dhënë edhe inspektori tjetër i ndërtimit në Komunën e Pejës, Mentor Beqiri.

Ai tha se asnjëherë nuk ishte dëgjuar në cilësi të dëshmitarit në prokurori, por vetëm në cilësi të të dyshuarit në polici.

Inspektori Beqiri tha se punonte si inspektor i ndërtimit në Komunën e Pejës prej gushtit të vitit 2015, e tutje.

Gjatë punës së tij, Beqiri tha se kishte pasur disa raste për inspektim në kompetencë të tij, duke përmendur ndërtuesin Hasan Idrizaj, Arben Çekaj, Artan Gjoci dhe Visar Kelmendin.

“Rasti i Hasan Idrizaj ka patur leje por e ka tejkaluar atë. Ne si inspektor kemi bërë 6 kundërvajtje dhe katër kallëzime penale ndaj tij dhe vendime për rrënim. Rrënimi i objektit është bërë kanë qenë prezent 20 policë ku është sulmuar edhe drejtori Demë Dashi. Mirëpo, ndërtuesi objektin e tij e ka përfunduar dhe nuk e ka lejen për përfundimin e objektit”, tha inspektori Beqiri.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, Sali Berisha se pasi objekti është përfunduar, çfarë ka ndërmarr inspektori në lidhje më këtë, dëshmitari tha se inspektorët kishin zhvilluar të gjitha procedurat dhe kishin lajmëruar rastin në gjykatë.

Në pyetjen tjetër, dëshmitari tha se vendimet e inspektorëve për rrënimin e objekteve i vulosin tek drejtori i Inpeksionit.

“Vendimin për rrënim duhet ta ekzekutojë, sipas praktikës që ë kam gjet dhe ligjit për ndërtimit dhe inspeksionit, drejtori, ashtu që drejtori i njofton kompaninë për rrënim dhe policinë dhe dalim në vend të ngjarjes për rrënim”, tha dëshmitari Beqiri.

Kurse, në rastin të cilin e kishte inspektuar të ndërtuesve Arben Çekaj dhe Artan Gjoci, dëshmitari tha se nuk e dinte pse vendimet e inspektorëve për rrënimin e objekteve të këtyre ndërtuesve, të cilit e kishin kaluar lejen e ndërtimit, nuk ishin ekzekutuar .

“Puna ime si inspektor dhe përgjegjësia ime përfundon me lëshimin e vendimeve për rrënim”, tha inspektori Beqiri.

Kurse, për rastin e ndërtuesit Visar Kelmendi, dëshmitari tha se kishte tejkaluar një kat të ndërtimit dhe të njëjtit ia kishin mbyllur objektin duke i dorëzuar vendimin për rrënim.

Ndër të tjera, dëshmitari tha se vendimet për rrënim i nënshkruan inspektori përgjegjës, i cili është bartës i lëndës.

Ndërsa, në lidhje me një dokument në të cilin interpretoheshin, cili organ është kompetent për ekzekutim, i akuzuari tha se prokuroja Sahide Gashi e ka falsifikuar dokumentin se gjoja se Ministria e Planifikimit Hapësinor ka kompentenca për interpretim të ligjve të nivelit lokal.

Kurse, dëshmitari tjetër që është dëgjuar në seancën e së enjtes, ishte Hysen Hakaj, i cili ishte me profesion gjeodet në Drejtorinë për Urbanizëm në Pejë.

Ai tha se vetëm mbetet pranë deklaratave të dhëna në polici, kurse pyetje tjera nga palët për dëshmitarët nuk kishte.

Seanca e radhës do të vazhdojë nesër me 12 prill 2019, duke filluar prej orës 10:00.

Ndryshe, në seancën e 15 qershor të vitit të kaluar  ish-drejtori i Inspeksionit në Komunën e Pejës, Demë Dashi, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Sali Berisha, pas seancës së shqyrtimit të dytë ka marrë vendim që të aprovojë si të bazuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit Demë Dashi, avokati Isë Osdautaj për kundërshtimin e provave si të papranueshme, duke përjashtuar nga shkresat e lëndës dëshmitë e dëshmitarëve Hasan Idrizaj, Visar Kelmendi, Bashkim Hadërgjonaj, Arben Qakaj, Sali Qelaj, Gani Mavraj, Mendu Mende, Bakir Burri, Metë Ademaj, Astrit dhe Alma Imami, Abedin Kurtulaj, Gjihad Deçani, Ekrem Lluka, Tafil Alimusaj, Smajl Temaj, Rexhë Zeka, Kujtim Hadërgjonaj, Isa Selimaj, Haxhi Karaqica, Shkelzen Hadërgjonaj, Ideal Gashi dhe Adem Berisha.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda të ngritur më 27 mars 2018,  Demë Gashi akuzohet se si person zyrtar në pozitën Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri 14 nëntor 2016, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Gjithmonë sipas aktakuzës, me këto veprime i pandehuri Gashi ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm për tjetrin dhe atë Hasan Idrizaj, Arben Qekaj, Artan Gjoci, Metë Ademaj, Agim Lokaj, Artan Gjoci, Sami Karaqica, Visar Kelmendi, Abedin Kurtulaj, Hekuran Selimaj, Kujtim Hadergjonaj, Rexhe Zeka, Sali Qelaj, me mbi 500.00 euro.

Kjo çështje penale është deleguar prej Prokurorisë Themelorë Pejë në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, për shkak të hetimit të drejtë dhe objektiv.