Inspektorati Policor fillon hetimet penale ndaj tre policëve, rekomandon suspendimin e tyre

IPK-620x275
Author

Raporton: Betimi për Drejtësi

Qershor 10, 2021

 Prishtinë – Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka filluar hetimet penale dhe ka rekomanduar të enjten suspendimin e tre policëve të Kosovës, dy të përfshirë në një rast arrestimi në Prishtinë, kurse një tjetër i përfshirë në arrestimin e Faik Fazliut në Prizren.

Për rastin në Prishtinë, dy policët po hetohen për keqtrajtim gjatë arrestimit dhe tejkalim të autorizimeve publike derisa polici në Prizren po hetohet për lëndim të lehtë trupor.

Njoftimi i Inspektoratit Policor është bërë katër ditë  pasi u arrestua e pastaj u lirua anëtari i Kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faik Fazliu dhe një ditë pasi në Prishtinë u arrestua një person i cili kishte ikur nga trajtimi shëndetësor teksa ishte i ndaluar për dhunë në familje. Ndaj të njëjtit, bazuar në pamjet e publikuara, njëri polic shihet teksa e godet me dorë në kokë.

“Rasti i parë i referohet pamjeve të publikuara dje në medie të arrestimit të një të dyshuari për një rast të dhunës në familje i cili ishte dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe në rrethana akoma të pasqaruara kishte ikur nga aty. Lidhur me këtë rast IPK ka rekomanduar suspendimin për dy zyrtarë policorë dhe të njëjtit janë duke u hetuar me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, thuhet në komunikatën e IPK-së.

Ndërkaq, për rastin në Prizren në pamjet e publikuara shihet njëri polic teksa e shtynë Fazliun dhe e rrëzon në dysheme ku më pas të njëjtin edhe e arrestojnë nën dyshimin se ka kërcënuar zyrtaret policorë.

Inspektorati ka bërë të ditur se edhe ndaj policit të përfshirë në këtë rast është rekomanduar suspendim.

“IPK në këtë rast ka rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor dhe është duke hetuar të njëjtin me dyshimin se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, thuhet në komunikatën e IPK-së. /BetimipërDrejtësi