Inject: “Reagimi i Policisë ndaj dhunës në familje vazhdon të përballet me shumë sfida”

Viktima e dhunes 2
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Mars 31, 2020

Prishtinë – Organizata joqeveritare Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi (Inject), në kuadër të projektit “Sigurimi i qasjes së grave në drejtësi përmes rritjes së përgjegjësisë institucionale”, ka realizuar një shkrim, në të cilin thuhet se edhe në Kosovë dhuna në familje mbetet një nga shkeljet më të mëdha të të drejtave të njeriut dhe se reagimi i Policisë vazhdon të përballet me shumë sfida.

Sipas Inject, problemet e vazhdueshme në lidhje me hetimin e krimeve të tilla përfshijnë stigmatizimin e gjerë dhe fajësimin e viktimave nga vet Policia, mungesën e konfidencialitetit për identitetin e viktimave, mungesën e shërbimeve të specializuara që çojnë në mbështetje në mostrat dhe testet e ADN-së, mungesa e udhëzuesve dhe mekanizmave të bashkërenditjes, burimet e tyre të kufizuara, mos-implementim adekuat i Procedurave të Standardeve të Veprimit për dhunën në familje, etj.

Mos-ndëshkimi i vazhdueshëm për autorët e krimit nga ana e sistemit të drejtësisë, sipas Inject, ka rezultuar në një pabarazi në qasje në të drejtat e garantuara ligjore të qytetarëve.

Shkrimi i plotë:

Mos-ndëshkimi i vazhdueshëm për autorët e krimit nga ana e sistemit të drejtësisë ka rezultuar në një pabarazi rreth qasjes në të drejtat e garantuara ligjore të qytetarëve.

Pothuajse çdo grua në botë ka përjetuar një formë të dhunës me bazë gjinore gjatë gjithë jetës së saj. Forma të ndryshme të dhunës ndaj grave dhe vajzave vazhdimisht janë normalizuar, toleruar dhe madje inkurajuar si një mënyrë për të demonstruar fuqinë, si një mënyrë për të mbajtur marrëdhëniet e pushtetit të ngulitura në marrëdhëniet familjare, sferat sociale, ekonomike, kulturore dhe politike që formojnë normat gjinore dhe ndikojnë në jetën dhe rolin e grave në shoqëri.

Dhuna e përjetuar nga gratë dhe vajzat operon si në nivelin personal, ashtu edhe në atë strukturor, institucional, përmes legjislacionit, procedurave, praktikave të prodhuara nga institucionet shtetërore. Ende ka shumë vende në botë që nuk i njohin të gjitha format e dhunës me bazë gjinore në legjislacionin e tyre.

Si në shumë vende të botës, ashtu edhe në Kosovë, dhuna në familje mbetet një nga shkeljet më të mëdha të të drejtave të njeriut. Dhuna në familje është zakonisht një vepër penale e kryer në fshehtësi. Shpesh viktima ndjen turp ose ato stigmatizohen nga dhuna që e kanë përjetuar. Mungesa e vetëdijes nga viktimat, publiku dhe shumë shpesh edhe nga ofruesit e shërbimeve pengon aftësinë e shtetit për të mbrojtur dhe ndihmuar viktimat e dhunës në familje. Rrethanat personale të viktimës së dhunës paraqesin shumë sfida për ofrimin dhe pranimin e shërbimeve ndaj tyre.

Një reagimi i duhur nga të gjitha institucionet përgjegjëse ka rëndësi tejet të madhe për ta luftuar këtë dukuri. Policia është institucioni i parë që bie në kontakt me viktimat e dhunës. Reagimi i policisë (d.m.th. kontakti i parë i viktimës me institucionet publike) ose mund ta inkurajojë viktimën drejt vazhdimit të veprimeve juridike kundër kryesit ose mund ta dekurajojë atë dhe ta detyrojë të heqë dorë nga ndjekja penale, ose edhe të ri-traumatizojë.

Shpesh viktimat riviktimizohen nga ana e institucioneve për shkak ta mungesës së koordinimit të burimeve dhe reagimeve të akterëve në proces. Dhe rrjedhimisht, koha, energjia, humbet kur institucionet përsërisin aktivitetet ose nuk pajtohen për përgjegjësitë e tyre, tregohen indiferent, duke anashkaluar rrezikun që mund t’i bije viktimës. Shpeshherë ndodh që policia për shkak të mos njohjes së formave të dhunës, nuk arrijnë të mbrojnë viktimat.

Reagimi i Policisë ndaj dhunës në familje vazhdon të përballet me shumë sfida. Problemet e vazhdueshme në lidhje me hetimin e krimeve të tilla përfshijnë stigmatizimin e gjerë dhe fajësimin e viktimave nga vet Policia, mungesën e konfidencialitetit për identitetin e viktimave, mungesën e shërbimeve të specializuara që çojnë në mbështetje në mostrat dhe testet e ADN-së, mungesa e udhëzuesve dhe mekanizmave të bashkërenditjes, burimet e tyre të kufizuara, mos-implementim adekuat i Procedurave të Standardeve të Veprimit për dhunën në familje etj. Këto janë vetëm disa nga problemet që institucionet publike i bëjnë në raport me viktimat e dhunës në familje në momentin kur këto të fundit e deklarojnë dhunën. Mos-ndëshkimi i vazhdueshëm për autorët e krimit nga ana e sistemit të drejtësisë ka rezultuar në një pabarazi në qasje në të drejtat e garantuara ligjore të qytetarëve. Ky është riviktimizimi institucional, me të cilin përballen qytetarët gjatë përpjekjeve për realizimin e të drejtave tyre ligjore. /BetimipërDrejtësi