Incidenti në Dubravë, lëshohet urdhëresë për sjellje të detyrueshme ndaj Shefqet Kabashit

Salla
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Qershor 26, 2020

Pejë – Gjykata Themelore në Pejë ka lëshuar urdhëresë për sjellje të detyrueshme ndaj Shefqet Kabashit,  i cili nga Prokuroria Themelore e Pejës po akuzohet për posedim të paautorizuar të armës, gjatë 20 vjetorit të masakrës në burgun e Dubravës.

Sipas aktit akuzues, në maj të vitit 2019, përderisa ishte duke u mbajtur 20 vjetori i masakrës së Burgut të Dubravës, i pandehuri ka prishur qetësinë publike, e ku gjatë kontrollit nga ana e policisë, në veturën e tij është gjetur një pistoletë, që sipas prokurorisë, ai e ka poseduar pa leje.

Vendimi për sjellje të detyrueshme ndaj Kabashit u mor të premten, nga kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, pasi u konstatua mungesa e të pandehurit në seancë.

“Ftesën e ka pranuar babai i tij dhe mosardhjen nuk e ka arsyetuar”, tha gjykatësi Sharraxhiu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Agim Shala tha se klienti i tij gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Si rrjedhojë e kësaj, ndaj Kabashit është lëshuar urdhëresë për sjellje të detyrueshme, të cilën do ta ekzekutojë Stacioni Policor në Pejë.

Kurse, seanca e radhës u caktua për 20 korrik 2020, në ora 11:00.

Prokuroria Themelore në Pejë, më 31 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Shefqet Kabashi, për shkak se siç thuhet, më 22 maj 2019, rreth orës 13:30, në Istog, ai ka poseduar pa autorizim armë.

Sipas aktakuzës, përderisa ditën kritike ishte duke u mbajtur 20 vjetori i masakrës së Burgut të Dubravës, i pandehuri ka prishur qetësinë publike, e ku gjatë kontrollit nga ana e policisë bërë në veturën “Mercedes”, kanë hasur në posedim të paautorizuar të pistoletës “CZ 85 B”, kalibër 9 milimetra një karikator dhe 10 fishekë, që të gjitha këto në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi