Imami i Gllogovcit deklarohet i pafajshëm për kanosjen e një imami tjetër

Drenas
Author

Raporton: Mirjeta PLAKIQI

Qershor 10, 2021

Drenas – Imami i xhamisë në Gllogovc të Drenasit, Osman Musliu, është deklaruar i pafajshëm për kryerjen e veprës penale “kanosje”.

Këtë deklarim, i akuzuari Musliu e ka dhënë në seancën fillestare të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, dega në Drenas, pasi që është konsideruar e lexuar aktakuza nga prokurori Musa Mehaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Shefqet Baleci e njoftoi të akuzuarin Musliu, se brenda afatin ligjor ka të drejtë të parashtroj kërkesën për hudhjen e aktakuzës si dhe kërkesën për kundërshtimin e provave.

I akuzuari Musliu dhe i dëmtuari Arton Morina, paraprakisht nga gjykata u informuan me mundësinë që lënda të kalohet në procedurë të ndërmjetësimit, por të njëjtit nuk u pajtuan.

Seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar më 12 korrik 2021, nga ora 09:30.

Sipas aktakuzës së ngritur më 18 maj 2021, nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, Osman Musliu akuzohet se më 10 prill 2021, rreth orës 10:00, në zyret e Bashkësisë Islame në Gllogovc, pas mosmarrëveshjeve gojore me tani të dëmtuarin, Arton Morina, me dashje e ka kanosur me gjeste dhe fjalë duke ia drejtuar gishtin tregues dhe fjalët “…ki me pas problem me mua dhe tjera herë kur te vi ka me ardh ma ndyshe…”

Me këto veprime pretendohet se i pandehuri tek i dëmtuari ka shkaktuar ndjenjen e ankthit dhe frikës.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “kanosje” nga neni 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.