Ilmi Bajrami zgjidhet gjyqtar mbikëqyrës i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme

Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Qershor 23, 2021

(Përditësuar, ora 11:00)

Prishtinë – Ilmi Bajrami zgjidhet gjyqtar mbikëqyrës i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme

Gjykatësi Ilmi Bajrami është zgjedhur gjyqtar mbikëqyrës i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.

Bajrami mori votat e nëntë nga 12 anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK). Një votë ishte kundër dhe një tjetër ishte e pavlefshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Anëtarja Radojka Trifunovic nuk ishte e pranishme në mbledhje.

Gjykatësi Bajrami deri më tani kishte qenë ushtrues detyre i gjyqtarit mbikëqyrës në Dhomën e Posaçme. Mandati i tij është dy vjeçar me mundësi ricaktimi edhe për një mandat vijues.

Biografia e gjykatësit Ilmi Bajrami e publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Supreme:

Ilmi Bajrami është U.D. i gjyqtarit mbikëqyrës në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës e ka mbaruar më 1986. Më 2003 ka filluar punën në Ministrinë për Ekonomi dhe Financa në Organin Rregullativ të Prokurimit Publik si analist i prokurimit, (ORPP).Nga viti 2005 në Komisionin Rregullativ te Prokurimit Publik (KRPP), ekspert i prokurimit dhe trajner.Në vitin 2003 nga OSCE është çertifikuar në fushën e menaxhimit. Më 2004 nga IAPSO-UNDP dhe nga Crown Agents, certifikohet për fushën e Prokurimit Publik. Nga Confirmec, çertifikohet si Trajner i Prokurimit publik. Më 2005 nga IKAP, certifikohet si trajnues i Administratës Publike. Me datë 29.06.2010, u emërua gjyqtar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Nga data 03 qershor 2014, ushtron funksionin e gjyqtarit në Kolegjin e Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme. Në korrik të vitit 2019 është caktuar ushtrues detyre i gjyqtarit mbikqyrës në DhPGjS.

___________________________

Prishtinë – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) sot pritet të zgjedh kryesuesin e ri, që do të pasojë në këtë pozitë, kryesuesin aktual, Skender Çoçaj.

Skender Çoçaj ishte zgjedhur anëtar i KGJK-së në qershor të vitit 2016, kurse nga marsi i vitit 2019 është kryesues i Këshillit. Në fillim të muajit korrik të këtij viti, Çoçajt i skadon mandati si anëtar i Këshillit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gara për kryesuesin e ri të KGJK-së ishte hapur më 7 qershor 2021. Të drejtë për të kandiduar kanë pasur të gjithë anëtarët – gjyqtarë të Këshillit. Kandidatë kanë qenë dashur të sigurojnë të paktën tre nënshkrime nga anëtarët tjerë të Këshillit për t’u kandiduar.

Këto nënshkrime, kandidatët kanë pasur kohë t’i dorëzojnë në Këshill deri më 22 qershor 2021.

Zgjedhja e kryesuesit të ri bëhet me shumicë të votave të anëtarëve të KGJK-së, kurse mandati i kryesuesit është tre vjeçar. Pas zgjedhjes në këtë pozitë, kryesuesi e pezullon punën e tij si gjyqtar deri në përfundim të mandatit si kryesues.

Përveç KGJK-së, me drejtues të ri pritet të bëhet sot edhe Gjykata Themelore në Prishtinë. Kjo pasi që si pikë e rendit të ditës në mbledhjen që KGJK do të mbaj sot është edhe zgjedhja e kryetarit/es të kësaj gjykate.

Deri në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë ishte udhëhequr nga gjykatësja Afërdita Bytyçi. Pas skadimit të mandatit të saj, nga janari i këtij viti e deri më tani, kjo gjykatë është udhëhequr nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të gjykatës, Arben Hoti.

Konkursi për kryetar të Gjykatës në Prishtinë ishte hapur më 27 janar 2021. Për kryetar të kësaj gjykate kanë pasur mundësi të kandidojnë vetëm gjyqtarët e Gjykatës në Prishtinë, duke përfshirë degët e kësaj gjykate.

Për t’u zgjedhur në këtë pozitë, një gjyqtar duhet të ketë së paku tre vite përvojë pune si dhe të mos ketë sanksion disiplinor me vendim të formës së prerë, përjashtimit masës së qortimit ose vërejtjes jo-publike në pesë vitet e fundit.

Përzgjedhja e kryetarit bëhet përmes votimit të fshehtë, ndërsa një minimum prej nëntë anëtarëve të KGJK-së nevojitet të votojnë. Kandidati që merr shumicën e votave zgjidhet kryetar/e i/e gjykatës.

Kryetarët e gjykatave emërohen me një mandat pesë vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.

Në mbledhjen e të mërkurës, KGJK pritet të zgjedh edhe gjyqtarin mbikëqyrës të Dhomës së Posacme të Gjykatës Supreme si dhe të hap konkursin për kryetarin e ri të Gjykatë së Apelit./BetimipërDrejtësi