IKD reagon ndaj Shërbimit Korrektues të Kosovës

IKD
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Prill 8, 2021

Prishtinë – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), lidhur me postimin në rrjetin social “Facebook”, me titull: “Njoftim: Lidhur me shkrimin e publikuar në portalin “Betimi për Drejtësi”  të titulluar “Njësia e paraburgimit dështon të sjellë të akuzuarin në seancë, shtyhet gjykimi””.

Sipas SHKK-së, shkrimi nga seanca gjyqësore e publikuar më 7 prill 2021, në portalin “Betimi për Drejtësi”, i titulluar “Njësia e paraburgimit dështon të sjellë të akuzuarin në seancë, shtyhet gjykimi”, nuk përmban informata të sakta.

IKD informon SHKK-në dhe publikun se shkrimi i publikuar në platformën “Betimit për Drejtësi”, nga seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit Fatlum Gashi, është raportuar korrekt dhe saktë.

IKD konsideron se ky reagim i SHKK-së është i ngutshëm, jo korrekt dhe shpërfaq mungesën e profesionalizmit në këtë institucion, përfshirë mungesën e koordinimit dhe bashkëpunimit të duhur me sistemin gjyqësor në Kosovë, që sjell deri tek shtyrja e seancave gjyqësore për shkak të mos sjelljes së personave nga qendrat e paraburgimit në seanca gjyqësore.

Reagimi i plotë:

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), përmes rrjetit social “Facebook”, ka postuar reagimin me titull “Njoftim: Lidhur me shkrimin e publikuar në portalin “Betimi për Drejtësi”  të titulluar “Njësia e paraburgimit dështon të sjellë të akuzuarin në seancë, shtyhet gjykimi””.

Sipas SHKK-së, shkrimi nga seanca gjyqësore e publikuar më 7 prill 2021, në portalin “Betimi për Drejtësi”, i titulluar “Njësia e paraburgimit dështon të sjellë të akuzuarin në seancë, shtyhet gjykimi”, nuk përmban informata të sakta. Sipas SHKK, Njësia për Përcjelljen e të Burgosurve nuk ka pasur asnjë urdhëresë nga gjykata për përcjelljen e personit në fjalë. “Shërbimi Korrektues i Kosovës në përshtatshmëri të vazhdueshme me ligjet e aplikueshme në Kosovë do të vazhdoj t’i kryej detyrat dhe përgjegjësitë e saj”, thuhet në këtë njoftim.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) informon SHKK-në dhe publikun se shkrimi i publikuar në platformën “Betimit për Drejtësi”, nga seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit Fatlum Gashi, është raportuar korrekt dhe saktë.  Përmes këtij shkrimi, “Betimi për Drejtësi” ka cituar gjyqtarin Agim Kuçi, i cili kishte deklaruar se “gjykata ka lëshuar urdhëresë e cila është pranuar nga njësia e paraburgimit  me kohë dhe në mënyrë të rregullt mirëpo nuk dihen arsyet se përse nuk kanë arritur të sjellin të akuzuarin Gashi në gjykim”.

Sipas njoftimit të SHKK-së në faqen e tyre në “Facebook”, është thënë e kundërta e asaj se çfarë ka thënë kryetari i trupit gjykues, Agim Kuçi.

Me qëllim të sqarimit më të detajuar lidhur me këtë raportim të “Betimi për Drejtësi”, IKD në këtë reagim përfshinë deklarimin e plotë të gjykatësit Kuçi, në lidhje me këtë rrethanë.

Mungon i akuzuari Fatlum Gashi, i cili gjendet në qendrën e paraburgimit, e për të cilin është lëshuar urdhëresë për sjelljen e tij në shqyrtimin e sotëm…, për të cilin është lëshuar urdhëresë për sjelljen e  tij nga qendra e paraburgimit, pranimi i të cilës urdhëresë është konfirmuar, mirëpo arsyet e mos realizimit të saj nuk i dimë”, ka thënë gjykatësi Kuçi, në fillim të seancës.

IKD konsideron se ky reagim i SHKK-së është i ngutshëm, jo korrekt dhe shpërfaq mungesën e profesionalizmit në këtë institucion, përfshirë mungesën e koordinimit dhe bashkëpunimit të duhur me sistemin gjyqësor në Kosovë, që sjell deri tek shtyrja e seancave gjyqësore për shkak të mos sjelljes së personave nga qendrat e paraburgimit në seanca gjyqësore.  Fajtori lidhur me mos mbajtjen e seancës gjyqësore në rastin konkret duhet të zgjidhet mes Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës, dhe në asnjë rrethanë tek Instituti i Kosovës për Drejtësi, që përmes lajmit të publikuar dje dhe reagimit të sotëm nga SHKK, vërtetohen rekomandimet e vazhdueshme të IKD-së, për të përmirësuar komunikimin dhe bashkëpunimin mes këtyre dy mekanizmave.

Pas këtij reagimi, IKD kërkon nga SHKK-ja që, duke marrë parasysh se ata kanë një pretendim tjetër me atë se çfarë ka thënë kryetari i trupit gjykues lidhur me sjelljen e të akuzuarit në gjykatë, të dalë me një sqarim tjetër në të cilin, përpos asaj që do të tregonte se reagimi i tyre nuk ka pasur të bënte me shkrimin e publikuar në portalin “Betimi për Drejtësi”, të tregonte se cili është versioni i tyre mbi atë se çfarë ka thënë gjyqtari Kuçi. /BetiipërDrejtësi