IKD: KGjK dhe KPK kanë ndjekur trajektore të ndryshme për një sistem të drejtësisë me integritet, transparencë dhe llogaridhënie

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

PrishtinëInstituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit, të enjten ka mbajtur një konferencë për media në të cilën është prezantuar raporti “Administrimi i sistemit të drejtësisë nga Këshillat”, Raporti i monitorimit të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial në vitin 2021.

Hulumtuesi i IKD-së, Lavdim Makshana tha se KGjK-ja gjatë vitit 2021 ka treguar progres sa i përket miratimit të akteve nënligjore në krahasim me vitin paraprak. Megjithatë, sipas tij, janë një sërë aktesh nënligjore që kanë dalë si obligime nga Ligji i ri për Gjykatat dhe ai për KGjK-në, të cilat nuk janë miratuar nga ana e KGjK-së. Po ashtu, ai tha se KGjK nuk ka miratuar as aktet normative të cilat i ka përfshirë në Planin e saj të Punës për vitin e kaluar.

Problematikë tjetër e ngritur nga Makshana është ndryshimi i shpeshtë i rregulloreve nga ana e KGjK-së. Për tu vlerësuar lartë sipas tij, është praktika pozitive e aplikuar nga KGjK për përfshirjen e publikut në fazën e draftimit të akteve normative, por që kërkohet formalizimi me akt nënligjor të veçantë.

Sa i përket ngritjes së llogaridhënies në KGjK, Makshana ka thënë se masa më e rëndë e shqiptuar nga Këshilli gjatë vitit 2021 ka qenë degradimi i ish-anëtarit të KGJK-së. Si progres në aspektin e ngritjes së llogaridhënies në KGjK, Makshana ka theksuar faktin se kryetarët e gjykatave janë ftuar që të raportojnë para anëtarëve të Këshillit. Sfidë që duhet adresuar nga KGjK-ja dhe sistemi gjyqësor, sipas tij, është adresimi konform ligjit i të gjitha kërkesave për qasje në dokumente publike dhe përmbushja e vlerësimit të performancës për gjyqtarë, siç parashihet me ligj.

Po ashtu, Makshana tha se zhvillimi i procedurave rekrutuese për pozitat udhëheqëse në kuadër të sistemit gjyqësor nuk është bërë konform afateve të përcaktuara nga vet KGjK-ja, duke ndikuar që një sërë gjykata themelore të mbeten për një kohë të gjatë me ushtrues detyre. Me mungesë të transparencës sipas tij ishte përcjellë edhe procesi i dekretimit të 23 gjyqtarëve,  për çka tha se ka pasur kritika edhe nga vet anëtarët e KGJK-së. Një sërë hapash pozitiv për ngritjen e llogaridhënies së gjyqësorit, sipas Makshanës, janë ndërmarrë pas zgjedhjes së kryesuesit të ri të KGjK-së.

Ndërsa, hulumtuesi Mirvet Thaqi deklaroi se KPK gjatë vitit të kaluar kishte treguar mungesë efikasiteti në nxjerrjen e akteve nënligjore në krahasim me vitin paraprak. Po ashtu, ky institucion sipas Thaqit, nuk kishte nxjerrë as aktet nënligjore të përfshira në Planin e saj të Punës e as ato që derivojnë nga Ligji i ri për KPK-në.

Sa i përket llogaridhënies dhe transparencës së KPK-së, Thaqi tha se ky institucion ka publikuar Raportin Vjetor të Punës dhe të Prokurorit të Shtetit brenda afateve ligjore, si dhe ka përfunduar vlerësimin e performancës për të gjithë prokurorët. Gjatë vitit 2021, sipas Thaqit, përqindja absolute e vendimmarrjes në Këshill ka qenë lirim i prokurorëve nga përgjegjësia disiplinore, derisa masa më e rëndë disiplinore e shqiptuar ka qenë vërejtja jo publike me shkrim, çka paraqet një qasje amnistuese të Këshillit në disiplinimin e prokurorëve që përfshihen në shkelje disiplinore. Sipas Thaqit ka pasur mangësi në transparencë sa i përket përgjigjeve në kërkesat për qasje në dokumente publike, publikimit të vendimeve të KPK-së si dhe të publikimit të vendimeve në gjuhën serbe.

Edhe këtë vit, sikurse në vitet e kaluara, IKD ka gjetur se KPK ka vazhduar me praktikën e avancimit të prokurorëve në emër të transferimeve, pa kaluar përmes institutit të konkursit.

Thaqi ka thënë se zgjedhja e Jetish Malokut si kryesues të KPK-së në janar të vitit 2021 ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme, pasi që ky i fundit kishte qenë anëtar i këtij institucioni gjatë viteve 2011-2015.

Thaqi ka thënë se vendim skandaloz i nxjerrë nga KPK ka qenë edhe ai për detyrimin e një ish-prokuroreje që të ndjekë trajnime tre muaj para pensionimit, për shkak të performancës së pamjaftueshme. Një vendim i tillë sipas Thaqit përveçse skandaloz, është edhe i padobishëm për vet sistemin prokurorial, pasi me daljen në pension të prokurores, KPK nuk mund të përfitojë asnjë dobi profesionale nga e njëjta.

Përpos kësaj, Thaqi tha se KPK ka treguar qasje selektive me rastin e trajtimit të akterëve të përfshirë në përgjimet e publikuara në media. Sipas tij, KPK kishte reaguar konform legjislacionit në fuqi ndaj përfshirjes së një ish-prokuroreje në këto përgjime, ndërsa ky institucion nuk kishte iniciuar fare procedurë hetimore disiplinore ndaj ish-Kryeprokurorit të Shtetit, ndonëse veprimet e këtij të fundit kanë qenë pothuajse identike me ato të ish-prokurores së degraduar./BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë