Identifikohen 18 viktima të kontrabandimit me migrantë, arrestohet një i dyshuar

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Prishtinë- Policia e Kosovës (PK) njofton se janë identifikuar 18 viktima të kontrabandimit me migrantë, ndërsa është arrestuar një i dyshuar .

Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga policia, ku thuhet se rasti ka ndodhur të dielën rreth orës 13:40, ku policia ndaloi një automjet/minibus, në të cilin ndodheshin 18 pasagjerë dhe pas legjitimimit të tyre është vërtetuar se të njëjtit janë shtetas të huaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Policia e Kosovës, konkretisht Njësia e Trafikut Rajonal- Prishtinë gjatë zbatimit të detyrave të rregullta për identifikimin e kundërvajtësve dhe parregullësive të tjera në trafikun rrugor, ka ndaluar për kontroll rutinore një automjet – minibus i tipit Mercedes, me targa vendore, ku gjatë kontrollimit të tij janë identifikuar 18 (tetëmbëdhjetë) persona, ku prej tyre 11 (njëmbëdhjetë) shtetas nga Siria, 6 (gjashtë) shtetas nga Egjipti dhe 1 (një) nga Iraku”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, të njëjtit kanë potencuar se në mënyrë të organizuar dhe të udhëhequr nga disa persona, përmes rrugëve ilegale nga Turqia dhe shtete të tjera, përfshirë edhe Kosovën, kishin për qëllim shkuarjen në drejtim të vendeve të BE-së.

Bëhet e ditur se lidhur me rastin janë angazhuar zyrtarë policorë nga Sektori i Hetimeve në kuadër të Departamentit për Kufi, të cilët janë marrë me procedurat e nevojshme për trajtimin e këtij rasti.

“Me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuari mashkull kosovar (ngasësi i automjetit) është arrestuar dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ndërsa shtetasit e huaj pas intervistimit nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj në Prishtinë janë dërguar në qendër të azilit”, njofton policia. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë