“Ibër Lepenci” kërkon kompensim për ujin që pretendon se i padituri e ka shfrytëzuar jashtëligjshëm

iber
Author

Raporton: Mirjeta PLAKIQI

Gusht 8, 2019

Drenas – Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër Lepenci”, po kërkon që të kompensohet në shumë prej mbi 1500 euro, për ujin që pretendon se i padituri Murat Berisha, e ka shfrytëzuar jashtëligjshëm.

Me pretendimet e tilla, se i padituri përmes një gypi është furnizuar me ujë nga kanalet që janë në pronësi të saj, kjo ndërmarrje ka ushtruar padi, për të kërkuar kompensim, për dëmin që pretendon se i është shkaktuar.

Lidhur me këtë padi, të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, është mbajtur seanca gjyqësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E autorizuara e palës paditëse, Naxhie Sadiku, ka deklaruar se mbeten në tërësi pranë precizimit të padisë, që është bërë më 13 qershor 2019, përmes se cilës, sipas saj, janë tërhequr pjesërisht nga padia.

Ajo ka thënë se tërheqja nga padia është bërë për pjesën ku kërkohej rrënimi i shtëpisë, që ishte ndërtuar ngjitur me kanalin e ujit, që menaxhohet nga “Ibër Lepenci”.

Një gjë e tillë, sipas Sadikut, ka ndodhur pasi që Departamenti i Teknikes i kësaj ndërmarrjeje, ka konsideruar se nuk është kompetente për të kërkuar rrënimin e shtëpisë.

“Arsyeja e tërheqjes për lirim të pronës, përkatësisht, për largimin e objektit të betonuar në pronën e paditësit, konsiderojmë se nuk është e nevojshme për prishjen e tij, pasi vete paditësja do të bëjë kufizimin e pronës se vet, siç e kemi cekur në precizimin e padisë”, ka deklaruar ajo.

Ndërsa, shuma e kërkuar prej 1.551.47 euro, për kompensim dëmi për shfrytëzimin e ujit, është për periudhën prej një sezoni, përkatësisht 2013-2014, edhe pse sipas saj, dëmi është bërë edhe më parë, përkatësisht prej kur është asfaltuar rruga.

Nga ana tjetër, i autorizuari i të paditurit Murat Berisha, avokati Gëzim Plakaj, ka deklaruar se e kundërshtojnë në tërësi kërkesëpadinë si dhe precizimin e saj, me arsyetimin se pala paditëse, nuk ka prova kredibile që do të dëshmonte shumën e shpenzimit të ujit gjatë asaj periudhe.

Avokati Plakaj, ka thënë se pretendimi i lartësisë së dëmit prej 1551.47, është i pa kalkuluar mirë, është tendencioz, i pambështetur në ndonjë ekspertizë dhe se sipas tij, është tërësisht paushall.

“Andaj, si e tillë konsiderojmë qe pala paditëse është dashur që me kohë të bëjë kërkesa me të arsyeshme, e jo tendencioze”, ka thënë ai.

Ai ka propozuar palës paditëse që këtë çështje ta përmbyllin me marrëveshje, duke i ofruar shumën prej 200 euro, duke marrë parasysh sasinë e ujit të shpenzuar.

Por, me një ofertë të tillë nuk është pajtuar përfaqësuesja e autorizuar e palës paditëse, e cila ka thënë se i kundërshtojnë deklarimet e palës së paditur, me faktin se nuk është kontestuese shfrytëzimi i ujit nga i padituri, ndërsa ka thënë se nga ekspertët e palës paditëse është bërë llogaritja sipas paramasës dhe parallogarisë të dorëzuar me padi.

“Nuk mund të pranojmë një ofertë të tillë në vlerë prej 200 euro, për kompensimin e dëmit të shkaktuar nga ana e paditësit”, ka thënë ajo, duke propozuar arritjen e një marrëveshje, përmes së cilës për pagesën e lartësisë së dëmit të vendosur në precizimin e padisë, sipas saj, i padituri mund ta paguajë me këste mujore, deri në përfundimin total si dhe të bartë shpenzimet procedurale.

Në pyetjen e gjykatësit të rastit, Jeton Krasniqi, nëse ka ndonjë propozim tjetër, apo të vazhdohet me administrimin e provave, të autorizuarit e palëve ndërgjygjyëse kanë propozuar qe seanca të shtyhet për një datë tjetër, në mënyrë që të diskutohet mundësia e caktimit të një eksperti.

Ky propozim është aprovuar dhe seanca e radhës është caktuar për 12 shtator 2019, nga ora 10:00.

Ndryshe, Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër Lepenci”, më 12 shkurt 2014, ka ushtruar padi ndaj Murat Berishës, nga i cili kërkon kompensim të dëmit.

Në padi thuhet se gjatë një procesi gjyqësor më 16 janar 2014, nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, është caktuar dalja në terren në fshatin Vasilevë , në kontestin civil ku paditës është Murat Berisha, kurse e paditur “Ibër Lepenci”, ku pjesëmarrës kanë qenë gjykatësi me ekspertë gjyqësorë dhe palët në kontest, me ç`rast thuhet se pala e paditur ka konstatuar keqpërdorimet në pronën e vet, të shkaktuara nga Murat Berisha.

Në padi thuhet se i padituri me rastin e ndërtimit të objektit, murit mbrojtës e ka ndërtuar shtëpinë në pronën e “Ibër Lepencit”, sipas matjeve gjeodezike, si dhe ka bërë ndërtimin e shtëpisë në kundërshtim me nenin 48.1.3të Ligjit të Ujërave, sipas të cilit ndalohet ndërtimi i objekteve në afërsi të kanaleve në distancë, minimum 30 metrash.

Sipas padisë, me rastin e mihjes së bodrumit të shtëpisë, ka shkaktuar destabilitet në kanalin e ujitjes, i cili ndodhet në pjesën e sipërme të objektit, përkatësisht shtëpisë.

Kurse, në precizimin e padisë thuhet se pala paditëse ka marrë informata se muri mbrojtës ka qenë investim i komunës dhe jo i palës së paditur, ndaj është tërhequr nga kërkesa në padi për rrënimin e murit nga i padituri.

Sipas precizimit të padisë, i padituri në kanalin e “Ibër Lepencit”, ka vendosur dy gypa, përmes të cilave është furnizuar me ujë në mënyrë të kundërligjshme, me ç`rast kësaj ndërmarrje i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 1.551.47 euro.

Gjithmonë sipas padisë, zyrtarët e autorizuar të palës paditëse kanë vërtetuar se me inicimin e procedurës gjyqësore, i padituri ka larguar gypat nga kanali i ujit, përkatësisht nuk është duke marrë ujë më tutje në mënyrë ilegale, mirëpo kërkon kompensim për kohën kur një gjë e tillë ka ndodhur, dhe sipas padisë, një gjë e tillë është vërtetuar me aktgjykimin penal.

Kjo ndërmarrje, i ka propozuar Gjykatës që të nxjerr aktgjykim me të cilin do ta aprovonte në tërësi precizimin e padisë dhe të detyrohet i padituri që në afat prej shtatë ditësh të paguajë vlerën prej 1.551.47, euro, me kamatë ligjore, duke filluar nga dita e ushtrimit të padisë.

Gjithashtu, në padi thuhet se i padituri, derisa ka ndërtuar shtëpinë në kundërshtim me ligjin, do të mbajë përgjegjësi civile dhe penale, në rast të dëmtimit të kanalit të cilin e menaxhon “Ibër Lepenci”, e po ashtu i padituri, sipas padisë, nuk mund të kërkojë asnjë kompensim dëmi, në rast të rrjedhjes së kanalit, të cilin vet e ka shpuar. /BetimipërDrejtësi