I PARABURGOSURI DËSHMON KUNDËR GARDIANIT TË QENDRËS SË PARABURGIMIT NË PEJË

Raporton: Valdet HAJDINI

Pejë– Është mbajtur seanca e shqyrtimit kryesor ndaj Oficerit Korrektues të Qendrës së Paraburgimit në Pejë, Sudan Topalli, i akuzuar për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Në seancën e së premtës, ka dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit Veton Syla, i cili kishte qenë i paraburgosur në Qendrën e Paraburgimit në Pejë gjatë kohës për të cilën ngarkohet i akuzuari.

Në këtë seancë gjyqësore, dëshmitari Syla është kryesisht rreth njohjes dhe trajtimit të tij gjatë qëndrimit në Qendrën e Paraburgimit në Pejë. “Për më shumë se dy muaj kam qenë në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit në Pejë, por nuk kam pasur ndonjë kontakt personal me të akuzuarin Sudan Topalli” tha ai.  Tutje dëshmitari Syla deklaroj se gjatë kohës sa ka qëndruar në paraburgim, asnjëherë nuk ka pranuar ndonjë gjë nga gardiani Sudan Topalli, e as telefon mobil.

Tutje, Veton Syla është përgjigjur në pyetje të prokurorit Agim Kurmehaj, të cilat kishin të bënin me posedimin e një telefoni mobil në dhomën ku ka qëndruar i paraburgosuri, por edhe për mënyrën e futjes së atij telefoni aty.  “Është e vërtetë se ne kemi pasur një telefon mobil, të tipit Nokia në dhomë, por unë nuk e di se si ai telefon është futur në dhomë”. Tutje dëshmitari tha se për posedimin e atij telefoni, i njejti ishte sanksionuar me masën e vetmisë, ndalimin e telefonatave dhe reduktim të viitave.

Me përfundimin e dëshmisë së dëshmitarit Veton Syla, seanca e shqyrtimit gjyqësor u ndërpre, për shkak se anëtarja e trupit gjykues kishte një seminar dhe duhej të merrte pjesë në të.

Seanca e ardhshme e shqyrtimit gjyqësor u caktua për datë 22 prill 2016, ku i akuzuari do të jap mbrojtjen e vet.

Ky gjykim po zhvillohet në bazë të pretendimit të prokurorisë, ku i akuzuari Sudan Topalli me dt. 28.11.2014, në Qendrën e Paraburgimit në Pejë, në krahun D2, duke shfrytëzuar pozitën e tij-Oficer Korrektues, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veti, në dhomën e të paraburgosurve V. S. (Veton Syla), A. I. (Arsim Istrefi) dhe S. H. (Sejdi Hoxha), ka futur një telefon mobil, i cili deri me datë 2 qershor 2014 është përdorur nga bashkëshortja e të akuzuarit.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë