I padituri thotë se noteri kishte bërë marrëveshje kundërligjore, ky i fundit do ftohet si dëshmitar në seancën e radhës

Raporton: Arlinda MUQA

Pejë- Në çështjen civile për vërtetimin e pronësisë, i padituri K.K, deklaroi se marrëveshjet e lidhura tek noteri Bashkim Stavileci, nga ndërhyrësi T.D, ishin të në mënyrë të kundërligjshme pasi që në atë marrëveshje thuhet se ishte bërë bartja e pronësisë, ndryshimi i pronarëve për ngastrën kontestuese në të cilën ishte lëshuar masa e sigurisë.

Për këtë arsye, i padituri K. propozoi që si dëshmitar për këtë çështje të dëgjohet edhe noteri në fjalë Bashkim Stavileci, propozim ky i cili u aprovua nga gjyqtarja e çështjes Afërdita Mulhaxha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht në seancën e së martës, i autorizuari i paditëses H.R, avokati Idriz Ibraj, deklaroi se mbetet pranë padisë dhe deklarimeve të deritanishme, si dhe pranë kundërshtimit që të revokohet masa e përkohshme e sigurisë.

Tutje, ai theksoi se është e nevojshme që masa e sigurisë të qëndrojë akoma, ngase të gjitha veprimet e kryera në kohën kur është caktuar masa e përkohshme lidhur me marrëveshjet tek noteri, mendon se janë veprime kundërligjore nga ana e palëve dhe ana e noterit.

Kjo ngase sipas tij, i njëjti nuk ishte dashur të nënshkruajë marrëveshjen për bartjen e vërtetimit të pronësisë, ndryshimin e pjesshëm të pronarëve për të cilën ngastër ishte lëshuar masa e përkohshme e sigurisë.

Më pas, i padituri K.K deklaroi që pajtohet në tërësi me fjalët e avokatit Idriz Ibraj, pasi që edhe ai mendon se noteri ka bërë shkelje ligjore kur e ka lidhur atë marrëveshje që është në lëndë.

I padituri sqaroi se ata ende nuk e kanë rregulluar patundshmërinë që të kalojë në emër të pasardhësve nga babai i tij, edhe pse të njëjtit i kishin përfunduar procedurën e trashëgimisë, por për shkak të masës nuk kanë mundur ta rregullojnë edhe në kadastër.

Tutje deklaroi se ai dhe familja e tij, ishin mashtruar komplet nga ana e ndërhyrësit T.D dhe noterit Bashkim Stavileci, i cili tha se ishte keqpërdorë autorizimi i motrës së tij, të paditurës B.

Sipas të paditurit, ai ishte në bisedime për të arritur marrëveshje me paditësen H.R.

I padituri tutje tha se duke e ditur faktin se prona lëndore është ende në emër të babait të tij të ndjerë dhe po ashtu ekziston fakti se babai i tij kishte marrë para borxh nga padisja për ndërtimin e objektit në atë pronë, marrëveshja e tyre është që t’ia sjellin shumën në kesh ose me sipërfaqe m2.

I  padituri gjithashtu deklaroi se ndaj T. nuk kanë asnjë borxh, pasi që i njëjti kishte marrë lokalin e 500 mijë eurove për 107 mijë euro dhe për këtë sipas tij ekziston një kopje e përpiluar tek avokati Besnik Blakaj, ku ishte nënshkruar huadhënia nga T.D dhe babait të tij S.K e 16 dhjetorit 2009.

Gjithashtu, i padituri e kundërshtoi ndërhyrjen e ndërhyrësit në këtë çështje, duke thënë se ai i kishte marrë për borxh lokalin, e që në terren e shfrytëzon lokalin e cekur dhe mban edhe më tepër se 33 m2.

Tutje, i autorizuari i ndërhyrësit, avokati Sali Mekaj, mbeti pranë deklarimeve të kaluara, ndërsa shtoi se mënyra e kësaj çështje ka devijuar në tërësi nga ajo që është objekt i këtij kontesti.

Sipas tij, në padi kërkohet njohja e një të drejte së pronësisë nga ana e të paditurve të ngastrës  kadastrale.

Sipas avokatit Mekaj, objekt i kontestit nuk janë fare kontratat që janë lidhë se ndërhyrësi e ka lidhur me të paditurit qoftë për njohjen e të drejtës së pronësisë me ½ të ngastrës kontestuese, qoftë për lokalin afarist.

Ai gjithashtu deklaroi se ekziston një parashtresë e të paditurit, që kanë arritur marrëveshje me paditësit e atëhershëm lidhur me pronën lëndore e që ka mbajt nr.88/10 dhe atëherë është kërkuar edhe tërheqja e masës së përkohshme.

Andaj, ai theksoi se të gjitha marrëveshjet e lidhura në mes të paditurve dhe T.D janë në shprehje të lirë me pronën e trashëguar nga pasardhësi i tyre S.K.

Avokati Mekaj kundërshtoi propozimin për dëgjimin e noterit Stavileci si dhe paditëses H.R, me arsyetimin se nuk kanë të bëjnë në lidhje me kontestin.

Më pas, i autorizuari i paditëses, avokati Ibraj bëri të ditur se nuk ishte ende ndonjë marrëveshje në mes të paditurve me paditësen, përveç bisedimeve nga ana e tyre.

Po që se arrihet një gjë e tillë, avokati Ibraj tha se do i njoftojë palët dhe gjykatën në mënyrë zyrtare. I njëjti nuk ishte kundër propozimit të paditurit për dëgjimin e dëshmitarëve të lartcekur.

Në fund, sipas të paditurit K., marrëveshjet e nënshkruara ishin bërë pa vullnetin e tyre, pasi që nga ndërhyrësi deklaroi se kishin pasur kërcënime edhe sa ishte babai i tij gjallë, por edhe pas vdekjes së tij.

“Andaj, ne kemi qenë të detyruar që të nënshkruajmë çdo dokument nën kërcënim”, tha ai.

Pas kësaj, gjyqtarja Mulhaxha, mori vendim që si dëshmitarë të dëgjoheshin noteri Bashkim Stavileci, paditësja H.R, si dhe avokati Adem Gorani, i propozuar nga i autorizuari i ndërhyrësit.

Ndërsa, seanca e radhës u caktua për 29 shtator 2022.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 25 shkurt 2010, nga paditësit H.R dhe T.D, ku ky i fundit tani në rrjedhën e procedurës është palë ndërhyrëse, kundër të paditurit të ndjerit S.K, tani trashëgimlënësve, S., K. dhe B.K, për vërtetimin e pronësisë, i padituri kishte qenë në kontest pronësor me Komunën e Pejës, përkitazi me ngastrën kadastrale nr.890/1, në sipërfaqe prej 1120 m2, e regjistruar në fletën poseduese nr.2608 Zona Kadastrale- Pejë.

Tutje thuhet se Komuna e Pejës i kishte preferuar të paditurit zgjidhjen e kontestit me shkëmbimin e ngastrës së përshkruar me ndonjë ngastër tjetër të përafërt, e cila mund të arsyetohet me interesat e komunës.

Sipas padisë, i padituri nuk kishte ndonjë sipërfaqe toke për t’i ofruar Komunës së Pejës, për shkëmbimin e kjo e ka shtyrë të bëjë marrëveshje me paditësit, që këta t’i blejnë ngastrat.

Në padi thuhet se marrëveshja ka qenë që ato dy ngastra të regjistrohen vetëm në emrin e paditëses H., e pastaj të bëhet shkëmbimi me ngastrën kadastrale nr.890/1, e që kjo ishte bërë kusht që paditësit dhe i paditurit të jenë pronarë të përbashkët nga 1/3 e ngastrës së fituar me shkëmbim. /BetmipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë