I padituri refuzon ftesën e gjykatës, përfundon shqyrtimi gjyqësor ku BKS-ja po ia kërkon 630 euro

Raporton: Ronesa DRAGUSHA

Prishtinë – I padituri F.I e ka refuzuar ftesën të marrë pjesën në seancën e së premtes në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku Byroja Kosovare e Sigurimit po ia kërkon 630 euro si fajtor në aksidentin e korrikut të 2012-ës.

Gjykatësja Rrezarta Sylejmani – Voca, në fillim të seancës ka bërë të ditur se F.I ishte ftuar në mënyrë të rregullt mirëpo e ka refuzuar ftesën për seancën e së premtes.

Mirëpo me propozimin e përfaqësuesen së BKS-së, Benita Binaku, seanca e sotme ka vazhduar të mbahet.

Tutje Binaku ka thënë se ne bazë të provave të bashkangjitura në padi, është vërtetuar se në mënyrë të plotë dhe të saktë gjendja faktike ashtu që i padituri, është shkaktar kryesor i këtij aksidenti.

E njëjta ka shtuar se po ashtu në bazë të provave vërtetohet se BKS me të dëmtuarin, kanë arritur ujdi jashtëgjyqësore të datës 22 prill 2014 në bazë të ligjeve të aplikueshme andaj është vërtetuar në tërësi baza juridike ashtu edhe lartësia e kërkesëpadisë, andaj ka kërkuar nga gjykata që ta aprovojë padinë dhe kërkesëpadinë si të bazuar.

Po ashtu Binaku, ka thënë se kërkojnë  që të detyrohet F.I që në emër të rimbursimit të dëmit t’ia paguaj BKS-së 630 euro duke përfshirë kamatën ligjore nga dita e ngritjes së padisë deri në ditën e pagesës përfundimtare e edhe shpenzimet procedurale në emër të taksës gjyqësore.

Gjykatësja Sylejmani – Voca ka konstatuar se shqyrtimi gjyqësor për këtë çështje juridike ka përfunduar

Ndryse sipas padisë së 12 shtatorit 2017, Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) po kërkon rimbursimin e dëmit material dhe jomaterial nga F.I, i cili sipas padisë është shkaktar i aksidentit më 24 korrik 2012, me ç’rast i ka shkaktuar dëme të dëmtuarit S.Q.

Në padi thuhet se BKS në bazë të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia i ka kompensuar dëmin material dhe jomaterial të dëmtuarit S.Q.

Andaj mbi këtë bazë BKS po kërkon nga gjykata që t’i miratohet kërkesëpadia si e bazuar dhe të detyrohet F.I që në emër të rimbursimit të dëmit të shkaktuar në aksidentin e trafikut t’ia paguajë shumën prej 630 euro, me kamatë ligjore nga data e ushtrimit të padisë e deri në pagesën definitive, po ashtu t’ia paguaj paditëses edhe shpenzimet e procedurës. /BetimipërDrejtësi

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë