I mituri theret me thikë nga një bashkëmoshatar në Gjilan, policia jep detaje për arrestimin e të dyshuarit
Raporton: Adelina Ajeti
Gjilan- Policia e Kosovës (PK) njofton se është arrestuar një person nën dyshimin (i mitur) për therjen me thikë të një bashkëmoshatari.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ku njoftoi se ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti “Lëndim i rëndë trupor”.
“Viktima është dërguar në emergjencën rajonale në Gjilan ku edhe iu ka dhënë tretmani mjekësor dhe gjendja shëndetësore e tij për momentin është stabile. Mjeti i mprehtë thika me të cilën i dyshuari ka kryer këtë vepër është sekuestruar nga policia dhe dërgohet në Prokurorinë Themelore si provë materiale”, tha Hashani
I njëjti tha se të dyshuarit të miturit me vendim të lëshuar nga prokurori për krime të rënda në Gjilan, i caktohet masa e ndalimit për 24 orë.
Hashani bëri të ditur se rasti “Lëndim i rëndë trupor” dërgohet në Prokurorinë Themelore në Gjilan. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.