I dyshuari: Më duheshin pare për me qitë vëllain jashtë, bashkë me shokun grabitëm dyqanin në Vushtrri

Raporti për web- rast Endrit Hajdari, 12 korrik 2019
Author

Raporton: Saranda MEHANA

Korrik 12, 2019

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, të premten, ka caktuar një muaj paraburgim ndaj E.H dhe F.Z, të cilët dyshohen se më 11 korrik 2019, kanë grabitur filialin e “Kapital Ria”, në Vushtrri.

Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, masa e paraburgimit është caktuar nga gjykatësja Pranvera Ademi, dhe se të dyshuarve u llogaritet paraburgimi nga 10 korriku 2019, deri më 10 gusht 2019.

Ata dyshohen se më 10 korrik 2019, në Vushtrri, derisa dëshmitarja F.F, ka qenë duke pastruar xhamat e lokalit, përkatësisht filialit për transferim të parave “Kapital Ria”, i dyshuari E.H, i cili ka pasur maskë të zezë në kokë, ka hyrë në arkë dhe i ka marrë paratë në vlerë prej 250 euro, pastaj nga çanta e të dëmtuarës ka portofolin, kurse i dyshuari F.Z, ka qëndruar tek dera e lokalit duke bërë roje.

Masa e paraburgimit ndaj tyre është caktuar pas seancës dëgjimore që është mbajtur të premten në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të cilën masë e ka propozuar prokurorja Fetija Bajrami-Shala, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I dyshuari E.H, ka thënë se e pranon fajësinë dhe ka shprehur keqardhje për rastin që ka ndodhur.

“Së pari më vjen keq prej asaj vajzës, të dëmtuarës qe e kena frikësuar. Këtë punë e kam bërë unë me shokun tim që s’kom pas qare pa e bo. Jom munu me rahatu vëllaun tim me hek prej këtij veni me qitë jashtë. Asaj vajzës vetëm arkën e pareve ja kemi marr asgjë tjetër, as nuk e kemi lënduar. Veç unë i kam marr ato pare me shokun tem dhe nuk e di se sa kanë qenë pasi që ato para kanë rënë në ujë. Paret kanë qenë në xhep të jaknes dhe më ka ngre uji dhe e kam hek jaknen kanë rene në ujë”, ka thënë i dyshuari E.H.

Edhe i dyshuari tjetër F.Z, ka shprehur keqardhje për rastin, duke thënë se është penduar që ka kryer një vepër të tillë.

“Ndjej shumë keqardhje për rastin, sidomos për atë çikën atje që e kena shqetësuar. Kam pasur një lloj borxhi në shumë prej 1800 euro, ku jom kanë i detyruar paret mi bo ose qaty në Vushtrri mos me nejt hiq mo. Kam biseduar me E.H se e njoh moti jena te një mahalle dhe i kam treguar për këtë borxh që duhet ta kthej dhe ai me ka thënë që edhe ai don me qitë vëllaun jashtë e duhet me ja bo paret. Dhe kemi bo plan me hi e kena marr ka ni thikë, por atë vajzën nuk e kemi sulmuar, po më vjen keq prej saj, e kom bo veprën dhe jom pendu, se kushtet i kam shumë ligsht qe 10 vite jetoj me qira, babain e kam te semurë dhe kjo ishte arsyeja që më ka shtyrë më së shumti ai borxh që të bëjë këtë vepër edhe pse pendohem shumë që e kam bërë”, ka thënë i dyshuari F.Z.

Kurse, prokurorja Fetije Bajrami Shala, ka elaboruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

Siç ka thënë prokurorja Fetije Bajrami Shala, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuar kane kryer veprën penale grabitja, dhe se ekziston edhe mundësia e arratisjes, sepse edhe menjëherë pas kryerjes se veprës penale, sipas saj, të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

Po ashtu, prokurorja ka thënë se ekziston rreziku se mund të ndikojnë tek dëshmitaret apo të zhduket edhe ndonjë provë tjetër.

Prokurorja Fetije Bajrami Shala, ka thënë se marr parasysh kryerjen e veprës penale, dosjen kriminale ë të dyshuarve, siç ka thënë ajo, konsideron se masat e tjera më të buta do të ishin të paefektshme për zhvillimin dhe prezencën e tyre në procedurë gjyqësore, me ç` rast i ka propozuar gjykatës t’i merr parasysh provat dhe të caktojë masën për paraburgim.

Ndërkaq, mbrojtësja e të dyshuarit E.H, e caktuar sipas detyrës zyrtare, avokatja Hidajete Mazhiqi, ka kërkuar që fillimisht të konsultohet më të mbrojturin e saj, e më pas e njëjta e ka kundërshtuar në tërësi kërkesën për caktimin e masës se paraburgimit.

Ajo ka thënë se i mbrojturi i saj pas konsultimit me të si dhe gjatë kohës që i është dhënë nga gjykata për konsultim, është i pajtimit që ta pranojë fajësinë dhe kërkon nga gjykata që t’i merr parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese, dhe që në këtë rast ta pranojë fajësinë.

Avokatja Hidajete Mazhiqi, ka thënë se i mbrojturi i saj ka premtuar që nuk do të kryej ndonjë vepër tjetër penale dhe do t’i përgjigjet të gjitha kërkesave dhe thirrjeve nga ana e Policisë dhe nga ana e Gjykatës.

Ajo kërkoi që ndaj të mbrojturit të saj të caktohet një masë më e butë, siç është ajo e mbrojtjes në liri, apo ndonjë masë tjetër alternative.

Ndërkaq, mbrojtësi i të dyshuarit F.Z, avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare, Gazmend Ismajli, i ka propozuar gjykatës që kërkesën e prokurorisë ta hedhe si të pabazuar.

“Prokuroria në kërkesën e saj respektivisht në faqen 3 pasuesi 4 e vë në pah një fakt, i cili nuk është i vërtetë dhe për mendimin e mbrojtjes, është i kundërligjshëm, sepse fakti se i mbrojturi im është mbrojtur në heshtje nuk mund të kontestohet duke aluduar se i njëjti është deklaruar para se të vijë avokati, kjo për faktin se KPP e përcakton se dhënia e deklaratës ne polici në rastin konkret duhet të fillojë të ipet me prezencën e avokatit”, ka thënë avokati Ismajli.

Ai ka thënë se mbrojtja nuk dëshiron të lëshohet tek çështja e dyshimit të bazuar, e as të çështja e fajësisë apo pafajësisë, sepse siç ka thënë ai, kjo seancë mbahet për caktimin e masës apo jo.

“Pretendimet e prokurorisë për caktim te masës sa i përket pikës 1.2.1 që ka te beje me arratisjen bien ne kundërshtim me vete konstatimin e kësaj te fundit sepse e njëjta pretendon se i mbrojturi im njihet për kryerjen e veprave penale, por qe prokurorja nuk ofron ndonjë provë që do ta binde gjykatën se i njëjti do te arratiset, fakti se i mbrojturi im ka ikur nga vendi i ngjarjes nuk është arsyetim se i njëjti do të arratiset edhe me tutje”, ka shtuar avokati Ismajli.

Ai ka thënë se sa i përket ndikimit të dëshmitarëve, mbrojtja konsideron se mund të caktohen masa siç janë arresti shtëpiak, me të cilin do të evitohej ndikimi të dëshmitarët, të dëmtuarit, e po ashtu do të evitohej edhe rreziku i përsëritjes së mëtutjeshëm të veprave penale.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 11 korrik 2019, ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj E.H dhe F.Z, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “grabitja”.

Sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit E.H dhe F.Z, më 10 korrik 2019, rreth orës 9:20, në Vushtrri, se bashku me përdorimin e forcës dhe me kanosje serioze për të sulmuar jetën e personit tjetër, kane përvetësuar pasurinë e luajtshme të personit tjetër, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme.

Gjithmonë sipas kërkesës për caktimin e masës se paraburgimit, derisa dëshmitarja F.F ka qenë duke pastruar xhamat e lokalit, filiali për transferim të parave “Kapital Ria”, i ka parë dy persona me maska në kokë, duke shkuar në drejtim të saj, e dëmtuara nga frika ka hyrë brenda në lokal, ku menjëherë pas saj kanë hyrë edhe dy të dyshuarit duke i kërkuar para.

Më tej, në këtë kërkesë, thuhet se i dyshuari E.H, i cili ka pasur maskë të zezë të hapur te vrimat e syve e ka mbajtur dorën e majtë në xhepin e majtë të xhaketës dhe duke e drejtuar dorën në drejtim të dëmtuarës, duke dhënë shenjë se ka armë, fillimisht i ka bërtitur të dëmtuarës me fjalët “qiti paret, qiti paret”, pastaj ka hyrë në arkë dhe i ka marrë paratë në vlerë prej 250 euro, pastaj ka hapur çantën e të dëmtuarës dhe ia ka marrë portofolin, kurse i dyshuari F.Z, ka qëndruar brenda lokalit, tek dera, duke bërë roje. /BetimipërDrejtësi