I dënuari që u kap duke transportuar 48 kg mariuhanë kërkon nga Apeli t’i zbutet dënimi

Rasti Nike Bokshi - 29.11.2019
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Nëntor 29, 2019

Prishtinë – Një dënim më të butë se sa që i ishte shqiptuar nga shkalla e parë, po kërkon nga Gjykata e Apelit, Nikë Bokshi.

Bokshi ishte zënë nga Policia e Kosovës, në qershor të këtij viti, duke tentuar të transportonte 48 kg mariuhanë nga Shqipëria në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi që e kishte pranuar fajësinë, ai ishte shpallur fajtor më 14 tetor 2019 nga Gjykata Themelore në Gjakovë, për veprën penale “blerja posedimi shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Gjykata e kishte dënuar Bokshin me burgim në kohëzgjatje prej katër vite si dhe dënim me gjobë në lartësi prej 2000 euro.

Po ashtu, gjykata kishte vendosur që të akuzuarit t’i konfiskohen edhe vetura e markës “Opel Vectra”, një telefon “Samsung” si dhe 5000 euro kesh, me arsyetimin se të njëjtat kishin shërbyer për kryerjen e veprës penale.

E pakënaqur me lartësinë e dënimit të shqiptuar, mbrojtja e Bokshit është ankuar në Apel.

Konkretisht, avokati mbrojtës Ndrec Dodaj, ka ushtruar ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë vetëm sa i përket lartësisë së dënimit të shqiptuar, duke i propozuar shkallës së dytë që të zbut dënimin e shqiptuar.

Sipas ankesës së avokatit Dodaj, i cili nuk ishte i pranishëm në seancën e së premtes që u mbajt nga kolegji i Apelit, por e cila ankesë u referua nga gjykatësi raportues, Xhevdet Abazi, dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit është shumë i rëndë.

Sipas kësaj ankese, nëse vlerësohen siç duhet rrethanat lehtësuese dhe nëse analizohet edhe praktika gjyqësore e gjykatave në Kosovë për raste të ngjashme, atëherë dënimi në këtë rast duhet të jetë më butë, apo jo më shumë se dy vjet burgim.

“Mbetem në tërësi prapa pretendimeve ankimore”, tha në fjalën e tij para kolegjit të Apelit, avokati Vahid Halili, që iu caktua të akuzuarit sipas detyrës zyrtare nga gjykata.

Edhe vet i akuzuari ishte shkurtë në deklarimin e tij, ku vetëm tha se pajtohet me ankesën dhe fjalën e avokatit.

Kurse, Prokuroria e Apelit, përmes një parashtrese drejtuar gjykatës së shkallës së dytë i ka propozuar kësaj të fundit që të refuzon ankesën e mbrojtjes dhe të vërteton aktgjykimin e shkallës së parë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Bokshi akuzohet se më 19 qershor 2019, rreth orës 21:00, pa autorizim ka transportuar me qëllim shitje substanca analoge dhe psikotrope të shpallura si të paligjshme.

Sipas aktakuzës, gjatë një kontrolle të bërë nga forcat speciale të Policisë së Kosovës, në veturën e markës “Opel Vectra”, të cilin kishte qenë duke e drejtuar i akuzuari, përkatësisht në bagazhin e veturës ishin gjetur shtatë thasë të mbushura me narkotikë të llojit mariuhanë, pesha totale e të cilës kishte qenë 48 kg e 650 gram.

Këtë sasi të narkotikut, sipas aktakuzës, i akuzuari e kishte marrë ditën kritike në ora 11:00 në qytetin e Bajram Currit në Shqipëri, ndërsa ishte zënë në pikën kufitare në Qafë Morinë nga ana e Policisë. /Betimipërdrejtësi