I dënuari për vrasje të rëndë nuk paraqitet në seancën ku do të diskutohej ndryshimi i masës së trajtimit të detyruar psikiatrik

20190607_095521
Author

Raporton: Medina KADRIU

Qershor 7, 2019

Prishtinë – I dënuari për vrasje të rëndë, B.Th nuk është paraqitur në seancën e kolegjit, e paraparë të mbahet të premten, ku do të diskutohej ndryshimi i masës së trajtimit të detyruar psikiatrik ndaj tij, që ishte shqiptuar më 3 nëntor të vitit 2016.

Sipas aktvendimit për caktimin e masës së trajtimit të detyruar psikiatrik, duke qenë në paaftësi mendore, B.Th e ka privuar nga jeta tani të ndjerin I.Sh.

Prezent në seancën e kolegjit ishte eksperti Fahri Drevinja, i cili deklaroi se mungesa e pacientit të tyre ishte e arsyeshme, për shkak se i njëjti e ka shfrytëzuar pushimin që quhet terepautik.

Tutje, eksperti deklaroi se B.Th, në realitet, skadesën e pushimit e ka pasur në ditën e sotme, mirëpo ardhja në spital sipas tij është e hapur nga ora 09:00 e deri në orën 14:00.

“Nuk kemi mujt me paralajmëru sepse unë kam qenë në pushim vjetor nga data 27 e deri më 10 qershor. Edhe sot jam në pushim po më kanë lajmëruar qe thirrjen e kam sot e kam ardhë. E kena lëshu në vikend, shpresova që vjen në ora 09:00, e  kapi e bi ktu”, deklaroi eksperti Drevinja.

Prezent në gjykatore ishte avokati i tij i caktuar sipas detyrës zyrtare, Kastriot Feka, ndërkaq mungonte prokurorja Bukurije Gjonbalaj.

Sa i përket mos prezencës së prokurores Gjonbalaj, kryetari i kolegjit, gjykatës Arben Hoti tha se e njëjta ka kërkuar të lirohet nga pjesëmarrja, me arsyetimin se ka angazhim në zyrë.

“Kryetari i kolegjit ka biseduar me prokuroren që ishte në zyrën e tij, e ka lajmëruar prokuroren për mosardhjen e të pandehurit, për arsyet që i ceki doktori, dhe e njëjta ka kërkuar nga kryetari i kolegjit që ta liroj pasi ka angazhim në zyrë”, tha ai.

Në këto rrethana, kjo seancë është shtyrë dhe pritet të mbahet më 14 qershor, me fillim nga ora 10:00.

Kjo, sipas aktvendimit për caktimin e masës së trajtimit të detyruar psikiatrik, B.Th, me 7 shkurt 2016, rreth orës 18:00, në rrugën  “Rinia” në Prishtinë, në një dhomë të improvizuar, kthinë pranë stadiumit të Klubit Futbollistik “Prishtina”, në të cilën banonte tani i dënuari dhe tani i ndjeri I.Sh, i dënuari e shfrytëzon rastin derisa i ndjeri ishte duke fjetur e me mjet të fortë të paidentifikuar e godet në kokë disa herë, me ç’rast të njëjtit i shkakton lëndime vdekjeprurëse. /Betimipërdrejtësi