I dënuari për ushtrim ndikimi dhe detyrim në tentativë po kërkon pafajësinë në Gjykatën e Apelit

IMG_1445
Author

Raporton: Gzime Hashani

Korrik 29, 2020

Prishtinë – I dënuari me 1 vit e 4 muaj burgim dhe 500 euro gjobë për ushtrim ndikimi dhe detyrim në tentativë, Avdyl Isufi po kërkon lirimin nga Gjykata e Apelit.

Ai akuzohet se nga dhjetori i vitit 2016, deri më 14 gusht 2017, në Ferizaj dhe në disa vende të tjera të Kosovës, në vazhdimësi, në mënyrë të drejtpërdrejtë, kishte kërkuar para nga tani i dëmtuari Nuredin Ibishi, me qëllim të ushtrimit të ndikimit te personat zyrtar, si prokurorë, gjyqtarë e avokatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këto akuza, pas rikualifikimit të veprës penale nga detyrim në veprën penale detyrim në tentativë, Gjykata Themelore në Ferizaj kishte marr aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Isufi.

Ai nga gjykata e shkallës së parë, për veprën penale ushtrim të ndikimit ishte dënuar me 1 vit burgim, kurse për detyrim në tentativë ishte dënuar me 6 muaj burgim e 500 euro gjobë.

Në këtë rast, për veprën penale “detyrimi në ndihmë” akuzoheshin edhe Besnik Beqiri dhe Sadik Isufi, por ndaj Beqirit ishte veçuar procedura, ndërsa ndaj Isufit në seancën 14 shkurtit të këtij viti, prokurori Rasim Maloku ishte tërhequr aktakuza, me arsyetimin se nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.

Por, faktin se Isufi kishte autoritet të ndikonte tek personat zyrtarë, si gjykatës, prokuror e avokatë po e konteston mbrojtësi i tij Xhavit Mahmuti.

Kjo ankesë e mbrojtjes së Isufit kundër aktgjykimit të shkallës së parë, u shqyrtua të mërkurën nga një kolegj i Apelit në përbërje nga gjyqtarët, Tonka Berisha, Xhevdet Abazi dhe Hashim Qollaku.

Gjatë seancës, avokati Mahmuti tha se i mbrojturi i tij nuk është një person me autoritet që të ndikoj tek personat zyrtar.

Sipas tij, në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me vepër penale të ushtrimit të ndikimit, për çka ai i propozoi gjykatës që i mbrojturi i tij të lirohet nga kjo akuzë.

Ai i propozoi gjykatës që aktgjykimi i shkallës së parë të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.

Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur më 13 shkurt 2018, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri Avdyl Isufi, po akuzohet se nga dhjetori i vitit 2016, deri më 14 gusht 2017, në Ferizaj dhe në disa vende të tjera të Kosovës, në vazhdimësi, në mënyrë të drejtpërdrejtë, kishte kërkuar para nga tani i dëmtuari Nuredin Ibishi, me qëllim të ushtrimit të ndikimit te personat zyrtarë, si prokurorë, gjyqtarë e avokatë.

Siç thuhet në aktakuzë, Isufi ishte takuar disa herë me Nuredin Ibishin, prej të cilit në fillim kishte kërkuar 60,000 euro, pastaj 40,000 euro, e më vonë 18,000 euro, duke i thënë këtij të fundit se këto para do t’i ndante me prokurorë e gjyqtarë të Ferizajt, që të mos dënohet ose të dënohet më lehtë djali i tij, Përparim Ibishi, ndaj të cilit po zhvillohej procedurë penale për posedim të narkotikëve, në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Isufi, kishte ardhur në Ferizaj, përkatësisht në objektin e gjykatës, në ditën kur ishte caktuar të mbahej shqyrtimi gjyqësor ndaj Përparim Ibishit, më 14 gusht 2017, dhe kishte kërkuar nga babai i këtij të fundit, Nuredin Ibishi, shumën e të hollave prej 6000 euro, kinse ashtu siç ishin marrë vesh, edhe pse ndikimi i supozuar nuk është realizuar.

Avdyl Isufi, po ashtu akuzohet edhe për veprën penale “detyrimi në tentativë ”.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, Isufi ka kanosur seriozisht të dëmtuarin Nuredin Ibishi, me qëllim që të tentojë ta detyrojë të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që përmes ‘Viber’, i ka dërguar SMS kërcënues, për ta detyruar që t’ia paguajë shumën e parave të kërkuara, duke e kërcënuar me fjalët “nëse nuk i paguan paratë ka me të mbushë barut deri në grykë”.

Përveç tij, në këtë aktakuzë janë të përfshirë edhe dy të pandehurit e tjerë, Sadik Isufi dhe Besnik Beqiri, të cilët po ngarkohen me veprën penale “detyrimi në ndihmë”.

Të njëjtit, po akuzohen se i kanë ndihmuar Avdyl Isufit, me qëllim që të marrin para nga Nuredin Ibishi, kinse një pjesë të parave duhet me ua dhënë prokurorit, gjyqtarit dhe avokatit. /BetimipërDrejtësi