I dënuari për falsifikim të patentë shoferit të Rusisë kërkon nga Apeli lirim ose zbutje të dënimit

IMG_20190910_104837_707
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Shtator 10, 2019

Prishtinë – I dënuar me gjashtë muaj burg efektiv, pasi ishte shpallur fajtor për falsifikim të patentë shoferit të Rusisë, Musa Hoti, po kërkon nga Gjykata e Apelit që t’i zbutet dënimi i shqiptuar nga Gjykata Themelore në Pejë, apo aktgjykimi të ndryshohet dhe ai të lirohet.

Ankesë kundër aktgjykimit, kishte paraqitur mbrojtësi tij, avokati Abdullah Hoti, me pretendimet për shkelje esenciale të dispozitave ligjore, vërtetimit jo të plotë apo të gabuar të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal si dhe ankesë lidhur me vendimin mbi dënimin.

Ai kërkuar nga Apeli që aktgjykimin e shkallës së parë ta ndryshojë dhe të mbrojturit të tij t’i shqiptojë vetëm dënim me kusht me gjobë, vërejtje gjyqësore apo ta lirojë nga akuza.

Avokati Hoti, gjatë seancës së mbajtur të martën, deklaroi se beson në objektivitetin e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, duke deklaruar se mbetet në tërësi pranë pretendimeve të tij.

Ndërsa, Prokuroria kishte kërkuar nga gjykata që ankesa e të dënuarit të refuzohet si e pabazuar.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, të akuzuarin Musa Hoti, e kishte shpallur fajtor, për shkak  se i njëjti më 7 tetor 2017, në pikën kufitare Kullë- Rozhajë, kishte përdorur dokumentin e falsifikuar, patentë shoferin e lëshuar nga shteti i Rusisë.

Gjykata ndaj të akuzuarit Hoti, kishte shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh, si dhe kishte konfiskuar patentë shoferin e falsifikuar.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Hoti akuzohej se më datën 7 tetor 2017, në pikën kufitare Kullë- Rozhajë, kishte përdorur dokumentin e falsifikuar, patentë shoferin e lëshuar nga shteti i Rusisë.

Pas sekuestrimit të patentë shoferit, ishin bërë ekzaminime, nga ku kishte rezultuar se dokumenti kishte qenë plotësisht i falsifikuar. /BetimipërDrejtësi