I dënuari me tre vjet burg për vrasje në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim të parave kërkon nga Apeli zbutjen e dënimit

viber_image_2019-12-12_13-21-24
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Dhjetor 12, 2019

Prishtinë – Arianit Selimi, i dënuar nga gjykata e shkallës së parë me tre vjet burg për kryerjen e katër veprave penale, po kërkon nga Gjykata e Apelit zbutjen e këtij dënimi.

Gjykata Themelore në Ferizaj, të akuzuarin Selimi, e kishte dënuar me tre vjet burg për kryerjen e veprave penale të vrasjes në tentativë, armëmbajtjes pa leje dhe dy vepra penale të falsifikimit të parasë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, për falsifikim të parasë, akuzohej edhe Leutrim Alia, por që ky i fundit nuk ka paraqitur ankesë në shkallë të dytë.

E dënimin prej tre vjetësh burg, për këto katër vepra penale, po e konsideron shumë të lartë i akuzuari Selimi, i cili përmes ankesës së ushtruar nga mbrojtësi i tij, avokati Skënder Jetishi po  kërkon zbutjen e dënimit.

Avokati Jetishi, përmes ankesës ka kërkuar që të mbrojturit të tij t’i shqiptohet një dënim më i ulët, të lirohet nga akuza në mungesë të provave, apo çështja të kthehet në rigjykim.

Ndërkaq, ndonëse mbrojtësi i tij, avokati Visar Musa, nuk kishte ushtruar fare ankesë ndaj aktgjykimit dënues për të mbrojturin e tij, Leutrim Alia, ky i fundit në seancën e mbajtur të enjten në Gjykatën e Apelit, i kundërshtoi akuzat, duke mohuar të ketë kryer veprën penale për të cilën ishte dënuar me tre muaj burg.

Musa, kishte ushtruar vetëm përgjigje në ankesë, kundër propozimit të prokurorisë për ashpërsimin e dënimit.

E pakënaqur me dënimin e shqiptuar kishte qenë edhe Prokuroria Themelore në Ferizaj, e cila po kërkon nga Apeli që të ashpërsojë dënimin e shqiptuar ndaj të akuzuarve, meqenëse me këto dënime, sipas saj, nuk mund të arrihet qëllimi i dënimit.

Madje, prokuroria ka propozuar që të merret si rrethanë rënduese fakti se të njëjtit janë recidivist të shumëfishtë.

Ndërkaq, Prokuroria e Apelit, ka propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Gjykata Themelore në Ferizaj, më 18 qershor  2019,  të akuzuarin Arianit Selimi e kishte shpallur fajtor për të katër veprat penale.

Për veprën penale të vrasjes në tentativë i kishte shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej tri vjet e gjashtë muaj burgim, për armëmbajtje pa leje, për të cilën e kishte pranuar fajësinë, i kishte shqiptuar katër muaj burg, për falsifikimit të parasë tre muaj dhe për të njëjtën vepër penale të kryer në bashkëkryerje me të akuzuarin Alia, ishte dënuar me dy muaj burgim.

Më pas, kjo gjykatë atij i kishte shqiptuar dënim unik prej tre vjetësh burgim.

Ndërkaq, të akuzuarit Leutrim Alia, për veprën penale të falsifikimit të prasë, i kishte shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej tre muajsh.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Arianit Selimi dhe Leutrim Alia.

Të akuzuarin Selimi, e ngarkonte me veprën penale të vrasjes në tentativë, armëmbajtjes pa leje dhe të falsifikimit të parave.

Sipas aktakuzës, më 24 qershor 2014, në Ferizaj kishte tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin Urim Bekisholli, për shkak të një konflikti të mëhershëm, ku i dëmtuari e kishte lënduar me thikë të akuzuarin, kështu me motive të hakmarrjes, teksa i dëmtuari ishte në vendin e tij të punës, i akuzuari nga vetura “Mercedes”, ka shtënë në drejtim të të dëmtuarit, duke goditur derën dhe më pas largohet.

Me këto veprime, ai akuzohet se kishte kryer veprën penale të vrasjes në tentativë.

Në po të njëjtën ditë, sipas aktakuzës, i është gjetur edhe arma e tipit të panjohur, me të cilën kishte tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin.

Në aktakuzë thuhet se ai në bashkëkryerje me të miturën M.B, më janar 2017, në barnatoren “Zeka” në Ferizaj, kishin blerë një dezinfektues, me ç ‘rast pagesën e kishin bërë me paratë e falsifikuara, duke kryer kështu veprën penale “Falsifikim i parasë”.

Po ashtu, sipas aktakuzës, Selimi në bashkëkryerje me të akuzuarin tjetër, Leutrim Alia, më 27 maj 2017, në rrugën “Ahmet Kaqiku”  kanë poseduar paratë e falsifikuara me qëllim që t’i vënë në qarkullim si të vërteta, ashtu që deri sa ishin në veturën e markës “Hundai” u janë gjetur 3 bankënota në vlerë prej 20 euro.

Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të falsifikimit të parasë. /BetimipërDrejtësi