I dënuari me 4 vjet burg e 5000 euro gjobë për grabitje në pikën e derivateve kërkon nga Apeli që t’i zbutet dënimi

Avni Ibrahimi - 21.01.2020
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Janar 21, 2020

Prishtinë – I dënuar me burg dhe gjobë, pasi ishte shpallur fajtor për grabitjen në një pikë të derivateve, Avni Ibrahimi po kërkon nga Gjykata e Apelit që t’i zbutet dënimi i shqiptuar nga Gjykata Themelore në Gjilan.

Kjo e fundit, më 9 dhjetor 2019, e kishte shpallur fajtor Ibrahimin për veprën penale të grabitjes dhe i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër vjetësh.

Po ashtu, Ibrahimi ishte dënuar edhe me 5,000 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, i akuzuari në shqyrtimin fillestar e kishte pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet.

Përkundër kësaj, sipas mbrojtësit të tij, avokatit Mursel Ahmeti, gjykata e shkallës së parë ka dështuar të vlerësojë sa duhet pranimin e fajësisë, si rrethanë lehtësuese si dhe rrethanat tjera, me rastin e matjes së dënimit.

Sipas ankesës së avokatit Ahmeti, gjykata e shkallës së parë i ka cekur në aktgjykimin e saj disa rrethana lehtësuese, por që të njëjtat sipas tij, nuk i ka vlerësuar sa duhet.

Veçanërisht, sipas mbrojtjes, shkalla e parë nuk e ka vlerësuar faktin se i akuzuari ka pasur bashkëpunim të sinqertë me organet e ndjekjes si dhe gjykatën, qysh nga fillimit.

Rrethana tjera, që sipas mbrojtjes duhet të ndikojnë që të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim më i butë, janë edhe fakti se i akuzuari është i gjendjes së varfër ekonomike, është punëtor i krahut, mosha e re, si dhe ndaj tij nuk është duke u zhvilluar ndonjë procedurë tjetër penale.

Gjithashtu, avokati Mazreku tha se në shqyrtimin fillestar kur i mbrojturi i tij e kishte pranuar fajësinë, gjykata nuk e kishte lejuar të jep fjalën përfundimtare, ku sipas tij, do të theksonte të gjitha këto rrethanë lehtësuese për të mbrojturin e tij e që do duhej të ndikonin gjatë matjes së dënimit.

“Gjate kësaj vepre penale, nuk është sulmu punëtori gjatë grabitjes dhe kjo shume nuk është aq e madhe…ky është pendu, i kërkon falje të dëmtuarit. Kërkojmë nga Apeli që t’ia zbus dënimin edhe atë me burg edhe atë me gjobë. Nëse nuk gjen ven për zbutje të dënimit, propozojmë që të kthehet lëndë në rigjykim”, tha avokati Mazreku.

Vet i akuzuari Ibrahimi, tha se gjatë grabitjes nuk e ka sulmuar punëtorin e pikës së derivateve dhe kjo gjë tha se mund të vërtetohet shumë lehtë përmes kamerave që kishin qenë në vendin e ngjarjes.

“Kam pranuar fajësinë sepse kam menduar që do të ketë lehtësira më të shumta, por jam dënuar në ekstrem”, tha Ibrahimi.

Në anën tjetër, Prokuroria e Apelit përmes një parashtrese drejtuar gjykatës së shkallës së dytë, më 19 janar 2020, i ka propozuar kësaj të fundit që të refuzojë ankesën e mbrojtjes dhe të vërtetojë aktgjykimin e shkallës së parë.

Në këtë rast, kanë qenë të akuzuar edhe Kastriot Rexhepi dhe Besart Muqiqi, mirëpo për ta, gjykata e shkallës së parë kishte veçuar procedurën penale dhe ndaj tyre, gjykimi është duke vazhduar.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, Ibrahimi akuzohej se më 29 tetor 2018, rreth orës 02:00, në pompën “Vedat” në fshatin Pasjan, Komuna e Parteshit, duke vepruar me dashje dhe me qëllim që vetit t’i sjell fitim pasuror të kundërligjshëm dhe në bashkëveprim me Kastriot Rexhepin dhe Besart Muqiqin, të maskuar dhe të pajisur me mjete të përshtatshme, kanë kryer grabitje në pompën e benzinës Vedati Petrol.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nën trysninë e armëve fillimisht kanë sulmuar fizikisht punëtorët e kësaj pompe dhe më pas nga aty kanë marrë 500 euro dhe janë larguar me veturë.

Me këtë, sipas prokurorisë, i akuzuari ka kryer veprën penale të grabitjes. /Betimipërdrejtësi