I dënuar për marrje ryshfeti nga shkalla e parë, inspektori i ATK-së kërkon lirim nga Apeli

20200214_103632
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Shkurt 14, 2020

Prishtinë – Inspektori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Bekim Bilalli, që nga shkalla e parë është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 1000 euro gjobë për marrje ryshfeti, ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që të shpallet i pafajshëm.

Bilalli akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar në ATK, me qëllim që t’i sjell vetës përftim pasuror të kundërligjshëm, ka kërkuar ryshfet nga i dëmtuari Sherafedin Gashi, pronar i firmës “Fresh Fruit” SH.P.K, për kthimin e mjeteve të rimbursimit të TVSH-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këtë pretendim të prokurorisë e kishte vërtetuar edhe Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila më 19 shkurt të vitit të kaluar, Bilallin e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 1000 euro gjobë.

Këtë vendim e kishte vlerësuar të drejtë Prokuroria dhe nuk kishte bërë fare ankesë, ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Sevdali Zejnullahu ka vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë është bërë me shkelje ligjore.

Sipas Zejnullahut, instanca e parë gjyqësore nuk ka bërë arsyetim të fakteve vendimtare, pasi me aktgjykimin e saj nuk ka gjetur të vërtetën, sepse sipas tij as nuk ka vlerësuar nëse i akuzuari nuk ka përmbushur ndonjë kompetencë të tij apo e ka tejkaluar ndonjë kompetencë.

Sipas tij, deri te aktgjykimi dënues ka ardhur duke u mbështetur vetëm në deklaratën e të dëmtuarit Sherafedin Gashi, për të cilin Zejdullahu tha se ka pasur ndryshim të deklaratave në deklarimet e tij në procedurën hetimore dhe në shqyrtim gjyqësor.

I akuzuari Bilalli tha se e mbështet ankesën e mbrojtësit të tij dhe u betua para kolegjit të udhëhequr nga gjykatësja Hava Haliti, se ai nuk ka kërkuar para nga askush.

Në këtë seancë të kolegjit nuk u paraqit prokurori i Prokurorisë së Apelit, e cila prokurori me anë të një shkrese drejtuar kolegjit të Apelit, ka kërkuar që ankesa e mbrojtjes të refuzohet dhe të vërtetohet aktgjykimi i shkallës së parë.

Ashtu si Prokuroria e Apelit edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Faik Halili i propozoi kolegjit të Apelit që ta refuzoj ankesën e mbrojtjes dhe në këtë mënyrë ta vërtetoj vendimin e shkallës së parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së përpiluar më  27 dhjetor 2017, Bekim Bilalli në cilësinë e personit zyrtar në ATK, me qëllim që t’i sjell vetës përftim pasuror të kundërligjshëm, ka kërkuar ryshfet nga i dëmtuari Sherafedin Gashi, pronar i firmës “Fresh Fruit” SH.P.K, për kthimin e mjeteve të rimbursimit të TVSH-së.

Sipas aktit akuzues, këtë e ka bërë në mënyrë që i pandehuri, në muajin shtator të vitit 2015, është takuar me të dëmtuarin te kafiteria tek pompa e benzinës te lulishtja në Prishtinë, në afërsi të ATK-së-Prishtina 3, dhe i ka kërkuar 1.000 euro për t’ia kthyer mjetet e rimbursimit të TVSH-së.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se në takimin tjetër i pandehuri i kishte thënë të dëmtuarit “me 1.000 euro nuk kryhet puna qysh jemi marr vesh”, duke kërkuar ryshfet shumën prej 5.000 euro nga i dëmtuari Gashi. /Betimipërdrejtësi